Homazh/Asllan Hyseni njeriu i mirë, i talentuari dhe i persekutuari i regjimit komunist

asllan

Kush ishte punonjësi i ish-ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Fier

Në një ditë të nxehtë korriku, e hënë, datë 4 korrik 2016, Asllan Hyseni, për të cilin i kushtohet ky shkrim dashamirës, kishte dalë nga shtëpia së bashku me djalin e tij, Stivin. Asllani nuk ndjehej mirë, kishte dhimbje në gjoks dhe djali po e shoqëronte për në urgjencën e spitalit. Rrugës kalonin të heshtur. Stivi me merakun e shqetësimeve të babait të dashur

pa arritur në urgjencë, Asllani me një zë të vakët i drejtohet të birit: – “Të ulemi djalë, të qetësohemi pak, dhe vështrimin nuk e ndante nga i biri”. I mbështetur tek i biri, Asllanit i përkulet koka, edhe trupi filloi t’i anohet. Tronditet djali, kur pa se në fytyrën e babait, rrëshqitën dy pika loti.

E mbërthen i biri me duar, i përkëdhel fytyrën dhe…me një zë të pikëllueshëm i flet babit. Ngrihu babi, babi mos n’a lër. .. mos n’a ik babi. Ah moj zemër e lënduar, përse nuk e mbajte, por n’a e more babin. Përse, përse o fat n’a lëndove?!. Dhe unë shkruesi i këtyre radhëve, në vazhdim do të ju tregoj, për njeriun e mirë, për djalin e sjellshëm, të talentuar dhe shumë punëtor (kemi punuar bashkë vite e vite).

Do ju tregoi për Asllan Hysenin.

Le ta nisim nga familja/...Babai i Asllanit, Lutfi Hyseni kishte mbaruar suksesshëm shkollën teknike “Harri Fultz”, një nga shkollat më të mira të atyre viteve, shkollë e cila edhe sot është e preferuar. Në vitin 1943, Lutfi Hyseni, ky i ri pasionant e përqafoi ngushtë lëvizjen e forcave nacionaliste në qytetin e Vlorës. Ky rreshtim i këtij të riu në krah të kësaj force bëri që të mos shpëtonte persekutimit. Dhe pasojat… Nuk vonoi shumë dhe në vitin 1945, në një gjyq të sajuar kundër intelektualëve më të mirë të qytetit e dënuan me 12 vite burg. Mbas 9 vitesh, të një burgu të vështirë, i dhanë liri me kusht. Do të vinte viti 1956, që Lutfi Hyseni do të krijonte familje. U martua me Mexhiren, vajzë e cila rridhte nga një familje bejlerësh nga Arbana e Tiranës. Po në këtë vit, si pasojë e kësaj lidhjeje martesore, filloi për Lutfiun, bashkëshorten e tij dhe fëmijët një kalavar tjetër i vuajtjeve shumë të mundimshme, të internimeve që vazhduan jo pak, por 16 vite. Fillimisht e dërguan në Ulëz (Mat), ku qëndruan dy vite. Me plaçkat në krah e me karrocë e transferuan në Vlorë e nga Vlora në Shtyllas dhe me vonë në fermën “Çlirimi” dhe se fundmi në Levan.

Asllani në shkollën 8-vjeçare në Levan/Asllan Hyseni, djali i madh i Lutfiut, me një fëmijëri shumë të mundimshme nëpër internime, shkollën 8-vjeçare mundi t’a mbaronte suksesshëm në Levan. Mësuesit dhe disa nxënës të kësaj shkolle e dinin që ky nxënës, së bashku me familjen e tij ishin të internuar në Levan. Kjo bëri që ato t’a shikonin “shtrembër”. Por kjo nuk vazhdoi gjatë, mbasi Asllani e tregoi vehten si nxënës i sjellshëm, i mirë në mësime dhe i dashur me shokët. Asllani në veçanti i respektonte shumë mësuesit. Në shkollë Asllanit i pëlqenin lëndët e fizikës dhe vizatimit. Ishin arritjet e mira në mësime që Asllani nuk vonoi, u bë fitues në Olimpiadën e shkollave 8-vjeçare. Tregojnë se sa herë në shkollë vinte elektricisti i ndërmarrjes komunale për riparimin e difekteve që ndodhnin jo rrallë në këtë shkolle, Asllanin do e shikoje pas tij.

