“Jo sulmeve politike, punojmë me përkushtim dhe integritet”

Konferenca e gjyqtarëve, në unison kundër akuzave të politikës

Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare u mblodh të enjten me nismën e më shumë se 1/3 së anëtarëve të tij për të shqyrtuar situatën e krijuar kohët e fundit pas deklaratave dhe qëndrimeve të politikes lidhur me punën, problemet dhe performancën e pushtetit gjyqësor. Në një deklaratë të lëshuar pas takimit ky Këshill shpreh shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve, në lidhje me disa deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve. “Deklarata të tilla vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme të gjyqtarëve” – thuhet në deklaratë duke theksuar se nuk duhet harruar se shumica e gjyqtarëve në ushtrim të funksionit të tyre janë të përgjegjshëm e punojnë me përkushtim e integritet, duke përballuar tensionet e një pune delikate e voluminoze, pavarësisht se përballë tyre janë çdo ditë njerëz që kanë probleme me ligjin, persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, palë në konflikte civile me njëri – tjetrin, shtetin, etj. Gjyqtarët shprehen në unison se etiketimi i masës së përgjithshme të gjyqtarëve dhe identifikimi i tyre në tërësi me fenomenet negative e vështirëson punën e çdo gjyqtari, cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe dëmton misionin e dhënies së drejtësisë. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore, thotë se distancohet qartësisht dhe dënon me forcë çdo shfaqje korruptive në sistemin e drejtësisë. Ai i bën apel institucioneve dhe organeve shtetërorë të të gjitha pushteteve, medias e opinionit publik që të kontribuojë për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të shëmtuar që cenon rëndë interesat e shtetit dhe të qytetarëve. Kjo luftë kërkon masa e veprime konkrete, ndaj personave e individëve përgjegjës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin, pa bërë përgjithësime denigruese. Për këtë çështje mund të mblidhet në të ardhmen edhe Konferenca Gjyqësore Kombëtare.