Ikën Çako, që të rrinë bandat

cakotahiri

I mbiquajturi nga politika dhe mediat si “Haki Droga” u largua nga posti i drejtorit të Policisë me një vendim-fletëlavdërimi prej Edi Ramës. Kryeministri u kujdes personalisht t’i thoshte publikut se Haki Çakon s’e kishte shkarkuar, por thjesht liruar, duke dhënë mesazhin e kriptuar se drejtori po ikën, që bandat të mos preken dhe që operacioni i pastrimit të magazinave të kanabisit të përfundojë pa andralla. Mosmarrja e asnjë përgjegjësia nga Drejtori i kanabizimit, pjesë e një marrëveshje që drejtësia të mos shkojë tek përgjegjësi i vërtetë, tek Edi Rama

Basha: Haki Çako “kokë turku”, kupola e drogës drejtohet nga çifti “Rama-Tahiri”

 

Me buzëqeshje dhe me një mal me lëvdata, Edi Rama ka larguar nga detyra Haki Çakon.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është liruar nga detyra me propozim të Fatmir Xhafës. Në njoftim thuhet se ministri i Brendshëm ia ka argumentuar kërkesën e tij, Kryeministrit Edi Rama, me nevojën për ritëm më të shpejtë dhe dinamikë më të madhe pune, për një lidership të ri me energji të reja. “Këshilli i Ministrave miratoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako. Ministri Xhafaj, vlerëson kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit. Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune. Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit”. Por, pyetja që lind është si mund të dërgohet në shtëpi një njeri që lëvdohet për punë të mirë? Çfarë kërkon të mbulojë Edvini duke bërë kurban Çakon? Themi kurban, pasi të gjithë e dimë se përgjegjësi kryesor i kanabizimit të vendit është Rama. Apo mos vallë largimi i Çakos është bërë me marrëveshje që ky i fundit të mos flas dhe të përmend emrin e shefit të tij? Çako në fakt duhej larguar prej kohësh, por duhet të themi gjithashtu se ajo që ndodhi me kanabisin, bashkëpunimi i policisë me krimin në ato nivele nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Çakos. Është Edi Rama përgjegjësi kryesor i kanabizimit të vendit, siç është përgjegjësi kryesor për mjerimin, varfërinë, kriminalitetin në rritje dhe korrupsionin galopant. Vetëm largimi i tij mund t’i shpëtoj shqiptarët. Destabiliteti dhe kriza e rëndë që ka përfshirë vendin mund të kalohet pa Ramën në krye të vendit. Për këtë shqiptarët po përqafojnë thirrjet e opozitës për protesta masive popullore. Shqiptarët nuk mund të luajnë më me të ardhmen e fëmijëve të tyre. Lufta kundër krimit, drogës, bandave mund të arrihet vetëm me pastrimin e Qeverisë, duke filluar nga baroni i kësaj qeverie.Përballja e Edvinit me drejtësinë është rruga e vetme e shpëtimit për shqiptarët e zhytur në varfëri ekstreme.

REAGIME/Basha: Haki Çako ‘kokë turku’, kupola e drogës drejtohet nga Rama-Tahiri-Xhafa/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e ka cilësuar largimin e Çakos si një hap të vonuar. I pyetur nga gazetarët, Basha thekson gjithashtu se Çako është një ‘kokë turku’, pasi kupola e drogës drejtohet nga Rama-Tahiri dhe Xhafa. “Informacionin po e marr nga ju. Natyrisht, nëse është e vërtetë, është një hap tejet i vonuar Është  një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi, institucionin e Policisë së Shtetit. Por pa dyshim që Haki Çako është siç ishte një “kokë turku”. Sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, nga Saimir Tahiri, siç e di gjithë bota tani, dhe natyrisht dhe nga Fatmir Xhafaj, lidhjet e të cilit me botën e krimit dhe të drogës janë të njohura katërcipërisht këtej dhe andej detit.

Paloka: Shkarkimi i Çakos, duhet larguar Edi Rama/ Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, njëherësh edhe Nënkryetar i Kuvendit, e cilësoi shkarkimin e Haki Çakos nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si “kokën e turkut” të radhës. “Është i qartë komenti i Fatmir Xhafës, i bie që Çako është larguar për punë të mirë. Po këtë absurditet vetëm në këtë qeveri mund ta dëgjosh. Po kjo ndodh se Çako është koka e turkut e radhës. Se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Ajo që ndodhi me kanabisin, bashkëpunimi i policisë me krimin në ato nivele nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Çakos dhe Tahirit. Çdo gjë është urdhëruar nga Edi Rama. Çako duhet të ishte larguar me kohë, s’duhet të dëgjonim lavdërime për të, po kallëzim penal për të. Pas të gjitha fakteve të paraqitura nga antimafia italiane, Çako duhet të ishte përpara drejtësisë”, tha Paloka i ftuar në studion e News 24. Sipas tij, edhe më naivi në këtë botë e kupton që Çako e Tahiri s’vepronin dot pa urdhrin dhe dijeninë e Ramës. “Ai buzëqesh kur shkojnë e shkarkojnë, se diçka tjetër i kanë premtuar”, tha Paloka. Kreu i grupit parlamentar të PD paralajmëroi se opozitës do t’i bashkohen edhe parti të tjera, qëllimi i vetëm i të cilave është largimi i Edi Ramës nga pushteti.  “Protesta do zhvillohet pas datës 20, me shumë gjasë data 27 janar. Të gjithë aktet e fundit kanë thelluar krizën në vend, dhe vendosmërinë e opozitës për një qëllim politik, largimin e Edi Ramës. Opozita e bashkuar sot, dhe parti që do afrohen shumë shpejt, parti të tjera jo të parëndësishme, do bashkohen për largimin e tij. Ky s’mund të qëndrojë më kryeministër i Shqipërisë”,  tha Paloka.

Shkarkimi i Haki Çakos, ironia e Vasilit: Edhe i suksesshëm, edhe e heqin/ Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar me ironi për shkarkimin e Haki Çakos. Sipas tij, zakonisht të suksesshmit në detyrë dekorohen, kurse në Shqipëri i heqin.Edhe i “suksesshëm” edhe e shkarkuan Haki Çakon. Të “suksesshmit” zakonisht dekorohen ndërsa këta i heqin. Gjithë ajo drogë pa fund në kohën e Çakos ishte një arritje e “paparë” dhe me paratë e së cilës kryeministri bleu zgjedhjet. Çfarë kryeministri mosmirënjohës, si e shiti ish drejtorin me të cilin priu dhe bë njësh me bandat dhe trafikantet në 25 qershor dhe me të cilin na vuri në faqet e para të të gjithë medias botërore”, shkruan Vasili. Ndërkohë i ftuar në tv Fax News Vasili theksoi se largimi i Haki Çakos nuk do të thotë asgjë.“Çako hapi rrugët e trafiqeve, është një person i implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës. Kjo është thjesht një marrëveshje horrllëku qeveritar që herë prishen herë pajtohen. Mos mendoni se do ndodhë ndonjë gjë pas ikjes së Çakos. Koka e krimit është vetë Kryeministri Edi Rama. Këta thjesht i hedhin hi syve opinionit publik, pasi në veprimtarinë e Çakos e demaskuam kohë më parë. Jemi njohur kudo si Kolumbia e Evropës vetëm sepse Çako lejoi kanabisin”,  u shpreh Vasili. Përsa i përket zëvendësimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së u shpreh se nuk ka pikë rëndësie se kush do të jetë në vendin e Çakos, pasi siç u përmend më lart, vetë koka e krimit është Rama.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>