Kadare: Shqiptarët, nga të rrallët kombe që kanë Dëshmorët e Gjuhës

Në një intervistë për periodiken gjermane Die Welt, shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare flet rreth lirisë së letërsisë në kohë tiranike, si dhe për veçantitë që paraqiti mbijetesa e shkrimtarëve në diktaturën më të egër komuniste të Evropës

 

Shkrimtari Ismail Kadare e ka vendosur Shqipërinë në hartën e letërsisë botërore. Ai ka dhënë një intervistë për gazetën konservatore gjermane “Die Welt” mbi besnikërinë ndaj atdheut dhe lirinë e letërsisë në kohë tiranike. “Asnjë shkrimtar nuk shkruan veprat për vetveten dhe aq më pak letërsia krijohet nga një komb për një komb specifik. Edhe sikur Anglia të kërkonte që Shakespeare të ishte i gjithë i saj – nuk është në duart e anglezëve për të vendosur. Letërsia u takon të gjithëve. Ajo është universale”, thotë Kadare, librat e të cilit janë përkthyer në 50 gjuhë të botës.

Lidhur me pyetjen se pse në 1990, ai kërkoi azil në Francë, Ismail Kadare shprehet: “Franca për Shqipërinë dhe për shumë popuj të tjerë të Ballkanit ishte një burim inspirimi për çlirimin historik nga Perandoria Osmane. Kronikat e vjetra tregojnë që në Shqipëri madje ‘Marseillaise’ këndohej si këngë patriotike. Unë kërkova azil, pasi nuk kisha më shpresë te presidenti i atëhershëm Ramiz Alia. Ishte një kohë kur shumë shqiptarë mendonin se Ramiz Alia do bëhej një Gorbaçov shqiptar”.

Shqipëria totalitare nuk e deshi për dy arsye Nënë Terezën

Gjatë vitit të kaluar u shpall e shenjtë Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila në gjithë botën njihet si Nënë Tereza. Në lidhje me këtë Kadare shprehet: “Në kohën kur Nënë Tereza vlerësohet në gjithë botën, në Shqipëri ajo kalon në heshtje dhe së fundi demaskohet. Shqipëria komuniste nuk e deshte Nënë Terezën për dy arsye. E para sepse ajo ishte besimtare, e dyta sepse ajo paraqitej si pjesë e botës perëndimore. Presioni ishte shumë i madh, që ajo kurrë të mos vizitonte të afërmit në Shqipëri. Madje as të vendoste lule në varrin e anëtarëve të familjes së saj”.

Die Welt: Ju jetoni në Francë. Ju keni gjithashtu një lidhje me Gjermaninë?

Kadare: Dy – tre udhëtimet që i kam kryer para përfundimit të komunizmit, nuk e kam vizituar Gjermaninë Lindore, por Gjermaninë “kapitaliste”. Shqipëria historikisht ka pasur ndjenja pozitive ndaj gjermanëve dhe Gjermanisë. Unë besoj se këtu ka shumë falenderim. Aq intensivisht që janë marrë shkencëtarët gjermanë me gjuhën shqipe; nuk jemi marrë as ne vetë shqiptarët. Pas dekretit të Perandorisë Osmane për ndalimin e gjuhës shqipe, ajo mori simbolin e dëshmorit për ne shqiptarët.

Die Welt: Përpara tre vitesh presidenti turk Erdogan e paraqiti Kosovën si “Turqi”!?

Kadare: Kjo shprehje për mua është e njohur. Për këtë vetëm mund të them, që nuk iu besoja syve kur lexova rreth saj”, e përmbyll intervistën Ismail Kadare.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>