Intervistë e deputetit hungarez në Serbi, Balin Pastor: Hungarezët, të gatshëm të jenë “vëllai i madh i shqiptarëve” të Luginës

Të lënë pas dore nga Shqipëria dhe Kosova, të shtypur nga Beogradi, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë filluar bashkëpunim me hungarezët e Vojvodinës me shpresë se do të arrijnë të realizojnë të drejtat e tyre elementare. Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e  Serbisë, Fatmir Hasani është pjesë e grupit parlamentar të pakicës hungareze (zv/shef i grupit), gjë që ia lehtëson mundësinë për të parashtruar iniciativa konkrete në Kuvend për çështje që tangojnë shqiptarët. Pas intervistës me z. Hasani, LajmTV ka zhvilluar një intervistë edhe me deputetin hungarez Balin Pastor, njëherit shef i grupit parlamentar të pakicës hungareze

 

Si jetojnë pakicat në Serbi, me theks të veçantë te pakica hungareze?

Pastor: Sipas regjistrimit të fundit, në Serbi jetojnë 253 mijë hungarezë. Është me rëndësi që pakica hungareze është pakica më e madhe në Serbi. Sipas Kushtetutës së Serbisë, pakicat kanë jo vetëm të drejta individuale, por edhe të drejta kolektive. Në bazë të këtyre të drejtave, ne kemi formuar Këshillin Kombëtar të Pakicës Hungareze që funksionon si kategori kushtetuese. Në bazë të ligjit ai është organi më i lartë i hungarezëve në Serbi. Përmes atij institucioni ne angazhohemi për të drejtat e pakicës hungareze. Në Kuvend jemi pjesë e shumicës qeveritare, sepse vlerësojmë që në ajo është mënyra e vetme të realizojmë interesat tona, që ligjet të jenë të tilla që u konvenojnë hungarezëve. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Partinë për Veprim Demokratik të Fatmir Hasanit. Ai është zëvendës imi në kuadër të Grupit Parlamentar. Mendojmë se secila bashkësi etnike ka problemet e veta specifike, por shumë probleme janë të përbashkëta, siç janë gjuha, arsimi…

Sa ka pushteti aktual në Serbi mirëkuptim për kërkesat e pakicave?

Shumica aktuale, ka një shkallë të caktuar të mirëkuptimit, sepse kemi lëvizur disa punë nga pika e vdekur. Para disa viteve e kemi miratuar ligjin për funksionimin e Këshillave të Pakicave Kombëtare. Është me rëndësi që kemi arritur të shfuqizohen disa vendime nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, me të cilat pakica hungareze është shpallur kolektivisht si përgjegjëse për krime lufte. Ato kanë qenë disa vendime specifike, mirëpo ne arritëm që pas shumë dekadave t’i shfuqizojmë. Kuptohet, asgjë nuk funksionon në bazë të automatizmit. Nevojiten negociata dhe argumente, nevojitet të luftojmë për ato të drejta, por edhe pala tjetër ka treguar mirëkuptim dhe kjo është me rëndësi.

Deri ku janë iniciativat për autonomi të pakicave hungareze në Vojvodinë?

Pavarësia e Vojvodinës nuk është realitet. Vojvodina është njësi e veçantë në kuadër të Serbisë. Kështu edhe do të jetë, sepse nuk ka asnjë parti, as shoqatë civile, e cila ka përkrahje të rëndësishme, e që angazhohet për shkëputje të Vojvodinës nga Serbia. ne angazhohemi për autonomi të zgjeruar të Vojvodinës në kuadër të Serbisë dhe autonomi të hungarezëve në kuadër të Vojvodinës dhe Serbisë. Sa i përket autonomisë së hungarezëve, bëhet fjalë për autonomi personale dhe kulturore në kuadër të Këshillit Kombëtar Hungarez. Angazhohemi që kompetencat e Këshillit Kombëtar të jenë sa më të gjera. Pas disa muajve, pritet të ndryshojë ligji për Këshillet Kombëtare dhe ne do të angazhohemi për zgjerim të kompetencave. Sa i përket Vojvodinës, ne angazhohemi që pas ndryshimit të Kushtetutës aktuale, ajo autonomi të jetë më e madhe. Partia jonë, Lidhja e Hungarezëve të Vojvodinës, angazhohet që me ndryshimet kushtetuese, Vojvodina të ketë autonomi legjislative, ekzekutive, e pjesërisht edhe gjyqësore.