Në vitin 1972 familjes së Lutfi Hysenit ju dha e drejta e transferimit në Fier/Largimi për në qytetin e Fierit të familjes së Lutfi Hysenit, erdhi kryesisht për një arsye: Në vitet 1972 e në vazhdim si rezultat i shumë ndërtimeve në Fier, ndjehej tepër e nevojshme kërkesa për punonjës teknikë, teknikë ndërtimi dhe topografë. Lutfi Hysenit ia dinin mirë aftësitë e tija teknike, e dinin që Lutfiu kishte mbaruar shkollën teknike “Harry Fultz”, shkollë teknike shumë e njohur në ato vite. U punësua Lutfiu në ndërmarrjen shtetërore të Ndërtimit (N.SH.N.), një nga ndërmarrjet më të mëdha ndërtimore. Duke parë ecurinë e Lutfiut në punë, zgjidhjen që u jepte problemeve të shumta ndërtimore, nuk vonoi shumë dhe e emëruan përgjegjës teknik ndërtimi dhe Lutfiu e kreu me shumë sukses dhe profesionalisht këtë detyrë. (Unë e di mirë, më mirë se kushdo. Isha shumë i ri në ato vite, ku ka punuar po në këtë ndërmarrje të njohur.

Asllan Hyseni në shkollën e mesme industriale “Petro Sota në Fier/Asllani e dëshironte shumë shkollën e mesme industriale “Petro Sota”. Ishte i mirë informuar se kjo shkollë kishte mësues të përgatitur, gjithashtu ishte e fuqizuar me bazë materiale elektro-mekanike. Nuk kaloi shumë dhe kjo shkollë u vlerësua, shkolla e mesme Industriale më e mira në vend.

Në katër vitet e shkollës, Asllani tregoi kujdes edhe për lëndët e tjera që jepeshin në këtë shkollë, ku dallohej në veçanti në lëndën e fizikës dhe vizatimit teknik, por në veçanti mësuesi i punës praktike e cilësonte Asllanin, nxënësin më të përgatitur dhe shpesh shpreheshin: – “Asllanit atë që ia thotë mendja ia bën dora”. Asllan Hyseni asnjëherë nuk i harroi kujtimet shumë të ndjeshme nga shkolla e

tij e dashur. Ato që më ka treguar, unë dëshiroj t’i bëj publike. “Në ditën e fundit të shkollës të gjithë ne maturantët ishim grumbulluar tek oborri ynë i dashur, oborri i shkollës. Ishim bërë njësh mësues e nxënës, shumë pranë njëri-tjetrit. Përqafoheshim me mësuesit, po kështu me mall edhe me shokët, i falnim njëri-tjetrin ato “grindje rinore” dhe me besoni unë shikoja fytyra të përlotura. Edhe vete u lotova

në këtë ndarje të paharruar, por: U ndjeva keq, nuk i përmbajta lotët kur u shkëputa nga krahët e mësuesit të

punës praktike. Të gjitha këto ndjesi si dhe konsiderata shokësh dhe shoqesh ne i kemi të reflektuar në një fletore të thjeshtë në pamje, por të pasur në përmbajtje. Sa herë që unë e shfletojë këtë fletore, me është shprehur miku im i pa harruar Asllan, unë përmallem dhe lotojë nga këto kujtime të largëta që nuk mund të harrohen. Vitet e shkollës n’a ikën një e nga një, sa shpejt. Por tani n’a presin vite të

tjera në jetë.

Prova e jetës për Asllanin/Pas vitit 1976 e në vazhdim ekzistonte një praktike e tillë. Përfaqësues të ndërmarrjeve të qyteteve Fier, Patos, Ballsh etj., vinin në shkollën industriale “Petro Sota”. Ata “gjurmonin” nxënësit” më të përgatitur për t’i punësuar në ndërmarrjet e tyre. Asllani ishte më i kërkuari dhe menjëherë filloi punën në ndërmarrjen komunale Fier. Në këtë ndërmarrje kishte shumë probleme të natyrës elektro-mekanike dhe ndërtim, probleme këto që në shumë e shumë raste ishin të lidhura me shërbimet ndaj qytetarëve. Asllani nuk i përtonte punës. I vëmendshëm dhe korrekt bënte të pamundurën të pasuronte njohuritë e tija teknike. Asllani mundohej “të vidhte” përvojën dhe të fshehtat praktike nga specialistët më të rritur dhe me përvojë pune. Puna e Asllanit në këtë ndërmarrje u vlerësua. Asllani ishte i sjellshëm në punë, i vëmendshëm e komunikues me këdo. Nuk kaloi shumë dhe Asllanin, pa dëshirën e tij, por edhe të vetë Ndërmarrjes Komunale, e cila e kundërshtoj transferimin e tij, por …përfundimisht e dërguan në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve po në Fier. Edhe mua, shkruesin e këtyre rreshtave me larguan në mënyrën më të pabesë në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve. Arsyet në Fier dihen, problemet me të dy vëllezërit e mijë, që m’i burgosen vite e vite në Spaç dhe internuan në Ballsh.

