Konfindustria kundërshton Ramën: S’keni studim për financimin në formën PPP të Rrugës së Arbrit, i papranueshëm

Qeveria dhe kryeministri Edi Rama zbarkuan në fundjavë në Dibër për të prezantuar një projekt 3D të Rrugës së Arbrit, për të cilën premtuan si katër vite më parë se do ta përfundonin deri në përfundim të mandatit qeverisës. Por mënyra e financimit që qeveria ka zgjedhur për të ndërtuar këtë aks rrugor, është kundërshtuar nga Konfindustria. Sipas njoftimit të bërë publik nga Konfindustria thuhet se mobilizimi i afërsisht 300 milionë eurove , në këtë projekt janë shtim i borxhit të lartë publik që qeveria ka akumuluar gjatë katërvjeçarit të shkuar. “Financimi në formën e PPP të projektit të rrugës së Arbrit pa studim të plotë të efektivitetit ekonomik është i papranueshëm”, theksohet në njoftim. Më tej ekspertët e Konfindustrisë i kujtojnë qeverisë së Edi Ramës se fqinjët tanë maqedonas kanë vendosur në dyshim vlefshmërinë financiare të projektit, nga i cili dyshja Rama-Gjiknuri priten të grabisin disa miliona euro. “Qeveria e Maqedonisë qartësisht shprehu para disa ditësh, se zgjatimi i Rrugës së Arbrit në territorin e saj nuk përligjet ekonomikisht dhe si rrjedhim nuk do të investojë. Sa më sipër vë në dyshim gjithë vlefshmërinë financiare të projektit. Qeveria e Shqipërisë duhet të paraqesë para miratimit nga Kuvendi disa variante të projektit në fjalë shoqëruar me studimet ekonomike përkatëse varësisht vendimeve te të tretëve”, thuhet më tej në deklaratën e bërë nga Konfindustria. Ata gjithashtu shprehin shqetësimin për mungesën e plotë në buxhetin 2018 të studimeve të vlefshmërisë ekonomike si domosdoshmëri për përzgjedhjen e projekteve të investimeve kapitale në interesin më të mirë publik nga Kuvendi i Shqipërisë. Në paketën e kërkesave për buxhetin 2018, Konfindustria vlerëson, se mungesa e projekteve të përgatitura nga institucionet shtetërore dhe mbështetja terësore në propozimet e “pakërkuara” të sektorit privat, krijon kushtet për vendimarrje populiste në përfitim të ngushtë politik. Kjo skemë e PPP që qeveria ka vendosur të aplikojë në këtë mandat të dytë qeverisës për veprat publike që pretendon të ndërtojë sipas ekspertëve krijon mundësinë ligjore për shpërdorim fondesh dhe korrupsion masiv me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas Konfindustria, kjo është më e dukshme në investimet e mëdha infrastrukturore, zonat e mbrojtura mjedisore me pasoja afatgjata të renda për buxhetin dhe ekonominë kombëtare.

Buxheti 2018/ Eksperti Xhepa: PPP-të “1 miliardëshe” të qeverisë rrezikojnë financat e vendit/ Qeveria dhe kryeministri kanë prezantuar së fundmi projektbuxhetin për vitin fiskal 2018, duke u shprehur me superlative dhe duke theksuar se do të ketë investime serioze që do të nxisin rritjen ekonomike të vendit. Por nuk është i të njëjtit mendim eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, i cili ka deklaruar në një intervistë për Monitor.al se pritshmëritë duhet të jenë modeste për buxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas Xhepës, situata nuk duket entuziaste në lëmin e shpenzimeve dhe mbështetjes për bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë. I pyetur lidhur me autorizimin nga qeveria të mbi 9 miliardë financimeve për koncesionet PPP, Xhepa ka theksuar se kjo është një minë me sahat për ekonominë vendase dhe do të rrisë borxhin publik në shifra alarmante. Sipas tij buxheti i shtetit shpenzon sot rreth 350-400 milionë euro për shërbimin e borxhit dhe me planifikimin në të ardhmen të një shume edhe më të lartë pagesash, barra e pagesave të interesave dhe borxheve të maturuara do të tejkalonte edhe shifrën e investimeve publike. “Projekti i njohur si “1 billion”, ku qeveria do të koncesionojë në formë partneriteti publik-privat projekte publike në vlerën e 1 miliard dollarëve, ngre shqetësime serioze sa u takon efekteve që këto borxhe të nënkuptuara publike do të kenë mbi stabilitetin e financave publike të vendit. Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese. Buxheti do të rrezikohej seriozisht, prandaj gjykoj se qeveria duhet ta rimendojë seriozisht këtë projekt. Rreziku i dytë serioz janë procedurat aspak transparente të prokurimit të projekteve të kësaj natyre. Siç e nënvizoi së fundmi edhe një shqetësim i Bankës Botërore, Shqipëria ka probleme serioze në kontrollin e korrupsionit. Projekte si ky nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë më shumë hapësira abuzuese dhe korrupsion”, nënvizon me shqetësim ai. Eksperti Xhepa ka kritkuar edhe vendimin e rradhës të qeverisë për të ulur pragun e TVSH-së deri në 2 milionë lekë të xhiros vjetore, duke thënë se kjo skemë do të falimentojë bizneset e vogla. Ulja e pragut të TVSH-së në kufirin e xhiros vjetore prej 2 milionë lekësh, nga 5 që është aktualisht, do të rezultojë në një përfshirje në skemën e administrimit të një numri shumë të madh tatimpaguesish, që efektivisht do ta bëjnë skemën joeficiente dhe që më tepër do të prodhojë kosto se sa përfitime ekonomike. Kostot e shtuara të biznesit në mbajtjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave të rimbursimit, bashkë me moskreditimin në afatet e shpejta kohore, do të bëjnë që shumë biznese të vogla të falimentojnë. Po kështu, Këshilli i Ministrave ka kërkuar të marrë kompetenca mbi politikën fiskale, të cilat sipas Kushtetutës janë prerogativë e Parlamentit”, thekson Xhepa.

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>