Kreu i opozitës Basha uron ish-presidentin Sarkozi për rezultatin në zgjedhjet rajonale

basha ne bruksel

 

 

“Inkurajues për të djathtën në Europë dhe burim shprese e optimizmi për Francën”

 

Kreu i Partisë Demokratike i ka dërguar një mesazh urimi, ish-presidentit të Francës, liderit të Partisë së qendrës së djathtë, UMP, Nicolas Sarkozy, për rezultatin e arritur në zgjedhjet rajonale. Në mesazhin e dërguar Sarkozy, Basha shkruan se fitorja e raundit të parë është domethënëse dhe do të konfirmohet dhe në raundin e dytë. “Kam kënaqësinë e madhe t’ju uroj për fitoren në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale dhe të shpreh besimin tim se kjo fitore në këto zgjedhje të rëndësishme për Francën e më gjerë, do të konfirmohet plotësisht në raundin e dytë. Rezultati i arritur nga UMP nën drejtimin tuaj është domethënës dhe një akt besimi i qytetarëve francezë ndaj projektit tuaj, si një burim shprese dhe optimizmi për Francën”, thuhet në mesazhin e Bashës. Më tej ai i shpreh Sarkozy optimizmin që sjell fitorja e partisë së tij në raundin e parë, për të djathtën kudo në Europë. “Ky rezultat është inkurajues për të djathtën dhe qendrën e djathtë kudo në Europë, edhe në vendin tim, dhe një inkurajim për të ecur përpara me programet tona dhe ofertën tonë për qytetarët që ka në qendër zhvillimin ekonomik, punësimin, sigurinë dhe dinjitetin e qytetarëve tanë përmes lirisë së sipërmarrjes, taksave të ulëta, sundimit të ligjit dhe qeverisjes së vogël e të përkushtuar ndaj njerëzve. Me përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet e mia dhe të Partisë Demokratike për një rezultat sa më pozitiv edhe në raundin e dytë”, përfundon mesazhi i liderit të PD-së për Sarkozy.