Kremtohet Kurban-Bajrami në të gjithë vendin, harmonia e paqja nuk e gjejnë kryeministrin  

Besimtarët myslimanë në mbarë vendin festuan dje Kurban-Bajramin, festën simbol të sakrificës. Nga Lezha e Shkodra, në Ultësirën Perëndimore, Delvinë e Çamëri, ngjyrat e festës ishin ngjyrat kombëtare, dhe jo veç ngjyrat e manifestimeve fetare. Kremtimet gjetën urimet e politikanëve dhe bekimin e zanës mbrojtëse të shqiptarëve, gjithashtu, hasën edhe ngërçin dhe paaftësinë e qeveritarëve, për të mundësuar harmonizimin e kremtimit, me mobilizimin popullor të besimtarëve

 

Qindra besimtarë myslimanë u mblodhën në sheshin “Skëndërbej” orët e para të mëngjesit për të falur Kurban Bajramin. Përpara besimtarëve, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj, bëri thirrje për më shumë dashuri dhe solidaritet mes njëri-tjetrit. “Le ta shfrytëzojmë këtë ditë të begatë duke u gjendur më afër njerëzve në nevojë, duke forcuar lidhjet farefinsore, duke falur dhe mirëkuptuar gabimet e njëri-tjetrit, duke respektuar më shumë të moshuarit tanë, duke gëzuar me dhurata dhe përkëdhelje fëmijët tanë, duke kontribuar për të mirën tonë të përbashkët sepse vetëm me këtë mënyrë mund të fitohet kënaqësia e Zotit. Le të lutemi të gjithë së bashku në këto ditë të shenjta të Kurban Bajramit që të mbretërojë paqja, solidariteti, respekti, harmonia dhe dashuria mes njerëzve pa dallim dhe përjashtim. Zoti na përcjelltë vullnetin dhe ndjesën e sakrificës për të përhapur të mirën dhe të bukurën dhe jo të keqen dhe të shëmtuarën, të përhapim paqen dhe sigurinë mes njerëzve dhe jo konflikt dhe përçarje,  të përcjellim shpresë dhe dashuri dhe jo pesimizëm dhe urrejtje. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ndërsa për Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra, kjo festë ka një rëndësi shumë të madhe në këto kohë. Në këtë ditë, besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë. E për t’ju përmbajtur kësaj fryme solidariteti, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka vendosur që drekën e Kurban Bajramit ta shtrojë për të moshuarit që jetojnë në azilin e pleqve në Tiranë.

Kurban Bajrami në rrethe

Festa e sakrificës dhe nderimit të vullnetit të profetit Muhamed është kremtuar nga besimtarët myslimanë në mbarë vendin. Që në orët e para të mëngjesit ata u janë drejtuar xhamive të qytetit ku kanë kryer ritualet e festës. Kurban Bajrami në Kukës dhe Lezhë besimtarët falën namazin në ambientet e xhamive. Në këtë ditë feste, qytetarët kërkojnë shëndet, dashuri dhe më shumë paqe për të afërmit e tyre. Kurban Bajrami është kremtuar në Durrës dhe Elbasan në xhami si dhe në sheshet e qyteteve. Besimtarët e Lushnjes e kanë kryer ritin e faljes së namazit në qendrën e qytetit. Ndërkohë në Berat, qytetin e një mbi një dritareve, Kurban Bajrami u festua në pedonale. Me lagjen simbolike ‘Mangalem’ në  sfond, qindra besimtarë myslimanë kryen ritet fetare të kësaj feste. Në festën e Kurban Bajramit besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre ndaj Allahut duke bërë kurban dhe duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë.

Lezhë/Kurban Bajrami bashkon në festë myslimanë e katolikë

Festa e Kurban Bajramit është festuar në një mënyre të veçante në Lezhë, duke bashkuar së bashku myslimanë e katolikë. Në sheshin para xhamisë u vendosën artistet e vegjël të Qendrës Kulturore të Fëmijëve dhe biznese që krijuan një atmosfere ndryshe. Aty u bashkuan të gjithë e kjo për ta ishte diçka e veçantë. Kjo mënyrë të festuari është thjesht ripërtëritje e një tradite që ka ekzistuar shumë më herët. Kështu e ka vlerësuar këtë organizim Marçel Lacaj, përgjegjës i Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Përfaqësuesit myslimanë e katolikë të Lezhës janë angazhuar për të vijuar në këtë harmoni fetare e per ta bërë akoma më të veçantë Lezhën. Otavio Vittale: Ne do të ndihemi gjithmonë të bashkuar me Zotin dhe para njerëzve. Agim Tereziu: Ne si klerikë jemi të angazhuar seriozisht që kjo tolerancë do të ngrihet në stade më të larta. Kjo tradite e bukur për të festuar së bashku të krishterë e myslimanë ka nisur që për festën e Pashkëve, iniciativë kjo që është ndërmarrë nga Bashkia Lezhë.

