Kompanitë kineze përballen me rregullat e punës në SHBA

Punëtorët amerikanë të një prej kompanive më të mëdha kineze të prodhimit të xhamit po përpiqen të organizohen në një sindikatë, në fabrikën e tyre në shtetin amerikan Ohio. Kompania kineze “Fuyao Glass” erdhi në Dayton të Ohio-s dy vjet më parë, duke sjellë edhe 600 milionë dollarë për rinovimin e një fabrike të mbyllur të prodhimit të makinave. Investimi i shtoi rreth 2 mijë vende të reja pune ekonomisë lokale dhe rriti aksionet e kompanisë Fuyao në tregun e xhamave të makinave amerikane.

Por, fabrika është gjobitur për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. “Mënyra e punës në Kinë nuk është njësoj me tonën. Në Kinë, punojnë shtatë ditë në javë dhe bëjnë çfarë u thuhet. Këtu në Amerikë, ka rregulla dhe udhëzime që duhet t’i zbatosh. Nëse nuk i zbaton, futesh në telash”, thotë Larry Yates, punëtor i kompanisë “Fuyao”. Të dhënat federale tregojnë se inspektorët e Departamentit të Punës kanë qenë në këtë fabrikë më shpesh se sa në fabrika të tjera të ngjashme amerikane. Kompania është gjobitur deri më tani me 100 mijë dollarë për shkelje rregullave të sigurisë dhe të shëndetit. Zoti Yates beson se tashmë ka ardhur koha që punëtorët të bëhen pjesë e Sindikatës së Bashkuar të Automobilëve (UAW). “Nëse sindikata përfshihet, do të na ndihmojë për ta parë më të sigurtë vendin e punës. Do të fitonim edhe një zë në tryezën e negocimeve”, thotë zotit Yates. Presidenti për Amerikën i kompanisë “Fuayo”, Jeff Liu, thotë se kompania bashkëpunon plotësisht me të gjitha inspektimet për sigurinë dhe ndreqjet e sugjeruara. Ai thotë se filozofia e kompanisë reflekton tiparin amerikan të mbështetjes tek vetja dhe jo atë të organizimit kolektiv. “Në Amerikë, ne flasim për ëndrrën amerikane. Cila është ëndrra amerikane? Është që të mbështetesh tek forcat e tua. Nuk ndihmon të mbështetesh tek të tjerët. Pra, nëse është një palë e tretë, nuk do të funksionojë. Ne do të bëjmë çfarë dimë të bëjmë më mirë”, thotë zoti Liu. Kompania po kërkon mënyra se si të plotësojë boshllëkun ndërmjet një kompanie kineze dhe një komuniteti amerikan. Njerëzit njëkohësisht po vëzhgojnë nëse kompania i përkushtohet zonën së Dayton-it, dhe nëse kujdesen për njerëzit që punësojnë. Kompania po financon një aktivitet lokal bamirësie prej 1 milion dollarësh, për të demonstruar përkushtimin e saj ndaj komunitetit. “Flasim për përplasje kulturash, apo jo? Shumë kompani amerikane krijojnë fondacione filantropie. Për një kompani, pjesëmarrja në aktivitetet e komunitetit dhe të bamirësisë është një detyrim moral, si dhe një përgjegjësi sociale”, thotë kryetari i kompanisë, Dewang Cao. Punonjësi Wendel Rutledge thotë se megjithëse është në dijeni të bamirësisë, ai do të preferonte më tepër të ndihmohej për të paguar shkollën e vajzave të tij. Por, ai nuk mendon se një sindikatë do të ishte zgjidhja. “Për çfarë duhet sindikata? Rregullat janë rregulla. Ato nuk janë kudo njësoj, por këtu është Amerikë. Herët apo vonë, të gjithë duhet të mësohen të jetojnë sipas rregullave dhe mënyrës së jetesës së këtushme”, thotë zoti Rutledge. Iniciatorëve të sindikatës iu duhen firmat e 30% të punëtorëve që duan të vetëorganizohen. Kompania ka krijuar ndërkohë një komision për sigurinë, ku paraqiten shqetësimet e punëtorëve, si dhe rriti këtë vit rrogat e punëtorëve me 2 dollarë në orë më shumë.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>