Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon Ramën për destabilizim të vendit nëpërmjet refuzimit të paketës “Mc Allister”  

sali-berisha

Berisha: Edi Rama ka frikë Vettingun, përbën një rrezik kombëtar

Ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook akuzon kreun e ekzekutivit Edi Rama se po pengon zbatimin e paketës “McAllister” dhe propozimet e zyrtarit amerikan Yee sepse është i frikësuar nga organet ligjore që do të ndërtohen pas votimit të Vettingut. Berisha shprehet se maska u hoq dhe prej saj del qartë që kryeministri Rama është kundër votimit të Vettingut dhe është i tronditur pasi PD dhe partitë e tjera opozitare ranë dakord për të zgjidhur krizën politike dhe për të votuar ngritjen e institucioneve të reja ligjore nëpërmjet një seance të jashtëzkonshme parlamentare. Berisha shkon edhe më tej duke theksuar se kryeministri Rama përbën një rrezik kombëtar, pasi me refuzimin e një zgjidhje politike ai po dëshmon se për karrigen personale është i gatshëm të destabilizojë vendin  e të çojë drejt një konflikti të ashpër. Sipas liderit historik të PD-së, Rama synon të shfarrosë pluralizmin dhe të vendos monizmin në Shqipëri, pasi synon të zëvendësojë opozitën e sovranit me opozitën e kartelit të drogës dhe krimit. Berisha në përfundim të shkrimit të tij i bën thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen revolucionit demokratik për zgjedhje të lira dhe të ndershme për ta rrëzuar Edi Ramën dhe bandën e tij në pushtet.

Shkrimi i plotë i Berishës:

Maska ra! Edi Rama kundër Vettingut!

Fjalën duhet t’a marrë Revolucioni!

Të dashur miq, në një ndërmjetësim dhe negociata intensive 24 orëshe, Zëvendës Asistenti i Sekretarit të Shtetit arriti të paraqesë para palëve një paketë të njëjtë, me ndryshime të pranueshme, me atë që njihet si paketa apo propozimi “McAllister”, të cilën e mbështet edhe qeveria amerikane. Opozita e bashkuar e pranoi plotësisht paketën dhe informoi për këtë vendim ambasadën e SHBA. Paketa McAllister parashikon votimin e vettingut në parlament. Këtë paketë kompromisi, e cila ishte pranuar nga Edi Rama, gjë që e konfirmoi në një deklaratë të tij të dt. 26 prill delegacioni i BE në Tiranë, dje Edi Rama e hodhi poshtë dhe e refuzoi atë. Meqënëse negociatat janë në vazhdim, nuk po ndalem në arsyet absolutisht të paqëndrueshme të refuzimit të Ramës, por vetëm po theksoj se me këtë refuzim, Edi Rama dëshmon se ai përbën një rrezik kombëtar absolut për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo së pari sepse, me këtë refuzim, ai dëshmon se është i vendosur, qoftë dhe me çmimin e një konflikti të ashpër, të vazhdojë fushatën si fantazma e Enver Hoxhës, për të varrosur pluralizmin dhe vendosur monizmin në Shqipëri. Së dyti, me këtë akt Edi Ramës i bie maska dhe del cullak si njeri që nuk e voton vettingun nga frika dhe tmerri i Sarajeve të Surrelit, pallatit 5 katësh, lidhjeve të tij të tmerrshme me drogën, vjedhjet e tij qindra milonëshe në ÇEZ dhe koncesione të tjera. Refuzimi i paketës “McAllister” nga Rama është pra refuzimi i vettingut dhe dëshmi e vullnetit të tij për të bërë vettingun vetë dhe zëvendësuar opozitën e sovranit me opozitën e tij të kartelit, pra me ato parti që i regjistroi me firma të mbledhura nga PS. Me këtë akt, çdo shqiptar apo dhe i huaj, që për një arsye apo për një tjetër besoi gabimisht gënjeshtrën bajate të Edi Ramës se opozita ka frikë nga vettingu ndaj dhe nuk e voton atë, e ka të qartë se ka besuar një mashtrim banal dhe se ai që nuk e voton vettingun nga frika dhe tmerri i tij është vetëm Edvin Kristaq Rama. Shkaku i këtij qëndrimi destabilizues antikombëtar të Edi Ramës është një dhe vetëm një: vendosmëria e tij për të vjedhur me çdo çmim zgjedhjet për shkak të humbjes absolutisht të sigurtë që e pret! Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë, në veçanti të gjithë atyre që besuan mashtrimin e Ramës, se opozita nga frika nuk e voton vettingun, të bashkohen me revolucionin demokratik për t’a hedhur Edi Ramën, këtë fantazmë të Enver Hoxhës që do me çdo çmim të varrosë pluralizmin në Shqipëri në koshin e plehrave të etërve të tij mizore!”

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>