Festa në Shkodër/Lutje për besimtarët myslimanë që pritën Kurban Bajramin në luftë

Festa e Kurban Bajramit edhe këtë vit nisi me ritualin e faljes në sheshin qëndror të Shkodrës. Besimtarët myslimanë shënuan kështu nisjen zyrtare të festës, ndërsa nuk mungoi mesazhi i përfaqësuesit të myftinisë Shkodër, Lavdrim Hamja, i cili i kushtoi një pjesë të ligjeratës së tij vendeve që këtë Bajram po e presin në lufte e ditë të vështira. Ai kërkoi që të gjithë të kontribuojmë për paqen e për ditë më të mira. “Sa herë që njerëzimi ecën në rrugën profetike të të dërguarve të Zotit jeton në paqe dhe harmoni me vëllain e tij njeri dhe sa herë që njerëzimi ka devijuar dhe devijon prej kësaj rruge marrëzia dhe çmenduria njerëzore nuk ka njohur kufi.Luftra të tëra e gjakderdhje makabre janë shkaktuar prej njeriut që nuk njeh Zotin dhe nuk beson në të.Po të llogarisim bilancin e luftrave botërore, shkaqet dhe pasojat e tyre patjetër do të bindemi se kur njeriu nuk njeh Zotin e tij bën shkatërrime e derdh gjak në tokë saqë as shejtani i mallkuar nuk bën gjëra të tilla. Miliona e miliona të vrarë prej dy luftrave botërore dhe Zoti na ruajt që të mos ndodhë ndonjë konflikt tjetër. Edhe sot që flasim, po ndodhin maskra, persekutime dhe krime njerëzore ndaj popullsisë myslimane në Ruanda. O Allah ne të lutemi ty për paqen, dashuri dhe harmoni në mesin tonë dhe mbarë botën”.

Pas faljes, besimtarët myslimanë i janë drejtuar shtëpive ku kanë kryer kurbanin, traditë e këtij Bajrami. Kurban Bajrami është festa e sakrificës dhe e flijimit, por edhe festa e kujdesit ndaj njëri- tjetrit përmes dhurimit.

Kurban Bajrami në botë – Pelegrinët e Haxhit ‘gjuajnë djallin me gurë’

Besimtarët në mbarë botën kanë festuar ditën e djeshme Kurban Bajramin. Vëmendja ishte e fokusuar kryesisht në Pelegrinazhin e Haxhit ku u krye riti i goditjes së djallit me gurë, ndërsa festime pati edhe në vende të tjera përfshirë Egjitpin, Palestinën, Jordaninë dhe Afganistanin. Miliona besimtarë myslimanë të mbledhur për pelegrinazhin e Haxhit në qytetin e shenjtë të Mekës, kryen ritualin e përvitshëm të ‘gjuajtjes së djallit me gurë’ për të shënuar fillimin e festimeve të Kurban Bajramit. Për ritualin pesë ditor, në zonën e shenjtë kanë udhëtuar afro 2.3 milionë pelegrinë nga mbarë bota. Kjo është një detyrë e shenjtë, ku çdo besimtar mysliman i cili mund t’a përballojë koston e udhëtimit, duhet t’a kryejë të paktën një herë në jetë. Besimtarët myslimanë palestinezë në Jeruzalem dhe Gaza falën namazin mëngjesin e së premtes. Në qytetin e vjetër të Jeruzalemit, besimtarët u mblodhën në xhaminë Al-Aqsa. Ndërkohë, Presidenti i Palestinës, Mahmud Abaz si dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë e mbajtën lutjen në afërsi të godinës presidenciale. Në fjalën e tij, lideri palestinez uroi të gjithë besimtarët për paqe dhe begati. Besimtarët në Egjipt dhe në Jordani pasi faljes së namazit, uruan për më shumë paqe dhe begati për të gjithë qytetarët e vendeve të tyre. Megjithatë, si rrallë herë, pjesë e urimeve ishin edhe stabiliteti ekonomik për shkak të vështirësive të shumta në aspektin financiar. Shkurtimet në energji elektrike, masat shtrënguese të prezantuara nga qeveritë e dy vendeve si dhe rezervat e pakta ushqimore bënë që qytetarët në fjalën e tyre të urojnë begati edhe në këtë aspekt.

Kurban Bajrami u festua edhe në Afganistan, ku pas faljes së namazit, besimtarët kryen edhe sakrificat që janë simboli i kësaj dite.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>