Ide/Dinastia Gropa dhe fshati Gropa

Në këtë shkrim, siç do të shohim më poshtë, do të sqarojmë që fshati Gropa, nga doli familja Gropa, nuk është zhdukur, siç mendojnë historianët tanë, por thjeshtë ka ndërruar emrin, nga Gropa në Fusha.

Dinastia e famshme e Gropajve të Dibrës së Epërme del në skenë nëpërmjet burimeve të shkruara, që më 18 maj të vitit 1273, nëpërmjet të quajturit Pal Gropa. {Aleks Buda, Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Kristaq Pipo 1962, faqe 96-97, në artikullin 51 shkruhet: Diplomë e Karl I Anzhu me të cilën i dhuron disa feude fisnikut arbëresh Pal Gropës. 18 maj 1273. (Acta et diplomata, I, 300. Origjinali latinisht). Karli I, mbret i Siqelisë, burrit fisnik, sevastit Pal Gropës, për shërbimet e tija, i fal “fshatin Radikë të madhe (Radicis maioris), dhe Radikë të Vogël (Radicis minoris) si dhe Kovashicën (Cobashetes), Zuadigoriza-n (?), Zerqanin (Sirclani), dhe Krajen (Crayen), Zeshicën (Zessizan) të vendosur në luginën e Ebu-s (?), mjaft të mos jetë pjesë të mbretërisë sonë të Arbërisë, as të mbretërisë së Sërbisë, dhe as tokë të dhëna në prikë nga i ndyeri Mihal [në futnotë: Mihal II Engjell Komneni, despot i Epirit], despot të ndyerës Elenë, bijës së vetë, gruas së të ndyerit Manfred [në futnotë: Manfred Hohenshtaufen], dikur princ i Tarentit dhe të mos e kalojnë vlerën vjetore të katërqind perperëve… dhe t’i ketë në shërbim, në përdorim dhe në zakonet e perandorisë romeje”}.

Kristo Frashëri (2012, faqe 78), shkruan që Radikë e Madhe është Grykë e Madhe, Radikë e Vogël është Grykë e Vogël, Zuadigoriza (Zaudigorica) është Vadigorica – Vau i Gjoricës.

Këtu dalin dy gjëra: 1) Kur themi Grykë e Madhe, përfshihet në të si Zerqani, po ashtu dhe Krajka. 2)Nuk kemi pse latinizmin Zaudigorica, që e kemi shumë afër shqipes “zall di Gorica”, “zalli i Gjoricës”, ta kalojmë te sllavishtja Vadigorica – Vau i Gjoricës. Shtoj gjithashtu që Lorenzo Viezzoli S.J. në “Shqypnija njoftime gjeografike, shtetistike-administrative”, na jep dy Gjorica: Bukureshti i madh a Garica dhe Bukureshti i vogel. (sqaroj që “a”, është në kuptimin “ose”)(Viezzoli S.J 1923, faqe 57).

Giuseppe Valentini, shkruan se në fushën e toponimisë kemi një Gropa, (vend-origjina e Gropajve), në Dibër pranë Zerqanit(Valentini 1956, faqe 264, cituar edhe nga Frashëri 2012, faqe 78). Valentini shkruan se “në ditët tona në fushën e toponimisë ne kemi një Gropë në Dibër pranë Zerqanit” (1956, faqe 264).

Andrea Gropa, u bë “zhupan i madh”, me seli në Ohër, i cili rishfaqi në skenë dinastinë e familjes Gropa, pas rënies së perandorisë së Stefan Dushanit (1355), e më pas, i biri i tij Pal Gropa, i cili ishte një feudal më i fuqishëm se Pal Kastrioti (gjyshi i Skënderbeut). Pasardhësi i Pal Gropës, Zakaria Gropa, u bë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut. Gjithashtu dhe fisi Golemi është fis që ka si origjinë fshatin Gropa.

