Intervista/Kadare: Shqiptarët nuk do të lëkunden nga orientimi i tyre euroatlantik  

ismail-kadare

Në një intervistë të posaçme për të përditshmen e Prishtinës “Zëri”, shkrimtari Ismail Kadare thotë se ekstremizmi fetar është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj. Ndonëse mendon se mund të ketë prirje për të lëkundur themelet e orientimit euroatlantik të shqiptarëve, Kadare nuk beson se kjo do të ndodhë. Ismail Kadare, beson se shumica e kosovarëve janë kundër ekstremizmit fetar dhe se kjo dukuri nuk do të zhvendosë orientimin e shtetit më të ri evropian pro perëndimit. Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, shkrimtari i madh Ismail Kadare ka thënë se ekstremizmi fetar është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj.

Zëri: Kosova, ashtu si Shqipëria, njihet për Islamin tradicional (të moderuar), por kohët e fundit kemi shfaqjen e ekstremizmit, dhe largimin e shumë të rinjve drejt Sirisë. Si do t’i shihni ju shkaqet e kësaj dukurie?

Ismail Kadare: Unë nuk besoj se mund të ketë shkaqe fort të besueshme. Kam parë që qëndrimi ndaj kësaj dukurie është diskutuar në Kosovë, dhe unë jam me mendimin konstruktiv dhe pozitiv të shumicës së kosovarëve që nuk janë dakord me këtë (ekstremizëm), që është diçka që bie ndesh me moralin historik shqiptar, bie ndesh me një nga shkaqet e mbijetesës së këtij kombi nëpër shekuj, pra harmonia fetare, që shpjegon mosrrëzimin e tij, dhe nuk ka asnjë arsye sot që papritur të ketë një drejtim të kundërt. Unë kam besim se nuk do të ecë kjo mënyrë negative e të trajtuarit të problemin fetar në Kosovë.

Në një intervistë që unë kam zhvilluar me Bernard Kouchnerin në Shqipëri, për diferencat e jetës në Kosovë dhe Bosnje, ai më tha që kur pa se si vishen gratë në Kosovë, mendoi se ky vend ka një të ardhme. Si do ta komentonit ju këtë vëzhgim të tijin?

Unë mendoj se e ardhmja e Kosovës afirmohet nga disa shfaqje, dhe jo vetëm nga kjo. Por kjo dukuri mbetet, aq më tepër sipas tij, një dashamirës francez. Unë e njoh shumë mirë Kouchnerin dhe ia di mendimet që ka, dhe tingëllojnë shumë pozitive. Por nuk është vetëm kjo që tregon arsyen e së ardhmes së Kosovës.

Ka individë që janë kritikë për rolin ndërkombëtar në Kosovë, madje disa prej tyre kanë studiuar edhe këtu në Paris. Pra ata pretendojnë sovranitet në vend të rolit të madh ndërkombëtar. Cili është gjykimi juaj për këtë?

Unë jam për mendimin, dhe ndoshta këtu ndahen njerëzit, që sot nuk mund të krijohet një ngërç dhe kundërshtim midis idesë së sovranitetit dhe aderimit, miqësisë ndërkombëtare të Kosovës. Kosova do të ekzistojë natyrshëm në këtë botë të re të saj, brenda Evropës, dhe ky shqetësim më duket i pavend, sepse këtu do të fitojë pikërisht sovraniteti, nënkuptohet pikërisht sovraniteti, pikërisht e ardhmja e saj. Zhvillimi kulturor, ekonomik, afirmativ, kombëtar, do të zhvillohet përmes Evropës, nëpërmjet miqësisë me Evropën, nëpërmjet integrimit në Evropë.

Pritet të fillojë punë Gjykata Speciale që do të gjykojë të ashtuquajturat krimet e luftës nga disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si e gjykoni ju, a e errëson ajo luftën tonë çlirimtare?

Jo, nuk besoj se e errëson.

A po lëkunden themelet e orientimit euroatlantik të shqiptarëve?

Jo, nuk e besoj. Mund të ketë prirje për t’i lëkundur, por unë vetë nuk e besoj që do të ndodhë.

Si e shihni shtrirjen e influencës së Erdoganit në Ballkan?

Nuk i përgjigjem kësaj pyetjeje, sepse unë nuk e pranoj këtë pyetje.

Universiteti i Prishtinës u pranua në Agjencinë Universitare të Frankofonisë në cilësinë e anëtarit të asociuar. Mendoni ju që ky asociim hap mundësi të reja të bashkëpunimit ndërkombëtar, në veçanti me botën akademike frankofone?

Pa asnjë mëdyshje, e pranoj këtë gjë dhe kështu do të ndodhë

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>