Hysen Ndreu shpallet “Qytetar nderi” i Komunës Zall-Dardhë

Hysen

 

 

Vlerësimi iu dha me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës dhe historisë”, kishte ardhur vetë kryetari i Këshillit Komunal z. Gëzim Kaca. Aktiviteti u zhvillua në ambientet e pallatit të Kulturës në Kamëz me rastin e 75-vjetorit të lindjes së tij

 

Në ambientet e pallatit të Kulturës në Kamëz, Komuna Zall-Dardhë organizoi një aktivitet në të cilin i dha z. Hysen Ndreu titullin “Qytetar Nderi” me rastin e 75-vjetorit të lindjes.
Në këtë takim merrnin pjesë veç banorëve me origjinë nga Dardha, Reçi kishte dhe të tjerë të ftuar nga Dibra si dhe profesionistë të fushës së artit të cilin njihnin shumë mirë aktivitetin e z. Ndreu. Nga vendlindja e Hysen Ndreut për t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi” më motivacionin: “Për kontributin e dhënë në fushën e kulturës dhe historisë”, kishte ardhur vetë kryetari i Këshillit Komunal z. Gëzim Kaca. Në këtë takim mori pjesë si i ftuar nga Komuna Zall-Dardhë dhe kryetari i Bashkisë Kamëz z. Xhelal Mziu, kantautori Esat Ruka, kryetari i Komunës Reç Esat Shehu, regjisori dhe artisti i njohur Skënder Cala, anëtarë të Këshillit të Komunës, artistët me origjinë nga Zall-Dardha etj. Takimi nisi me shfaqjen e një dokumentari për jetën dhe veprimtarinë e z. Hysen Ndreu ndër vite ku mund të veçojmë vlerësimet e mësuesit Avdi Rama dhe mjekut kardiolog, prof. dr. Petrit Bara, dekan i Fakultetit të Shkencave Mjekësore. Më pas, fjalën e morën kantautori Ruka dhe regjisori Cala, të cilët folën për vlerat e Hysen Ndreut si artist, që sipas tyre vlerësimi nga vendlindja, Komuna Zall-Dardhë është më se i merituar. Takimin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe ikonat e muzikës dibrane si Qerim Sula dhe Shaban Mziu, të cilët me interpretimin e tyre sollën emocione për të pranishmit në sallë.
Organizatorët ftuan për të marrë fjalën dhe kryetarin e Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, i cili u uroi mirëseardhjen të gjithëve dhe i falënderoi përzemërsisht për mundësinë që i dhanë qytetit të Kamzës për një aktivitet mjaft të rëndësishëm për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i Zall-Dardhës z. Hysen Ndreut. Në fjalën e tij, z. Mziu shtoi: “Dua të falënderoj përzemërsisht kryetarin e Komunës, kryetarin e Këshillit Komunal, Këshillin Komunal, por edhe qytetarët e Zall-Dardhës, të cilët e vlerësuan Hysen Ndreun me këtë çmim që realisht e meriton. E meriton sepse jo vetëm për shkak të lidhjeve që unë kam me të si daja im, por unë kam patur mundësinë ta shoh, kam qenë pranë tij dhe ai është etaloni i një intelekti, etaloni i kulturës, i sakrificës dhe në fakt këto i ka përcjellë gjatë gjithë viteve. Mbaj mend kur shkonte në fshatin Qa të Dardhës, duke qenë se unë shkollën një vit e kam bërë në Zall-Dardhë ngrihej që në orën 04:00 të mëngjesit, rrugëtonte disa orë për të arritur në orën 07:00 në fshatin Qa që është në kufi me Lurën, për të shkuar tek shkolla, pavarësisht kushteve të motit, pavarësisht trashësisë së të borës që binin në atë kohë”. Zoti Mziu pohoi se Hysen Ndreu ka qenë për të si etalon dhe i ka shërbyer në shumë raste standardi i tij dhe ka qenë gjetja më e mirë e Komunës për ta vlerësuar me këtë çmim. Kryebashkiaku i Kamzës falënderoi bashkëpunëtorët e këtij aktiviteti, që i dhanë Kamzës ngjyra dhe e zbukuruan sallën e Pallatit të Kulturës, një investim i rëndësishëm, dhe që i dhanë jetë më shumë qytetit. “Besoj se janë fjalë të tepërta për të folur më tej, unë kam përfituar çfarë është e vërteta nga Hysen Ndreu nga fisi Ndreu, kam përfituar nga Zall-Dardha. Reçi e Zall-Dardha kanë qenë mbështetje gjithmonë kur unë kam pasur nevojë për mbështetjen tuaj. Mirënjohje për gjithsecilin prej jush!”, – përfundoi fjalën e tij të rastit z. Mziu. Në fund të aktivitetit në fjalën e tij Hysen Ndreu falënderoi përzemërsisht të gjithë të pranishmit në aktivitet, komunën Zall-Dardhë për vlerësimin e dhënë, duke pohuar se ky ishte një nga momentet më të rëndësishme të jetës së tij.