Katër mendime lidhur me anatominë e revoltës dhe rolin e intelektualit

Intelektuali dhe frika – Them këtë vend e kanë tradhtuar intelektualët, e në anën tjetër intelektual nuk mund të konsiderohet ai i cili nuk guxon të shprehë mendimin, apo edhe ai i cili ka bërë kompromis me frikën. Përpiqem gjatë kohë të gjej një sqarim logjik në këtë jologjikë të ngjarjeve dhe mendoj për egoizmin dhe pangopësinë e njerëzve. Gjithë kohën, në sfond të shëtitjes brenda mendjes, çdo herë e më shumë vazhdojnë të më shoqërojnë diskutimet e miqve lidhur me mundësitë për emigruar dhe filluar një jetë të re në perëndim.

Anatomia e revoltës – Kur brenda shoqërisë franceze shpërtheu pakënaqësia e masave të varfra afro-arabe dhe të gjithë po merreshin me pasojat, filozofët dhe teoricienët politikë merreshin me shkakun. Bernard Eduard-Broun qasjes së tij i dha emrin “Anatomia e revoltës”. Ai tutje u morr me ata që parasupozohej se ishin të thirrur të paralajmëronin gjendjen më parë, intelektualët. Mbase nuk është për tu çuditur motivi që e karakterizoi kudo, për të shpërfaqur atë që e quan “tradhti e intelektualëve”. Sigurisht, intelektualët kanë një shtrëngesë sa herë që tërhiqen nga të kontribuarit dhe lëshojnë vendin pseudo-elitave që vrapojnë të jenë intelektualë. Të tillët një sukses e arrijnë, balancojnë diferencat duke zbritur nivelin e intelektualëve dhe kështu të gjithë bëhen të njëjtë, ajo që zhduket është vetëm shtresa e mesme sociale.

Hero ai që qëndron apo ai që ikën? – Rikthehet dilema me të cilën janë ballafaquar intelektualë në Gjermaninë e viteve të 30-ta. A është moralisht më shumë hero Martin Heidegger që qëndroi në Gjermani, apo ata që ikën ? Mbase përgjigja është diku në mes. Intelektualët si Mainacke dhe Jacpers, arritën mjaft zhdërvjellshëm të plasojnë kritikën duke qëndruar. Megjithatë, hero, për shumë kë i pa meritë i shoqërisë së re gjermane bëhet Berthold Brecht, intelektual që kishte ikur, kurse do të bëhet lider i mendimit të ri gjerman, ngase jeta në ekzil e kishte mbajtur të papërlyer. Egzilin e kishte mundësi edhe Sokrati, por atij nuk i shkoi mendja të zhvleftësojë kauzën për të cilën e dënuan, qoftë edhe me shpëtimin nga vdekja.

Intelektualët në shërbim të pushtetit – Kur një shoqëri merr teposhtën, fajtori ka humbur përgjithmonë brenda masës. Duke diskutuar për Holokaustin, Jacpers kundër-argumentoi akuzat që vinin nga HanahArrendt, duke i mëveshur fajin vetëdijes kolektive. Në fakt, autoritetet kanë gjetur kudo çelësin perfekt të komoditetit, përvetësojnë intelektualët. Njëjtë vepron Kina që nga vitet 60-të ku detyrë e shpallur e partisë është veç tjerash lumturia e intelektualëve. Kështu sigurohet jetëgjatësia politike. Intelektualët në anën tjetër bëhen pjesë e politikës ditore, fatkeqësisht si patericë pushteti jo rrallë herë. Filozofia, por jo vetëm ajo, duhet sqaruar këto dukuri, por edhe të artikulojë qartë kritikën. Mendimtarët lehtë bëhen objekt i keqkuptimit dhe pa qëllimin e tyre shërbejnë jo rrallë si inspirim për të keqen. Edhe Musolini e keqkuptoi Nietzschen.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>