Megjithatë ekzistojnë iniciativa për pavarësim të Vojvodinës nga Serbia, për të cilat ju thoni se nuk kanë përkrahje të madhe. Nëse ato iniciativa fitojnë përkrahje më të madhe, si do të reagojë sipas jush në atë situatë Serbia, a ekziston rreziku për tensionim ose destabilizim?

Unë nuk shoh ndonjë mundësi për tensione, sepse me të vërtetë ideja për pavarësinë e Vojvodinës nuk ka ndonjë përkrahje. Partitë ‘autonomashe’ angazhohen për autonomi më të gjerë të Vojvodinës, mirëpo nuk ka ndonjë parti që angazhohet për shkëputje. Kështu që kjo nuk është çështje reale.

Si po i pranon pushteti iniciativat për autonomi?

Është një punë e mundimshme. Duhet të shkohet hap pas hapi. Nuk zgjidhen çështjet me shkop magjik. Ajo që është tani me rëndësi dhe që duhet të miratohet së shpejti, është Ligji për financimin e Krahinës Autonome të Vojvodinës. Ky financim duhet të jetë i vendosur në baza më të forta, e jo të varet nga vullneti i Parlamentit ose qeverisë së Serbisë , siç ka qenë deri tani, por të dihet saktë se sa do të mbetet në Vojvodinë nga tatimet që paguajnë qytetarët. Sikurse më herët në kuadër të ish shtetit të përbashkët edhe tani vojvodinasit janë në mesin e taksapaguesve më të rregullt. Mendoj se është reale të pritet që përqindje më e madhe të mbetet në Vojvodinë.

Thatë se keni bashkëpunim të mirë me deputetin Hasani. Sa jeni të njoftuar me problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Serbi në përgjithësi. A keni ndërmend të ndërmerrni ndonjë iniciativë që situata e tyre të përmirësohet?

Meqë z. Hasani është përfaqësuesi i vetëm shqiptar në Kuvend, ne jemi marrë vesh që të funksionojmë në atë mënyrë që secili të ruajë pavarësinë e vetë dhe të ketë drejtë për iniciativa të veta. Mirëpo siç e thash, një pjesë e problemeve janë të përbashkëta, por duke pasë parasysh se pakica shqiptare në Serbi përballet me disa probleme karakteristike, që ne nuk e kemi. Ato para së gjithash kanë të bëjnë me situatën ekonomike. Situata ekonomike nuk është ideale as në Vojvodinë, mirëpo në Luginën e Preshevës papunësia është shumë më e madhe se në shumë pjesë të Vojvodinës. Ne angazhohemi që qeveria t’i kushtojë më tepër rëndësi atij rajoni, të sjellë investitorë, që njerëzit atje të mund të jetojnë në komunat e tyre dhe të mund të punësohen. E di që ekzistojnë probleme specifike me arsimin, me  mungesën e librave. Ky është një problem që më tepër tangon bashkësinë shqiptare, se bashkësinë hungareze. Mendoj se mënyra më e mirë për zgjidhjen e atyre problemeve është prezenca në Kuvend, ku zgjidhen çyshtjet dhe çdo ditë duhet të bisedohet për ato problem,me. Kjo do të sjellë deri te zgjidhja e këtyre problemeve…

…Serbinë po e presin zgjedhje të reja presidenciale. A ekziston rrezik që gjatë fushatës të kthehen disa tendenca radikale në Serbi lidhur me zhvillimet në rajon, sikurse që kanë ekzistuar në vitet ‘90?

Mendoj se është e qartë se z. Vuçiqi do të jetë fitue i atyre zgjedhjeve. Ne e mbështesim fushatën e tij duke pasë parasysh se jemi pjesë e shumicës qeveritare dhe duke pasur parasysh se çka është bërë 3-4 vitet e fundit. Për ne është me rëndësi që ky vend të shkojë drejt Bashkimit Evropian, të punohet në implementimin e vlerave evropiane. Kjo qeveri e ka udhëhequr shtetin gjatë këtyre viteve në atë drejtim, prandaj mendoj se duhet të përkrahet ajo kandidaturë. Për dallim prej viteve të kaluara, kur ka pasur më tepër kandidatë të fortë, kur kishte paqartësi se kush do të jetë fitues, mendoj se kësaj radhe gjërat janë më të qarta dhe dihet se si do të përfundojnë zgjedhjet. Mendoj se është në interes të pakicave që të mbështesin fituesin, sepse vetëm në atë mënyrë mund t’i realizojnë interesat tyre.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>