Kongresi Amerikan analizon autoritetin e presidentit për sulm bërthamor

trump

Presidentët amerikanë kanë autoritetet absolut për të autorizuar goditje bërthamore si kundërpërgjigje, por jo si masë parandaluese. Kështu shprehen ish-zyrtarë të lartë të Pentagonit që dhanë dëshmi dje në Kongres. Ligjvënësit po analizojnë autoritetin presidencial lidhur me sulmet bërthamore në një kohë kur retorika mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior është acaruar: Ashtu si paraardhësit e tij, Donald Trumpi mund të japë urdhër të momentit për goditje bërthamore. Disa kongremenë shprehin shqetësim: “Jemi të shqetësuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara ka sjellje të paqëndrueshme, sa që mund të japë urdhër për ndonjë goditje bërthamore që nuk do të ishte në shërbim të interesave kombëtare të Amerikës,” thotë Senatori Chris Murphy. Ligjvënës të tjerë mendojnë ndryshe: “Kur bëjmë zgjedhje, një nga temat që analizojnë votuesit që zgjedhin presidentin e Shteteve të Bashkuara është se sa besim meriton ky individ që të ketë nën komandë kapacitetet bërthamore të vendit,” thotë Senatori republikan Marco Rubio. Zoti Trump është shprehur shpesh me përçmim në adresë të udhëheqësit koreano-verior dhe ka bërë kërcënime të hapura. “Do të ndeshin në zjarr dhe furi si s’ka parë ndonjëherë bota”. “Shumë amerikanë kanë të njëjtin shqetësim se fjalët bombastike të presidentit mund të kthehen në një realitet bërthamor,” thotë Senatori demokrat Ed Markey. Një gjeneral në pension shpjegon se si mund të përdoret arsenali bërthamor amerikan: Gjeneral C.Robert Kehler, ish-komandant ushtarak, komanda strategjike amerikane: “Sistemi kontrollohet nga njeriu. Asgjë nuk ndodh në mënyrë automatike,” thotë ish-komandanti i Komandës Strategjike Amerikane. Sistemi mundëson zbatimin e menjëhershëm të urdhërave të presidentit për të goditur, nëse vendi është sulmuar me armë bërthamore. Por çfarë ndodh nëse presidenti do të ndërmarrë një sulm parandalues bërthamor. “Në këtë rast do të bëhej fjalë për luftë në bazë të përkufizimit kushtetues. Në rrethana të tilla, luftën e shpall Kongresi,” thotë Brian McKeon, ish-nënsekretar i mbrojtjes. “Nuk do të jetë presidenti, i vetëm, që bind një oficer të vetëm që kap telefonin pasi bie zilja. Në proces përfshihen një numër i madh këshilltarësh që japin mendim,” thotë Peter Feaver i Universitetit Duke. Megjithë këto garanci, demokratët kanë hartuar një projekt-ligj që kërkon nga presidenti të sigurojë nga Kongresi autorizim për shpallje lufte para se të urdhërojë një goditje bërthamore. Republikanët paralajmërojnë se nuk duhet të krijohen mëdyshje në skenën globale lidhur me kapacitetin bërthamor të Amerikës dhe gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur kërcënimeve: “Çdo fjalë që është thënë sot këtu në këtë seancë do të analizohet në Phenian dhe koreano-veriorët do të përpiqen të shohin se si ne, amerikanët e trajtojmë këtë temë,” thotë Senatori republikan James Risch. “Sinjale që ndryshojnë ose në kundërshtim me njëri-tjetrin ndikojnë tek aftësia për të parandaluar sulem nga kundërshtarët tanë,” thotë Gjenerali Robert Kehler. Për herë të fundit, autoriteti presidencial lidhur me armët bërthamore u analizua 40 vjet më parë gjatë Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>