Në ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve në Fier/Në ditët e para të fillimit të punës në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimit në Fier, konstatova se gjendja e lokaleve të shumta të kësaj ndërmarrje linte shumë për të dëshiruar. Si tani më kujtohet, ku së bashku me të riun e sektorit tonë, elektro-mekanik dhe ndërtim, me Asllan Hysenin, me metron në dorë pamë nga afër lokalet e shërbimeve dhe jo vetëm në Fier, por edhe në Libofshë, Levan e në fshatrat përreth. Më duhet të cilësoj, se: Asllani më befasoi që në fillim me njohuritë e tija profesionale si elektro-mekanik. Më befasoi edhe me vizatimin-teknik. Ishte kjo arsyeja, që në shumë raste, për çdo anomali të defekteve e dërgoja vetëm për verifikimin e tyre e në disa herë, së bashku me specialistin shumë të përgatitur, Gori Gjerazi. Në disa raste e dërgoja në këto verifikime defektesh

edhe me specialistin Ilir Hajdini. Por…Puna në sektorin tonë nuk mbaronte vetëm me konstatimin e defekteve elektro -mekanike, si dhe nevojave të shumta ndërtimore. Në vështrimin tim, në pjesëmarrje direkt me grupin e punës, konstatoja se Asllani ishte shumë i përkushtuar në punë…., në dekorin e qytetit, në festa do e veçoja Asllanin, ku së bashku me Petrefin që detyrën për dekorin e kishte të tijën. Unë e vështroja Asllanin, se sa me shkathtësi dhe përkushtim ngjitej në ato shkallë druri, në shtyllat elektrike për vendosjen e banderolave si dhe: Në vendosjen e portreteve, me përmasa të mëdha në hapësirat e godinave të institucioneve shtetërore, ku kryheshin jo pa rrezik. Punonjësit tanë nuk i festonin festat pranë familjeve. Edhe në natën e ndërrimit të viteve u duhej të bënin roje në objektet e rëndësishme të kësaj ndërmarrje. Në të gjithë këtë përkushtim nuk mund të rri pa përmendur se puna e sektorit tonë, e Asllanit, Gorit, Ilirit, Janit dhe mjaft të tjerëve u vlerësua nga më të mirat në Tiranë edhe: Ajo çertifikatë nga Drejtoria në Tiranë, e dhënë posaçërisht për sektorin elektro- mekanik-ndërtim nuk ju dorëzua kolektivit tonë. Dhe as nuk ju lexua nga drejtoria. Lavdërohej sektori i punim-drurit, ato bënin divanë, dhoma gjumi, të cilat në shumë raste shiteshin me “porosi të veçanta”.

Në vitin 1991 sektori jonë u shpërbë. Ambientin tonë, një dhomë e një verandë nuk ja lanë specialistëve tanë në privatizim. Na e rrëmbyen dhe ia dhanë një grupi këpucarësh “të shkathët”. Dhe si pasojë: Specialistët tanë, ndërtuesit tanë që e mbajtën këtë ndërmarrje, u nxorën në rrugë dhe secili punonte vetëm atje ku mund të gjente ndonjë punë…

Edhe kur specialisti më i mirë i sektorit, Gori Gjerazi, së bashku me Ilir Hajdinin, u munduan të rigrupoheshin, në kushtet që u ndodhëm nuk funksionoi. Asllani punonte vetëm, si të tjerët, por kishte një favor, se është fakt, se që në

moshë shumë të re, 11 vjeç, ai e punonte mirë makinën qepëse, dhe që në këtë moshë ka qepur këmishën e parë, ku edhe vazhdoi në ato vite të punonte me makinë, ku pati edhe probleme, sepse siç dihej nuk lejohej puna private dhe trokitjet e makinës dëgjoheshin në pallat… Në gjendjen që ndodhej tani, makina qepëse e ndihmoj Asllanin.  Në vitin 1995, Asllani u martua me shoqen e tij të dashur Blertën. Blerta, kjo bashkëshorte e mirë, nuk ju përkushtua vetëm të shoqit, por ajo tregonte një ndihmesë dhe respekt të veçantë edhe për prindërit e Asllanit.

