Kreu i PD Basha gjen mbështetje të jashtëzakonshme, mes rinisë shkodrane

basha-ne-shkoder

Basha: Bashkimi i Madh i 18 shkurtit do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira e të ndershme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi nga sheshi “2 Prilli” në Shkodër se më 18 shkurt nis lëvizja popullore për zgjedhje me standarde e qeveri të qytetarëve. Ai deklaroi se PD është gati për të qeverisur, por së pari duhet garantuar që zgjedhësit do të votojnë të lirë

 

Kreu i PD-së, Lulzim Basha zgjodhi të ftoj qytetarët shkodranë t’i bashkohen protestës së 18 shkurtit në Tiranë. Ditën e djeshme, Basha udhëtoi në Shkodër, ndërsa bëri apel që shkodranët dhe gjithë shqiptarët t’i bashkohen lëvizjes së madhe të shpresës. Krye demokrati tha përpara Shkodranëve se ka marrë fund koha e mashtrimeve dhe krimineleve, ndërsa garantoi se zgjedhje me banditë siç po synon qeveria nuk do të ketë. Koha kur kriminelet bëhen deputetët apo kryebashkiakë ka marrë fund dhe krimi do të përballet me drejtësinë, duke shkuar pas hekurave shtoi Basha. Qeverisja e demokratëve do të jetë krejt tjetër vijoi kreu i PD Basha, gjatë fjalës së tij përpara të rinjve e të rejave demokrate të Shkodrës. Për të rinjtë oferta e Bashës është stazhi i paguar për 10 mijë të diplomuar në vit, por gjithashtu do të ketë mbështetje të veçantë për idetë dhe kreativitetin e tyre, që sjellin mirëqenie dhe zhvillim. Kreu demokrat theksoi se zgjedhjet e lira e të ndershme sigurojnë ndryshimin e madh në vend.“Erdha për këtë takim me rininë shkodranë, me demokratët shkodranë, me qytetarinë shkodrane, për t’i ftuar ditën e shtunë në orën 12:00, në bashkimin më të madh popullor që ka njohur Shqipëria në 27 vite. Erdha për një takim por po më prisni me një manifestim madhështor që tregon se Shkodra si gjithmonë është gati t’i prijë ndryshimit dhe ndryshimi po vjen. Koha e mashtrimeve po mbaron, koha e batakçinjve po mbaron, koha e kriminelëve po mbaron. Po vjen ora e shkodranit të ndershëm, po vjen ora e shqiptarit të ndershëm. Për katër vite me radhë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë janë braktisur, janë harrur, janë vjedhur, shkelur dhe nëpërkëmbur në dinjitetin dhe pasurinë e tyre, janë zhgënjyer nga premtimet për 300 mijë vende pune, taksa të ulëta, çmime të ulëta, energji e shëndetësi falas, që nuk u bënë kurrë realitet. Realiteti është krejt ndryshe, një Shkodër e tërë, një Shqipëri e tërë e zhytur në depresion ekonomik për shkak të taksave të larta, çmimeve të energjisë dhe karburanteve më të lartat në rajon, e mbi të gjitha për shkak të një qeverie arrogante, hajdute dhe bërë palë me krimin”. Basha gjithashtu theksoi se rilindja e Ramës pasi vodhi dhe zhvati pasuritë e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, sot po kanë frikë të përballen me gjykimin e qytetarëve me votë të lirë e të ndershme.“Ndaj kanë bërë pakt me krimin për të ndaluar të drejtën themelore të demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj kanë bërë pakt me kriminelët, me banditët për të vjedhur, zhvatur votën e shqiptarëve, por le ti themi sot nga Shkodra e të shtunën në Tiranë, që zgjedhje me banditë nuk do të ketë, që banditët, krimi, të korruptuarit, nuk do të marrin dot peng vullnetin e shqiptarëve. Anembanë Shqipërisë ku kam qenë këto ditë, ku kam takuar njerëz, qytetarë, pensionistë, sipërmarrës e mbi të gjitha të rinj dhe të reja, kam parë dhe dëgjuar me veshët e mi, kam parë dhe kam prekur, jo vetëm mjerimin, hallet e njerëzve por edhe shpresën dhe besimin që po ngrihet si nga hiri”. Basha theksoi se ndryshimet që kanë ndodhur përreth nesh, padyshim që po ndikojnë edhe shtëpinë tonë, ndërsa nënvizoi refuzimin dhe reagimin që po bëjnë qytetarët karshi të keqes. “Diçka e madhe po ndodh në Shqipëri, diçka e madhe po ndodh anembanë vendit tonë. Njerëzit po refuzojnë  dëshpërimin, njerëzit po refuzojnë të keqen. Njerëzit kanë vendosur të bashkohen dhe unë dhe Partia Demokratike do t’i prijmë këtij bashkimi më 18 shkurt. Me 18 shkurt nis një lëvizje e madhe popullore, lëvizje e shpresës