Historike në Maqedoni, Parlamenti shpall shqipen si gjuhë zyrtare

Me 69 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, pa deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kuvendi vendosi ta kalojë Projektligjin për përdorimin e gjuhëve, që përcakton me ligj përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridik që kryejnë aktivitete publike sipas ligjit etj

Fakti/I gjithë faktori shqiptar në rajon përshëndeti në unison vendimin e parlamentit të Shkupit

 

Me 69 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, pa deputetët e VMRO-DPMNE-së, Kuvendi vendosi ta kalojë Projektligjin për përdorimin e gjuhëve që përcakton me ligj përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet zyrtare. Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më 5 shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar. Ky ligj që lejon edhe gjuhën shqipe në shkolla, shkaktoi debat të gjerë në Maqedoni, ku nga forcat politike VMRO-DPMNE u propagandua si kundër Maqedonisë dhe se federalizon shtetin. Ky Ligj sot u miratua me 69 vota Pro në të cilën votuan partitë politike shqiptare dhe LSDM-ja. Ligji përmban 25 nene, dhe parashikon që në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata, komisione, persona juridik që kryejnë aktivitete publike sipas ligjit, gjuhë zyrtare përveç maqedonishtes të jetë edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Maqedonisë, në mënyrë të caktuar me ligj.

REAGIME/ Presidenti Meta: Një akt për të ardhmen europiane

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur vendimin e marrë nga parlamenti i Maqedonisë, që ka miratuar gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare. ‘Të dashur miq, sapo mbërrita në aeroportin e Ljubljanës mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe. Një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.’, shkruan presidenti Ilir Meta në Facebook.

Kreu Basha: Miratimi i gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë, sukses i politikës shqiptare/ Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka përshëndetur miratimin e ligjit që e bën gjuhën shqipe, gjuhë zyrtare në Maqedoni. Sipas Bashës, ky është një hap i suksesshëm për faktorin politik shqiptar në shtetin fqinj. “Miratimi i sotëm i ligjit të gjuhës shqipe nga parlamenti i Maqedonisë është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike Maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo vote është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike ne Maqedoni. Partia Demokratike nxit këtë klime uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve  dhe vlerave euroatlantike dhe europiane.

Ish-kryeministri Berisha: Votimi i ligjit për gjuhën shqipe, arritje e madhe

Ish-Kryeministri Sali Berisha përmes një komenti në rrjetet sociale tha se votimi i ligjit për gjuhën shqipe në parlamentin e Maqedonisë është  një arritje e madhe! “Sot parlamenti i Maqedonisë në përputhje me marrëveshjen e Ohrit miratoi ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në territorin e Republikës së Maqedonisë. Duke përshëndetur këtë akt të rëndësishëm dhe të gjitha ata që bënë të mundur votimin e tij, theksoj se zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptaret e Maqedonisë dhe kombin shqiptar në tërësi!”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Kryemadhi: Miratimi i gjuhës shqipe, hap emancipues dhe pranim i barazisë

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, ka reaguar në rrjetet sociale, në lidhje me miratimin nga Kuvendi i Maqedonisë të ligjit për gjuhën shqipe. Kryemadhi shkruan se pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të ditës së alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror. “Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet, dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur. Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë. Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit! Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres”, shkruan Kryemadhi.

Ish-Presidenti Nishani: Gjuha shqipe u vendos në vendin e merituar

Ish-Presidenti Bujar Nishani përmes një komenti në rrjetet sociale ka përshëndetur miratimin e gjuhës shqipe nga Parlamenti i Maqedonisë. “Urimet më të mira bashkëkombësve tanë në Maqedoni. E vendosën gjuhën e bukur shqipe në vendin e merituar. Bashkëjetesa dhe bashkë kontributi do ta bëjë Maqedoninë një fqinj edhe më të mirë për ne !”, shkruan Nishani.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>