Kamëz, s’ka pushime për Xhelal Mziun, vazhdon në krye të punëve, inspekton punimet në infrastrukturën rrugore

rruga-mesonjetorja

Drejt përfundimit ndërtimi i segmenteve rrugore “Mësonjëtorja” dhe “Migjeni” në lagjen 5 Kamëz, nyje të rëndësishme lidhëse midis lagjeve të qytetit

Si çdo vit, Bashkia Kamëz vazhdon me intensitet kryerjen e investimeve në infrastrukturë. Kryebashkiaku Xhelal Mziu vazhdon të jetë në krye të punëve, duke i inspektuar nga afër investimet e këtij viti dhe duke kërkuar realizimin në kohë të punimeve.
Pas inspektimeve në rrugën “Elez Isufi” në lagjen nr. 1 Bathore, një rrugë me të gjitha standardet, kryebashkiaku Mziu ka vijuar turin e inspektimeve në të tjera investime të Bashkisë, që vijojnë të realizohen ditë pas dite, edhe pse është sezon veror dhe temperatura maksimale.
Kryebashkiaku Mziu inspektoi punimet për ndërtimin e rrugës “Mësonjëtorja” në lagjen nr. 5 Kamëz, investim që është drejt përfundimit. Kryebashkiaku Xhelal Mziu gjatë ndjekjes së punimeve, theksoi se Bashkia do të vazhdojë të realizojë investimet e parashikuara për këtë vit. “Janë më shumë se 50 projekte konkurruese që do të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës urbane të qytetit. Ashtu si edhe vitet e kaluara, Bashkia Kamëz, duke u mbështetur vetëm në të ardhurat e veta, po realizon investime publike në infrastrukturën rrugore dhe në infrastrukturën nëntokësore në të gjitha lagjet e qytetit”, – thotë z. Mziu. Pjesë e këtyre ndërhyrjeve në infrastrukturë është edhe ndërtimi i rrugës “Mësonjëtorja”. Rruga do t’i shërbejë një numri të konsiderueshëm banorësh të kësaj lagjeje, duke lehtësuar kështu kalimin në këtë rrugë, si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ka inspektuar edhe punimet që po kryhen në rrugën “Migjeni”, e cila ndodhet në lagjen nr. 5 në Kamëz, rrugë e cila përbën një nyje të rëndësishme, sepse bën lidhjen e bulevardit “Berisha” me rrugën “Besëlidhja” që kalon në Bathore. Me këtë investim të Bashkisë Kamëz merr zgjidhje edhe problemi i kalimit nëpër këtë rrugë, sidomos gjatë reshjeve, kur ka vështirësi qarkullim në të. Përveç banorëve të zonave që lidh kjo rrugë, ajo u shërben nxënësve që të shkojnë në shkollat e lagjeve përkatëse. Kështu, banorëve të lagjes nr. 5 Kamëz do t’u shtohet edhe një investim tjetër, me ndikim të madh social. Rruga “Migjeni” do të asfaltohet tërësisht, duke i ardhur në ndihmë një pjese të madhe të qytetarëve të kësaj lagjeje të qytetit të Kamzës.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>