Kristo Frashëri në “Historia e Dibrës”, duke folur për zotin Pal Gropa, shkruan se Mbiemrin e tij ky sevast duket se e kishte marrë nga emri i fshatit Gropa, një vendbanim me kohë i zhdukur, i cili ka ekzistuar në rrethinat e Zerqanit(Frashëri 2012, faqe 78).

Në librin tim “Shënime studenti në diktaturë”, gabimisht kam menduar që bëhet fjalë për nënfshatin Gropa të ditëve tona, i cili shtrihet në mes të fshatit Dushej dhe Fushëbulqizë, të Bulqizës(Kica 2015, faqe 159-160).

Nga libri i Lorenzo Viezzoli S.J. “Shqypnija njoftime gjeografike, shtetistike-administrative”, nxorëm të dhënat për tre nënprefekturat që i përkasin Prefekturës së Dibrës (Nenprefektura e Dibrës        14390 banorë. Nenprefektura e Zerqanit16751 banorë. Nenprefektura e Matjes36345 banorë).(Viezzoli S.J 1923, faqe 51).

Libri i zotit Viezzoli është botuar në Shkodër në vitin 1923, por të dhënat e tij janë shumëmë të hershme. Kjo del duke krahasuar të dhënat (emërtimet dhe toponimitë) që jepen, me ato që ka shkruar Teki Selenica në “Shqipria më 1927”(Selenica 1928, faqe 494-558).

Në librin e zotit Viezzoli, jepen të dhëna për Nënprefekturën e Zerqanit16751 banorë, e cila ndahet në tre krahina (e Zerqanit7663 banorë, e Homeshit 4544 banorëdhe e Gollobordës4544 banorë).(Viezzoli S.J 1923, faqe 56).

Zona e Zerqanit (që sot përbëhet nga dy krahina), në librin e zotit Viezzoli, jepet me fshatra si dhe lagje (apo nënfshatra), me numër banorësh dhe me përkatësi fetare(Krahina e Zerqanit 4834banorë. Krahina e Bulqizës 2829 banorë. Bulqizë +Zerqan 7663 banorë) (Viezzoli S.J 1923, faqe 56).

Bulqiza përbëhej nga 4 fshatra (Gropa717 banorë, Komaj647 banorë, Lepuraku 679 banorë dhe Vajkali786 banorë).(Viezzoli S.J 1923, faqe 56).

1) Fshati Gropa përbëhej nga tre nënfshatra (lagje), Fushaj, Keca dhePertej-Zellini (Fusha, Kica, Tezalla), me gjithsej 717 banorë, 8 ortodoksë (në libër janë shënuar shkjé) dhe 709 myslimanë (në libër janë shënuar mohamedan).{Keca në vend të Kica (faqe 56); sikurse Peladhea në vend të Peladhia (faqe 56), Kejka në vend të Kijka (faqe 56), Pishkopeja në vend të Pishkopija (faqe 51). Kjo formë gjuhësore (duke përdorur “e”, në vend të “i”) përdoret dhe në ditët e sotme nga banorët e Grykës së Madhe (Zerqanit): mir – mejr, Kica – Ke(j)ca, raki – rakej, etj., etj. Ndërsa dialekti i zonës së Bulqizës përdor më shumë “a”, në vend të “i”, mir – majr, Kica – Kajca, raki – rakaj, etj., etj}. 2) Fshati Komaj përbëhej nga tre nënfshatra (lagje), Dragonaj, Kocaj, Kokerlakaj (Dragú, Koçe, Kokërdhak), me 647 banorë mohamedan(Viezzoli S.J 1923, faqe 56). 3) Fshati Lepuraku përbëhej nga katër nënfshatra (lagje), Ciraj, Dushaj, Gropa dhe Lepuraku (Qire, Dushe, Gropa dhe Lepurakë) me 679 banorë, 10 shkjé dhe të tjerët mohamedan (Viezzoli S.J 1923, faqe 56). 4) Fshati Vajkali përbëhej nga pesë nënfshatra (lagje), Ahmetaj, Alijaj, Duricaj, Salakaj dhe Surocaj (Allmetet, Aliet, Duriçet, Sallaket dhe Suroçet), me 786 banorë, të gjithë muhamedan (Viezzoli S.J 1923, faqe 56).

