Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh ngushëllimet familjarëve të të rinjve që humbën jetën në bregdetin e Vlorës

ALBANIA-KOSOVO-DIPLOMACY-INTERVIEW

Berisha: Ditë zije për Vlorën dhe turizmin shqiptar, Rama fyen viktimat me cinizmin e tij

Lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi në bregdetin e Vlorës, ku brenda një dite humbën jetën katër të rinj, ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook i ka shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të tyre. Berisha shprehet se kjo ditë duhet të jetë një ditë zie për Vlorën dhe turizmin shqiptar.  “Të dashur miq, sot është një ditë zie për Vlorën dhe turizmin shqiptar. Në bregdetin e Vlorës, Zvërnec dhe Uji i Ftohtë kanë humbur jetën në ujë katër pushues; një djalë 14-vjeçar në Ujë të Ftohtë dhe në Zvërnec, dy vajza nga Vlora dhe një djalë shqiptar nga Maqedonia, që flijoi jetën në përpjekje për shpëtimin e tyre. Me këtë rast, le t’u shprehim të dashur miq, ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve dhe të lutemi që shpirti i tyre të gjejë paqen e merituar. Ngushëllime!”, shkruan ish-kryeministri Berisha në Facebook. Ndërkohë më vonë gjatë ditës së djeshme ish-kryeministri Sali Berisha, reagoi ashpër ndaj postimit të kreut të qeverisë Edi Rama, ku krenohej për betonizmin e brigjeve të Dhërmiut e njëkohësisht tregonte indiferencë totale për katër jetë të rinjsh të humbura në bregdetin e Vlorës. Berisha nëpërmjet një postimi në Facebook ka shprehur indinjatën e tij ndaj cinizmit të Edi Ramës, i cili sipas tij ka fyer viktimat ende pa u mbushur 24 orë nga ngjarja e rëndë e ndodhur në bregdetin e Vlorës. “Rama fyen të vdekur dhe të gjallë! Për të, zia e të tjerëve nuk ekziston! Në vend të ngushëllimit për familjet e katër viktimave, për t’iu lehtësuar sadopak dhimbjen e madhe dhe zinë, Edvin Kristaq Rama të duket sikur ka zgjedhur t’u thotë atyre, vlonjatëve e shqiptarëve se unë kam qejfet e mia dhe nuk më plasi se u mbytën ata. Ai mburret me cinizëm me qejfin që po shijon në Dhërmi duke postuar sot pamje të Gjirit të Gjipesë. Me këtë akt cinik Rama ngjet më i zi se zia!”, shprehet i indinjuar ish-kryeministri Berisha.

Shoqata e Turizmit: Situata kaotike me plazhe, faji i decentralizimit të dështuar

Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike ka reaguar ashpër ndaj çështjes së sigurisë së plazheve, pas ngjarjes së bregdetit të Vlorës, ku u mbytën 4 pushues në Vlorë. Shoqata teksa përcjell ngushëllimet familjarëve thotë se kjo ngjarje është e dhimbshme si për familjarët dhe për turizmin tonë. “Është e dhimbshme sepse u bënë gati 2-3 vjet që rojet bregdetare mungojnë në plazhet tona, detyra e të cilëve është pikërisht menaxhimi dhe ruajtja e pushuesve që notojnë në ujrat tona detare apo liqenore. Jo se po të vihen rojet, do shmangen 100% aksidente të tilla fatale, por jemi të sigurt që do minimizohen. Ky kaos ligjor e menaxherial vjen prej heqjes së kompetencave të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) dhe kalimi i tyre drejt Bashkive e Komunave të vendeve bregujore. Qeveria aktuale vendosi të krijojë për herë të parë AKB, një agjenci qendrore që do menaxhonte situatën kaotike të plazheve. Më në fund do të kishim edhe ne në plazhet tona rojet bregdetare dhe kullat e vrojtimit, ndarje të zonave ku lejohej noti dhe ku lundrimi i mjeteve lundruese, pastrime të përditshëm të ujit e rërës, dushe, banjo, dhoma zhveshje, sinjalistika, ndarja dhe respektimi i plazhve private nga ato publike etj etj. Gjithë këto masa, u bënë gati 3 vjet që nuk i kemi, sepse iniciativës dhe ides së mirë të krijimit të AKB nuk ju shkua deri në fund, me justifikimin e çuditshëm që pas 1 viti pune me shumë sinjale pozitive, u zbulua që aktiviteti i AKB na shkelka “decentralizimin e shenjtë”, prandaj duhet të kthehemi në origjinë, ose edhe më keq, në një situatë as mish as peshk, ku s’merret vesh kush është përgjegjës për çfarë. Dhe për fat te keq kur ndodhin tragjedi të tilla kujtohen të gjithë të lëvizin ndonjë gur sa për emergjencë dhe për të kaluar radhën”, thuhet në njoftimin e shoqatës së turizmit.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>