dhe besimit se Shqipëria dhe Shkodra do të jenë ndryshe”. Basha gjithashtu u premtoi të rinjve stazh të paguar në momentin qe PD do të marr pushtetin. “Studentët shkodranë, të rinjtë shkodranë që sot kanë vetëm një rrugë, atë të largimit nga Shqipëria, në qeverisjen e ardhshme do të kenë një vit stazh të paguar nga taksat e shqiptarëve që sot vidhen dhe shpërdorohen nga një grusht hajdutësh. Dhe kështu, do t’i shërbejmë një ekonomie që punëson, një të nesërme të sigurt për çdo shqiptar, do t’i shërbejmë paqes sociale. Nuk do të ketë më kryefamiljarë apo të rinj dhe të reja që zgjohen me ankth dhe bien të flenë me ankth. Shqipëria e të nesërmes do të jetë një Shqipëri e paqes, e harmonisë, e punës dhe e mirësisë për çdo shqiptar. Njerëzit do vlerësohen sipas punës dhe meritës. Nuk do jetë Shqipëria jonë Shqipëria ku kriminelët bëjnë para dhe pushtet, bëhen deputetë dhe kryebashkiakë dhe shtypin e zhvasin qytetarët e pafajshëm. Shqipëria që do ndërtojmë sëbashku, do jetë Shqipëria e drejtësisë ku ç’do qytetar dhe qytetare, ku çdo i ri dhe e re, ku çdo shqiptar do ketë mundësinë që në bazë të punës dhe kreativitetit të tij, të ndërtojë, të realizojë, të sigurojë mirëqenie, të ndërtojë të ardhura të mjaftueshme për të jetuar me dinjitet, ai, ajo, dhe fëmijët e tyre. Ndërsa kriminelët dhe krimi do përballen me forcën e hekurt të ligjit. Ju jap fjalën se bandat dhe qeveritarët e korruptuar kanë vetëm një të ardhme: Përballjen me drejtësinë dhe prapa hekurave të drejtësisë. Rinia është një rrezik i madh për krimin dhe qeveritarët e korruptuar sepse ka energjinë, idetë dhe idealizmin për t’u përballur dhe për të fituar. Nga ky shesh historik ku Shkodra shënoi historinë e re të demokracisë shqiptare me rininë shkodrane dua t’i jap mesazhin, çdo të riu e të reje, anembanë Shqipërisë, se Shqipëria që po vjen do jetë mbi të gjitha Shqipëria e ëndrrave tuaja, Shqipëria e rinisë shqiptare. Të gjithë bashkë, do bëjmë të mundur që ëndrrat tuaja të mos nëpërkëmben më. Që ju mos të harroheni e mos të braktiseni më kurrë”. Në përfundim, kreu demokrat ripërsëriti thirrjen për bashkim, ndërsa çdo qytetar do të marr në dorë fatin e vendit të tij. “Zgjedhjet e lira e të ndershme janë fundi i qeverisë së korruptuar, janë fundi i bandave. Më 18 Shkurt, të Shtunën në orën 12, Shkodra dhe Vlora, Korça dhe Durrësi, Gjirokastra dhe Elbasani, Fieri, Lushnja, Kavaja dhe gjithë Shqipëria bashkohet në Tiranë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për të diktuar me fuqinë e bashkimit një qeveri të qytetarëve dhe një ndryshim për jetën e ç’do shqiptari. Një ndryshim pozitiv për jetën e ç’do shqiptari. Kjo që po nisim nuk është thjesht rruga drejt rrotacionit politik. Kjo është një lëvizje popullore që njëherë e përgjithmonë do diktojë politikën në shërbim të njerëzve, politikën në shërbim të qytetarëve. Ndaj, le ta japim edhe nga Shkodra mesazhin që po dëgjohet në ç’do cep të Shqipërisë. Le t’i themi shqiptarëve se frika ka vdekur këtu në Shkodër, dhe se kurajoja qytetare do marrë në dorë fatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, fatin e Shqipërisë, fatet e çdo shqiptari duke nisur nga bashkimi i madh të shtunën me datë 18 Shkurt në Tiranë”, tha Basha.

FRPD e Lezhës ftohet të protestojë më 18 shkurt në Tiranë/ Rinia duhet të jetë pjesë dominuese në protestën e opozitës me 18 shkurt në Tiranë, pasi ka shumë arsye për t’u ngritur kundër kësaj qeverie. Me këtë mesazh ju është drejtuar të rinjve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Lezhë nënkryetarja e FRPD-së së Shqipërisë Benedeta Syku. Ajo i ka ftuar për t’u bashkuar në Tiranë më 18 shkurt. Edhe kryetari i PD Lezhë, Paulin Marku, bëri thirrje për bashkim. Benedeta Syku:  “PD i ka rrënjët tek rinia ku ka fillesat e veta. Dua të besoj që më 18 shkurt do të jemi më shumë në Tiranë. Kemi  një mijë të këqija, pse duhet të protestojmë

Demokratet e Lezhës u kanë bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 18-shkurtit në Tiranë në mbrojtje të votës së lirë.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>