Blerta ishte shumë e dashur për motrën e të shoqit, për Nefin si dhe për vëllezërit e Asllanit, Astritin dhe Arjanin. Me Asllanin ajo jetoi e lumtur në 21 vite. E deshte shumë Asllanin dhe largimi i parakohshëm i ka krijuar një boshllëk të madh. Nuk mundem të harroj, kur Blerta në një moment u shpreh: -” …sa herë që hapet dera e shtëpisë mua më bëhet sikur po vjen Asllani im… ”

Lutfi Hyseni dhe e gjithë familja vjen në Tiranë/Në vitin 2002, e gjithë familja e Lutfiut u vendosën në një zonë të preferuar banimi në Tiranë.  Asllani menjëherë filloi të punonte ku mund t’i dilte ndonjë punë. Vite më vonë, mundi të siguronte një ambient të vogël pune, në mënyrë që të

ushtronte profesionin e tij elektro-mekanik. Fillimisht nuk e njihnin, por më vonë duke u njohur me disa punime të kryera nga dora e tij, filloj të bëhej i kërkuar. Asllani, në punë me klientët u prezantua ashtu siç ishte, korrekt në punë dhe

komunikues me ta.

***

Në vitin 2005 familja përcolli me shumë dhimbje për në banesën e fundit, mëmën e tyre, Mexhiren, që aq shumë e donin. Nuk vonoi shumë, e mbas një viti edhe babai i tyre, Lutfiu ndërroi jetë. Iu bashkue Mexhires në atë banesë të fundit. Ishte kjo goditja e dytë shumë e dhimbshme në këtë familje. Më vonë të dy vëllezërit e Asllanit, Astriti dhe Arjani, djemë shumë të edukuar, të dashur me këdo dhe punëtore u larguan në Amerikën e largët. Asllani vazhdoi të punonte, dhe punonte shumë. Është fakt se kur në vitin 2011 pësoi një aksident të rëndë në punë, tregojnë: -” …Në raste urgjente nuk i ka braktisur klientët e tij”. Edhe me paterica u ka shërbyer në shtëpi. Asllan Hyseni la dy djem, Stivin dhe Frenkin. I deshte shumë fëmijët ai dhe që në moshë të vogël i kishte edukua me dashurinë për prindërit e tyre dhe të pjesëtarëve të tjerë të familjes. I porosiste fëmijët të respektonin në veçanti mësuesit e tyre dhe të ishin në marrëdhënie të mira me shokët. U mësoi biçikletën që kur ishin të vegjël. Dhe kryesorja u mësoi edhe notin. Të dy fëmijët, Asllani nuk i ndante nga njëri-tjetri, por tregojnë se për më të voglin, Frenkin kishte një ndjesi të veçantë Asllani. Të dy djemtë Stivi 19 dhe Frenki 15 i trajtonte si shokë. Ulej me ta, bisedonte, i porosiste për gjithçka, ja u plotësonte nevojat që kishin, por njëkohësisht edhe i kontrollonte. I kam takuar të dy djemtë e mikut tim të paharruar Asllan. Jam ulur dhe kam biseduar me të dy. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte, zgjuarsia e tyre dhe komunikimi me ta, ishin shumë të këndshëm. Përsa i përket ecurisë në mësime, në shkolle ata janë nxënës të dhjetës. Asllani e kishte ëndërr që fëmijët e tij të vazhdonin shkollën e lartë. Familja e Asllanit për vazhdimin e shkollës e kishin një peng të madh nga e kaluara e hidhur e kësaj familje të respektuar, sepse: Asnjë nga fëmijët e Lutfi Hysenit edhe pse ishin me rezultate të larta në mësime nuk ju dha e drejta për të vazhduar Universitetin. Ata nuk pranoheshin sepse ishin në shënjestrën e Partisë gjatë viteve të vështira në diktaturë. Unë jam i sigurt se fëmijët e Asllanit të ndjerë, mikut tim, Stivi dhe Frenki do e plotësojnë ëndrrën e babait të dashur për shkollën e lartë. Ata fëmijë, të edukuar, të dashur, gjithmonë në jetë do të kenë ndihmesën e të gjithë familjes e në veçanti të vëllezërve të dashur të babait të tyre, Astritit dhe Arjanit.

