Ish-kryeministri akuzon Ramën se ka dhënë urdhër për lejimin e kalimit të skafeve me drogë

Berisha: Radarët i kapin gjurmët e gomoneve me drogë, por Noriega urdhëron policinë të heshtë

Në debatin e hapur ditën e djeshme për funksionimin ose jo të radarëve që janë vendosur në bregdetin shqiptar është përfshirë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Në një posti  në Facebook, Berisha ka bërë publik mesazhin denoncues të një ushtaraku, ku theksohet se policët kanë urdhër të lënë skafet me drogë që të kalojnë. Sipas ish-kreut të ekzekutivit ky pohim denoncues përgënjeshtron Noriegën dhe Haki Drogën, pasi policët, në radarët e QNOD i shohin live gjurmët e skafeve, por urdhri nga sipër fare është i prerë: të mbyllin gojën dhe sytë, e skafet të kalojnë. Në denoncim nënvizohet gjithashtu se vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako i kërkon gjurmët e skafeve me drogë vetëm kur ato kapen nga autoritetet italiane. “Prej vitesh sabotohet nga qeveria, e cila, pasi prishi kontratën, vendosja e kamerave me infrarouge, që bëjnë të mundur kapjen jo vetëm të gjurmëve, por të skafeve live me gjithë kërkesat e përsëritura për vendosjen e tyre qeveria nuk jep fondet për to sepse qeveria drejton vet trafikun”, shprehet Berisha në Facebook. Ndërkohë në mesazhin e ushtarakut theksohet gjithashtu se edhe pse gomonet e drejtuara prej njerëzve të Çakos e Ramës ngecin në radarët 10 vjeçarë, ato në fakt janë ngritur për anije e skafe metalikë. “Përshëndetje Doktor. Po ju shkruaj këtë mesazh për të sqaruar opinionin lidhur me të vërtetën e gjurmëve të Çakos. E vërtetë, Çakua kërkon vetëm gjurmët, me urgjencë nga serveri vetëm kur skafet kapen nga Italia. Të mjerët policë të kufirit kanë urdhër të prerë të mos hapin gojë kur këto gjurmë janë LIVE në QNOD e shohin njëri-tjetrin në sy e thonë se nuk u duket interesante gjurma për të mos thënë mbyllin sytë gjer në zhdukjen e saj. Për të bërë lojën e gjurmës Çakua së bashku me Ramën kanë bllokuar me qeverinë kërkesën që ushtarakët kanë bërë prej kohësh për paisjen e qendrës me kamera infra të kuqe dhe radar më të rinj. Ky sistem dhe këta radarë tashmë 10 vjeçarë, janë ngritur për anije e varka me skaf metalik e jo për gomonet e mirëinformuara të Çakos, të cilat gjithësesi ngecin me gjurmët e tyre në rrjetën e radarëve. Ndoshta me kamera, policët e Çakos s’do kërkojnë më gjurmët pas disa ditësh, por me siguri do na dalë ndonjë fytyrë “me uniformë” duke ngarkuar e shkarkuar e s’do ikin dot në drejtim të paditur”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.

Vasili: Kryeministri nuk lodhet duke mashtruar shqiptarët për drogën

Kryeministri Edi Rama deklaroi ditën e djeshme se trafiku i kanabisit do të vazhdojë edhe për një kohë të shkurtër dhe do të mbyllet në përfundim të këtij viti, por një mendim ndryshe rezervon kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili. “Kryeministri nuk lodhet së gënjyeri për drogën”, thotë Vasili në një postim në Facebook, duke theksuar se lufta antikanabis që pretendohet së fundmi është thjeshtë taktika e re me të cilën po inkurajohet kultivimi i drogës dhe rritja e kriminalitetit në vend. ‘Kryeministri e deklaronte qindra herë më parë, pa u skuqur hiç, se kishte asgjësuar 99% të drogës. Sot, Kryeministri tha që droga do të vazhdojë, por brenda vitit do ta zhdukë drogën! Drejtori i Policisë thotë nuk e kapim drogën se nuk punojnë radarët, ndërsa Ministria e Mbrojtjes thotë që radarët punojnë”, nënvizon ai. Teksa e cilëson sërisht kreun e qeverisë si “shkollëpakti”, Vasili shprehet se Rama drejton një anti-qeveri me bazë mashtrimin e popullit, si politikë e “Rilindjes”. “Ky kryeministër, që drejton këtë anti-qeveri që vetëm mashtron, jo vetëm popullin por edhe veten, e bën këtë që ta inkurajojë drogën të vazhdojë, kriminalitetin që të ndjehet i pashqetësuar dhe që policia të jetë pjesë dhe jo në luftë pa kompromis me këtë situatë tepër të rëndë. Kryeministri vegjeton e bashkëjeton me situatën kriminale dhe rrënimin ekonomik. Mashtrimi është linjë sjelljeje dhe veprimi e kryeministrit: Ka mungesë totale të rezultateve të qeverisë, por edhe vizionit të pamundur të kryeministrit, për shkak të shkollëpakësisë së tij proverbiale”, shprehet Vasili.

Brahimllari: Haki Çako nxori zbuluar kryeministrin Rama, të shkarkohet

Skandali me radarët jashtë funksionit që gjenden në bregdetin shqiptar, ka sjellë edhe një reagim të deputetit të LSI-së, Endrit Braimllari, i cili shprehet se përgënjeshtrimi që i bëri Ministria e Mbrojtjes deklaratës së Çakos, tregon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe kryeministri Rama dolën zbuluar në luftën kundër drogës. Sipas deputetit të LSI, letra e Çakos ishte një tentativë e pastër për transferimin e përgjegjësive të veta tek Forcat e Armatorura. Ai gjithashtu thekson se Rama vetëm për këtë mashtrim të madh duhet ta kishte shkarkuar Çakon menjëherë. “Haki Çako nxjerr zbuluar Kryeministrin! Ministria e Mbrojtjes përgënjeshtron gënjeshtrat e Haki Çakos për mosfunksionimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës detare. Alibia e Haki Drogës dhe e klanit kriminal që e mban drejtor, kërkon ta transferojë përgjegjësinë e vet tek Forcat e Armatosura, për të fshehur implikimin e tij të drejtpërdrejtë në situatën e rëndë kriminale të kultivimit dhe trafikimit të drogës. Sulmi i tij dhe akuzat ndaj Forcave të Armatosura, që janë krenaria jonë në NATO, janë në fakt dëshmia më alarmante e mosfunksionimit të bashkëveprimit dhe koordinimit qeverisës që është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Kryeministrit. Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, Kryeministri duhet ta shkarkojë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, shkruan Brahimllari në Facebook.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>