Kauza e fortë morale dhe praktike, e promovimit të demokracisë

Bush Signs Andean Trade Preference Act

Institucionet demokratike janë shpresa më e mirë për njerëzimin, duke përfshirë edhe Lindjen e Mesme. Stabiliteti i lindur nga tirania është një stabilitet i rremë. Eshtë një pazar i pabarabartë, në të cilin dikush shtyp dikë tjetër. Kur njerëzit nuk kanë asnjë mënyrë për të ndryshuar sundimtarët e tyre në mënyrë paqësore, revolucioni mund të jetë i vetmi kurs në dispozicion. Reforma është më mirë, dhe gjithçka që mund të bëjmë për të inkurajuar dhe këmbëngulur për ndryshimin, vlen të bëhet.

Ekziston një argument i fortë moral dhe praktik, për promovimin e demokracisë. Në harkun e gjatë të historisë, ne e dimë se demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën. “Paqja demokratike” është e dukshme. Sot, askujt nuk i vjen keq që Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar për të ndërtuar një Gjermani dhe Japoni demokratike, pas Luftës së Dytë Botërore. Të dy këta vende kishin qenë agresorë kundër fqinjëve të tyre, dhe nuk kishte garanci se ata nuk do të ishin përsëri. Asnjëri prej këtyre vendeve nuk kishte patur përvojë me demokracinë, dhe nevojitej kohë që institucionet të zinin rrënjë. Por ne qëndruam pranë tyre, dhe tani ata ndihmojnë për të formuar themelet e paqes dhe prosperitetit ndërkombëtar. Askush nuk vë në dyshim sot, se përhapja e demokracisë në pjesën më të madhe të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, dhe ngritja e vendeve të lira në Evropën Lindore, kanë qenë të mira për botën. Në vitin 2016, Freedom House rendiste 145 nga 195 vende si “të lira” ose “pjesërisht të lirë”. Kjo është një arsye për të festuar, edhe nëse ka pasur disa pengesa dhe sprapsje përgjatë rrugës. Është lajm i mirë që kaq shumë vende respektojnë popullin e tyre dhe u japin njerëzve një zë në punët e shtetit. Lajmi edhe më i mirë është se ata janë kryesisht paqësorë – Japonia nuk sulmon fqinjët e saj, duke preferuar të angazhohet në organizata ndërkombëtare. Tokio është një nga donatorët më të mëdhenj të ndihmës së huaj sot në botë. Brazili nuk strehon terroristë; Gana nuk punëson fëmijë ushtarë; Koreja e Jugut nuk angazhohet në trafikimin njerëzor, të sponsorizuar nga shteti. Këto shtete demokratike dhe të tjerët, besojnë dhe mbështetin një sistem ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit. Shtetet e Bashkuara kanë interes real, pra, që të shohin rritjen e numrit të tyre. Promovimi i demokracisë ka qenë i suksesshëm dhe është me kosto efektive. Nëse pyetni publikun se sa para shpenzojmë për ndihmën e huaj, do të merrni vlerësime të fryra. Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se mesatarja e të anketuarve mendonte se ishin rreth 26 përqind e buxhetit federal. Në fakt, shifra është më pak se 1 përqind (ose një total prej rreth 35 miliard dollarë në vit). Nga kjo, afërsisht gjysma shkon drejt përmirësimit të qeverisjes dhe mbështetjes së atyre që luftojnë për liri. Përpjekjet tona janë mbështetur nga organizata efektive dhe efikase si Fondacioni Kombëtar për Demokraci, i krijuar në vitin 1983 nga Presidenti Ronald Reagan. FKD përbëhet nga katër qendra që ofrojnë ekspertizë bipartizane, për avokatët e demokracisë në mbarë botën. Qendra Amerikane për Solidaritet Ndërkombëtar të Punës angazhohet me lëvizjet e punëtorëve, të tilla si ato që luajtën një rol të rëndësishëm në Poloni dhe Tunizi. Qendra për Ndërmarrje Private Ndërkombëtare punon me komunitetet e biznesit, të cilat shpesh shërbejnë si kundërpeshë për qeveritë në vendet autokratike dhe madje, edhe demokratike. Instituti Kombëtar Demokratik dhe Instituti Republikan Ndërkombëtar përfaqësojnë dy partitë tona kryesore politike, në punën me qytetarët anembanë botës, për të ofruar trajnime se si të organizojnë parti dhe të drejtojnë fushata. Dhe ne kemi një numër organizatash joqeveritare zbresin në terren për të monitoruar zgjedhjet dhe trainuar avokatët e të drejtave të njeriut, parlamentarët, gazetarët, dhe të tjerët që mbrojnë lirinë në vendet e tyre. Këto përpjekje ndihmojnë për të mbështetur avokatët për liri fetare dhe politike, në vendet që ende sundohen prej tiranëve. Nëse demokracia është në recesion në të gjithë botën, ne duhet të bëjmë çdo përpjekje për ta ringjallur atë. Sidoqoftë dyshoj, se paralajmërimet e tmerrshme për perspektivat e saj rrjedhin pjesërisht nga pritshmëritë e njerëzve, se marshimi i demokracisë do të ishte linear – një vijë e drejtë drejt progresit. Por siç e kemi parë, ka pasur ulje dhe ngritje. Megjithatë, vlen të festohet për trajektoren e përgjithshme. Vetëm disa dekada më parë, Evropa Lindore ishte bllokuar pas Perdes së Hekurt dhe liria dukej një perspektivë e largët. Një formë dominuese e qeverisjes në Amerikën Latine ishte junta ushtarake. Kishte pak sisteme shumëpartiake në Afrikën Nën-Sahariane. Dhe pothuajse askush, a dijetarët, as udhëheqësit dhe popujt e rajonit – nuk flisnin për demokracinë në Lindjen e Mesme.

Pra, ndërkohë që Rusia, Turqia dhe Egjipti na dekurajojnë, Kili, Liberia dhe Tunizia duhet të na frymëzojnë. Dhe ne mund ta pranojmë se për çdo disident të burgosur në Kinë apo Iran, është dikush tjetër i gatshëm të flasë, pavarësisht kostos. Dhënia e zërit për ata që s’kanë zë, është një kauzë morale për një vend – Amerikën – që bazohet mbi një ide: se liria njerëzore është burim i dinjitetit dhe progresit njerëzor. Dhe kjo s’mund të jetë, e vërtetë për ne, por jo për ata.

Shkëputur nga libri “Demokracia: Histori nga rruga e gjatë drejt lirisë”. Përkthimi në shqip u publikua së pari në “bota.al”

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>