Ish-kryeministri Sali Berisha dënon ngjarjen e rëndë të Ksamilit ku humbi jetën turistja ruse

Berisha: Ngushëllime familjes, prokuroria të vendosë autorin e ngjarjes përpara përgjegjësisë ligjore

Ish-kryeministri Sali Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Ksamil, ku një turiste 15 vjeçare nga Rusia humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra nga një mjet lundrues. Berisha i ka shprehur ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe i ka bërë thirrje prokurorisë që të vendosë përpara ligjit personin që drejtonte mjetin lundrues.  “Të dashur miq! Një ngjarje tjetër fatale dhe tronditëse ndodhi këto ditë, ku një turiste ruse, vajzë 15 vjeçare, që kishte ardhur me nënën e saj për të festuar 15 vjetorin në Ksamil. Një mjet lundrues i këputi asaj jetën dhe iku si hienë dhe e la pa ndihmë të vdekur në ujërat e Jonit. Akt makabër i ndodhur edhe më parë në Himarë me një turist tjetër rus. Me këtë rast le ti shprehim ne nënës dhe familjes së viktimës ngushëllimet më të sinqerta dhe dënojmë me forcën më të madhe krimin e shëmtuar. I bëjmë thirrje prokurorisë të vendosë me rreptësinë më të madhe para ligjit vrasësin e saj”, thotë Berisha në postimin e tij. Ish-kreu i ekzekutivit vijon më tej duke theksuar se në ujërat e brigjeve tona kanë humbur jetën 15 pushues gjatë dy muajve të parë të sezonit turistik dhe për këtë sipas tij përgjegjëse janë organet shtetërore, të cilat nuk garantojnë sigurinë e pushuesve. Ai nënvizon se mungesa e vëmendjes që po tregon qeveria për turizmin shfaq fytyrën e vërtetë të Edi Ramës dhe tregon mënyrën sesi do të qeverisë Shqipërinë në mandatin e tij të dytë. “Por theksojmë gjithashtu se këtë verë deri tani në ujërat e brigjeve tona kanë humbur jetën 15 pushues. Që të gjithë pa përjashtim për mungesë të plotë të çdo lloj kujdesi, ndihme apo kontrolli për pushuesit që kalojnë pushimet në brigjet tona. Ky është një tregues konkret i dështimit të shtetit në menaxhimin e sezonit turistik. Kjo mungesë vëmendje dhe vizioni nga qeveria e Noriegës ndaj turizmit në Shqipëri dhe fokusimi e promovimi i turizmit të kanabisit është tregues sesi Shqipëria do të jetë në 4 vitet në vazhdim. Dëmi që i shkaktohet Shqipërisë në arenën ndërkombëtare si në aspektin e turizmit, ashtu edhe në atë të sigurisë është i madh. Duke dënuar me forcën më të madhe paaftësinë e qeverisë aktuale për të garantuar sigurinë e turistëve vendas dhe të huaj në sezonin turistik, i bëj thirrje prokurorisë të vërë para ligjit të gjithë ata që nuk marrin masat e parashikuara për parandalimin e këtyre tragjedive”, shkruan ndër të tjera Berisha.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>