Vlerësime të merituara për Asllan Hysenin/Shumë specialistë, dhe jo vetëm të Ndërmarrjes Riparim-Shërbimeve në Fier, u shprehën me mendime shumë të mira për Asllanin. Unë i falënderojë të gjithë edhe në emër të familjes, por më besoni, unë nuk mundem t’i reflektojë të gjithë në këtë shkrim dhe për këtë kërkoj ndjesë. Po përmend disa prej tyre: Vasil Dako me banim në lagjen Nr.8 në Tiranë, pranë pallatit ku banonte Asllani pohon se – “…Asllanin e kam njohur vite e vite më parë kur ishte i internuar familjarisht në zonën e Semanit. Kam njohur një familje serioze që diti t’i qëndronte persekutimit me dinjitet. Ishin njerëz të sjellshëm dhe punëtorë. Fati e solli që të takoheshim … Unë hapa një bar-kafe dhe aty vinte edhe Asllani. Ishte shumë komunikues dhe i dashur me shokët e mijë. Të gjithë ne e respektonim për sinqeritetin e tij dhe për profesionalizmin e punëve elektro-mekanike, punë të pastër me të gjithë klientët që kishte. E përjetuam me shumë dhimbje largimin e tij të parakohshëm. Ing.Rakip Duro thotë se –“Për Asllanin ruaj kujtimet më të mira. Ishte profesionist i zoti, i dashur dhe komunikues me shokët. Me Asllanin dhe shokun e tij Gori Gjerazi ne arritëm të bëjmë një aspirator të thithjes së pluhurave, shumë efikas për repartin e këpucarisë. Largimi i tij i parakohshëm na ka prekur të gjithëve”. Ndërsa Gori Gjerazi thotë së: – “Asllani ishte specialist i zoti dhe shumë punëtor. Asllani ishte specialist i përgatitur dhe shumë punëtor. Nuk më largohet nga mendja se si u nda nga jeta, ashtu i heshtur. Asllani ishte familjar i dashur, ashtu siç ishte edhe me ne. Kam shumë gjëra për të thënë, por tani me këtë dhimbje nuk mund të shprehem. Njëherë tjetër Kujtim, do të bisedojmë më gjatë”. Edhe I1ir Hajdini shton se: -Asllan Hyseni ishte specialist i përgatitur. Rrinim bashkë, bisedonim për shumë probleme, por se si me duket kur kalojë nga ish-lokali i tij, më duket sikur do e shoh përsëri. Na le Asllan me këtë ikje të shpejtë. Më le me një dhimbje që nuk do më kalojë lehtë”.

Sa nuk do dëshiroja të shkruaja vazhdimin e shkrimit/U lëndova shumë kur më lajmëruan se miku im, shoku im, Asllan Hyseni nuk jeton më. U trondita dhe në çast mendova: -“Ah…, moj zemër e lënduar që nuk e mbajte, por e braktise Asllanin gojëmbël dhe i dashur me të gjithë. Qytetarë të shumtë, të gjithë banorët ku jetonte Asllani, të moshuar dhe të rinj, por edhe shumë të ardhur nga Fieri, në veçanti nga Ndërmarrja e Riparim -Shërbimeve, specialistë elektro-mekanikë dhe të profesioneve të tjera, arkivolin me trupin e Asllanit e mbajtën në krah duke kaluar ashtu të heshtur. Mbi arkivol hidhnin lule dhe vetëm lule ashtu si e meritonte ky njeri i mirë. Fjalë shumë të mira dëgjoja për ty Asllan, fjalë shumë prekëse, të cilat i përlotën të pranishmit në atë ditë korriku. Asllani n’a u largua, n’a iku para kohe, por ne shokëve dhe miqve të tij nuk do të n’a hiqet asnjëherë nga kujtesa vizioni jonë për Asllanin e mirë, i dashur me këdo. I nderuar lexues mendoj ta keni lexuar këtë shkrim timin dhe më jam i lumtur që hodha këto radhë për këtë njeri gojëmbël me të gjithë, për të paharruarin, Asllan Hyseni?!.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>