Shohim që Gropa na del dhe si lagje e fshatit Lepuraku, e cila ekziston po me këtë emërtim dhe në ditët e sotme, edhesi fshat Gropa me tre lagje (Fusha, Kica dhe Tezallë – tej zallit, përtej zallit), ku, me kalimin e viteve e ndërroi emrin në Fushë (i cili sot ndahet në dy nëntoponime, Fushë e Madhe dhe Fushë e vogël), ndërsa lagjia Kica dhe Tezallë kanë mbetur ashtu. Pra, fshati Gropa, sot quhet Fusha. Kjo i jep përgjigje përfundimtare vendorigjinës së dinastisë Gropa, të Dibrës së Epërme, me gjurmë shumë të mëdha dhe të fuqishme në historinë e popullit shqiptarë. Për të qenë shumë i qartë, si dhe bindës (si për vete dhe për lexuesin), që mos mendojmë që mund të kemi ndonjë gabim të zotit Viezzoli (meqenëse përmendet dy herë Gropa), mblodha numrin e banorëve të fshatrave të Bulqizës dhe Zerqanit, duke bërë rakordimet, ku gjithçka u përputh saktësisht.

Po japim dhe fshatrat e Zerqanit (me gjithsej 4834 banorë) me numrin e banorëve për çdo fshat (11 fshatra, të gjithë myslimanë), si dhe lagjet e çdo fshati,sipas librit të zotit Viezzoli (Viezzoli S.J 1923, faqe 56).Fshatrat janë: 1) Zerqania Sheh Hysenaj575 banorë, me lagjet Guri, Hydri, Katundi, Murataj dhe Tushaj. 2) Dervishaj aKrajka248 banorë, me lagjet Mahalla e poshter, Memaj dhe Xhehil Baba. 3) Godvija172 banorë. 4)Gurishta (Sopoti)717 banorë, me lagjet Kodrasi, Mustafaj dhe Prifti. 5)Jezullija a Okështuni609 banorë,me lagjet Mugllica, Oreshja, Plepaj, Predani dhe Shullani. 6)Karamishta (Safraçani)206 banorë, me lagjet Rrocaj dhe Shemaj. 7)Peladhea (Peladhia)373 banorë, me lagjet Mahalla e epër dhe Mahalla e poshter. 8)Smolliku244 banorë, me lagjet Mahalla e epër dhe Mahalla e poshter. 9)Spathani a Ternova705 banorë, me lagjet Katundi dhe Murataj. 10) Thatusha a Sterqani (Strikçani)493 banorë, me lagjet Mahalla e epër, Mahalla e mjesme dhe Mahalla e poshter. 11) Valikardha492 banorë, me lagjet Alushaj, Dervish Meta, Hoxhaj, Kejka dhe Zogu. [Jezullia a Okështuni, sot nuk i përkasin Zerqanit, por theksojmë që përdorin veshjen e Zerqanit].

Sikurse shpjeguam në këtë shkrim, fshati Gropa, që nxorri dinastinë Gropa të Dibrës së Epërme, më e fuqishme dhe me shtrirje kohore më të madhe se familja Kastrioti e Dibrës së Poshtme, nuk është zhdukur, siç mendon historia zyrtare e shtetit Shqiptar, por thjeshtë ka ndërruar emrin nga GropaFusha, pra duke mbajtur emrin e fshatit më të madh nga tre fshatrat që e përbënin atë (Fusha, Kica dhe Përtej-zalli). Sot fshati Fushë, në Bulqizë, njihet zyrtarisht si Fushë-Bulqizë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>