Ish-kryeministri Sali Berisha denoncon vendimin për rritje të çmimit të ujit  

Berisha: Rritja e çmimit të ujit është dhurata e Veliajt dhe “Timonierit” për qytetarët e Tiranës

Vendimi që parashikon rritjen e çmimit të ujit në Tiranë, e që është vendosur t’i propozohet këshillit bashkiak ditën e mërkurë nga Erion Veliaj pas miratimit nga qeveria është komentuar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook. Berisha shprehet se çmimi i ujit për kryeqytetasit do të dyfishohet dhe kjo do të jetë dhurata e parë e timonierit Rama për qytetarët e Tiranës. Ish-kreu i ekzekutivit thekson se kjo rritje dëmton rëndë buxhetin familjar dhe bizneset, ndërsa nënvizon se Shqipëria e pasur me burime ujore duhet të ndjekë shembullin e Austrisë që i siguron ujin e pijshëm falas qytetarëve të vetë. Dyfishohet çmimi i ujit! Kjo është dhurata e parë e mandatit të dytë për qytetarët e Tiranës e timonierit dhe Lal Plehut! Të dashur miq, vetëm një ditë pas denoncimit të rritjes së çmimit të ujit, njoftuar nga Rama në 10 prioritetet e 100 ditëve të para, Bashkia e Tiranës, në ujdi të plotë me qeverinë vendosi rritjen nga 100 në 200 lekë pra 100% të tarifës mujore fikse dhe rritjen nga 45 në 65 lekë të çmimit për metër kub të ujit për familjarët. Kurse për bizneset, tarifa fikse mujore dhe çmimi për metër kub rriten përkatësisht nga 100 në 200 lekë dhe nga 135 në 190 lekë. Kjo rritje rëndon ndjeshëm buxhetin familjar dhe bizneset shqiptare. Ndërkohë Shqipëria, e konsideruar Norvegji e rajonit për pasuritë ujore, jo që nuk duhet te rrisë çmimin e ujit por mund të ndjekë shembullin e Austrisë dhe të ndonjë vendi tjetër që iu sigurojnë qytetarëve të vet ujë rubineti të pijshëm falas”, shkruan ish-kryeministri Berisha në Facebook.

Olli: Rritja e çmimit të ujit është vazhdimi i politikave antitqytetare të dyshes Rama-Veliaj

Lidhur me çështjen e rritjes së tarifës së ujit nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj për kryeqytetasit ka reaguar edhe kreu i këshilltarëve të Partisë Demokratike në bashkinë e Tiranës, Leonard Olli. Ai shkruan në Facebook se me rritjen 100% të tarifës bazë të ujit kemi të bëjmë me një abuzim të pastër në kurriz të qytetarëve. Olli është i ashpër në reagimin e tij teksa nënvizon se qytetarët po njihen me fytyrën e vërtetë të dyshes Rama-Veliaj, që synon të vendosë diktaturën e urisë. “Fytyra e vërtetë e Rama-Veliajt vijon të shfaqet frikshëm nga dita në ditë. Rritja e tarifës së ujit, një abuzim i pastër në kurriz të qytetarëve dhe shpërdorim detyre nga ana e Veliajt është vetëm vazhdimi i politikave antiqytetare. Në absurditet të plotë me krizën e ujit dhe furnizimin që u bëhet qytetarëve e bizneseve Veliaj propozon rritjen me 100% të tarfiës bazë dhe me mbi 30% për sasinë e ujit të konsumuar nga familjarët e më shtrenjtë për bizneset. Grabitje dhe zhvatje e paskrupullt! E keqja nuk ka fund. Ndërsa show nën moton “Ç’ don populli bën partia” vijon për sy e faqe lart e poshtë, e realiteti i hidhur provon se motoja është e qartë: Skllevër binduni pa kushte. Partia dhe shteti saj bëjnë çfarë duan!”. Diktatura e urisë në sulm frontal!”, shkruan Olli në Facebook.

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>