Kreu i PD, Lulzim Basha takon qytetarët e Vlorës dhe bën thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 18 shkurtit

basha

Basha: Populli i Vlorës është braktisur nga “kryedeputeti” i tij, Edi Rama

 Lideri i PD: “Sot vetëm një grusht njerëzish gëzojnë frytet e ‘Rilindjes’. Pushtetarët dhe kriminelët e lidhur me ta, janë pasuruar në këto katër vite mbi djersën e njerëzve të thjeshtë. Bashkimi mbarëpopullor i 18 Shkurtit do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në 27 vite pluralizëm”

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë pasdites së të hënës është ndalur në qytetin e Vlorës, ku në kuadër të përgatitjeve për protestën e 18 shkurtit zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit. Basha mori një sërë idesh dhe sugjerimesh lidhur me protestën që do të mbahet këtë të shtunë në Tiranë dhe që sipas tij është vetëm fillimi i një lëvizje mbarëpopullore. Për liderin e opozitës shqiptare lëvizja që do të nisë nga bashkimi popullor do të sjellë një ndryshim të madh në vend. Papunësia ishte tema më e nxehtë e diskutuar midis kryedemokratit Basha  dhe të rinjve të Vlorës e pasi dëgjoi e njohu shqetësimet e tyre mbi këtë çështje, ai i ftoi të ngrenë njëzëri problemet e tyre përpara Kryeministrisë më 18 shkurt, ku do të nisë edhe lëvizja mbarëpopullore, e cila do të shtrihet në gjithë Shqipërinë. “Sapo kam mbaruar një takim të jashtëzakonshëm me rininë vlonjate, e cila është e angazhuar si asnjëherë më parë për t’i prirë bashkimit mbarëpopullor të 18 Shkurtit, që do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në 27 vite pluralizëm”, tha Basha. Ai i ftoi të gjithë vlonjatët të bëhen pjesë e lëvizjes për ndryshimin e Shqipërisë, pasi qeveria e Ramës i zhgënjeu duke mos mbajtur premtimet për 300 mijë vende pune apo për shëndetësinë falas. Përfitoj nga rasti ti ftoj të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e Vlorës të bëhen pjesë e këtij bashkimi. Ata që pritën më kot 300 mijë vende pune, ata që shpresuan shëndetësi falas, ata që donin të dërgonin djemtë dhe vajzat e tyre në universitete më cilësore me tarifa të përballueshme, e dinë fare mirë pas katër vitesh se vende të reja pune nuk ka, se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, dhe se të çosh fëmijët në universitet është më e shtrenjtë. Taksat janë rritur, faturat e energjisë janë më të larta, të ardhurat kanë rënë, po kështu edhe fuqia blerëse”, deklaroi lideri i opozitës. Kreu i demokratëve u shpreh se Vlora e 2017-ës është më keq, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit i cili gëlon, por edhe për shkak të lidhjes së qeverisë me bandat e krimit dhe drogës. Basha nga Vlora u shpreh se vetëm pak njerëz gëzojnë frytet e “Rilindjes” pasi kryeministri është investuar personalisht në vjedhjen e taksave dhe marrjen në mbrojtje të oligarkëve miliarderë. Ai gjithashtu akuzoi drejtëpërdrejtë kryeministrin Rama, që është edhe deputeti i parë i qarkut të Vlorës si fajtorin kryesor për mjerimin ekonomik dhe mungesën e shpresës tek populli i qytetit bregdetar. “Sot vetëm një grusht njerëzish gëzojnë frytet e “Rilindjes”. Pushtetarët dhe kriminelët e lidhur me ta, janë pasuruar në këto katër vite, kanë vënë pasuri miliona euroshe mbi taksat, mbi gjakun, mbi djersën e njerëzve të thjeshtë. Populli i Vlorës është i braktisur nga kryedeputeti i saj. Populli i Vlorës është më i braktisuri, më i harruari në mjerimin ekonomik, në probleme dhe në brengën e madhe, hallet e mëdha, mungesës së ndihmës ekonomike, pensioneve të pamjaftueshme, faturave të larta, mungesës së shpresës dhe mundësisë për nesër”, theksoi Basha. Për ti dhënë fund braktisjes nga qeveria, kryedemokrati Basha i kërkoi vlonjatëve, që të mos kenë frikë për të kërkuar atë çfarë i takon. Ai nënvizoi se ndryshimi vjen përmes njerëzve, përmes guximit dhe lirisë dhe sipas Bashës është rinia motorri i çdo lëvizje madhështore. “Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare, që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për ti thënë ndal arrogancës së pushtetit, për ti thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”, pohoi kreu i PD-së. Basha nuk e anashkaloi aspak çështjen e votës së lirë dhe zgjedhjeve të ndershme duke deklaruar se Vlora do të flasë me zë të lartë dhe falë zgjedhjeve të lira që do të sigurohen falë bashkimit më 18 shkurt do t’i kthehet në shërbim qytetarëve. “Nuk do të ketë votime por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë . Vlora e braktisur nuk do të jetë më e braktisur dhe e harruar por do ti kthehet vlonjatëve, do ti kthehet qytetarëve me votë të lirë dhe të ndershme. Dhe që ta sigurojmë këtë, me 18 Shkurt i ftoj të gjithë vlonjatët të jenë pjesë e bashkimit më të madh, e bashkimit më të madh të shqiptarëve në 27 vjet”, nënvizoi më tej Basha.

Basha në Facebook: Vlora është qyteti më i gënjyer dhe i braktisur nga qeveria Rama/ Takimin me të rinjtë dhe qytetarë të Vlorës, Basha e vlerësoi si tepër frytdhënës edhe nëpërmjet një postimi në Facebook, ku thekson se përdorimi i Vlorës si eksperiment betopni nga Edi Rama ishte shfaqja e një arrogance dhe makutërie që dëmtoi rëndë turizmin në qytetin bregdetar. “Dje mbasdite isha në qytetin e Vlorës. Bisedova me një grup të rinjsh dhe u përshëndeta me vlonjatët nëpër rrugët e qytetit. Vlora u përdor si eksperiment për shijet prej betoni të Edi Ramës, i cili me kapriçot dhe arrogancën e tij dëmtoi rëndë turizmin e qytetit. Vlora është sot qyteti më i gënjyer dhe më i braktisur nga qeveria. Le të #NgrihemiBashkë më #18Shkurt kundër harresës, shpërfilljes dhe arrogancës”, shkruan Basha në Facebook.

Video e shpërndarë nga Basha: Doktori i Shkencave proteston më 18 shkurt, sepse ndihet i zhgënjyer dhe i mashtruar nga qeveria/ Pas videos sensibilizuese të shpërndarë nga Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku një prind, i cili kishte humbur djalin falë neglizhencës në spitalet e propaganduar si të sigurtë nga Qeveria Rama, një tjetër video është publikuar ditën e djeshme ku një Doktor i Shkencave shpjegon arsyen e pjesëmarrjes në protestën e 18 shkurtit. Aleksandri është Doktor i Shkencave në pension dhe ka vendosur të bëhet zëri i protestës qytetare të organizuar nga opozita, sepse ai është i zhgënjyer nga qeveria që nuk rriti pensionet në katër vite. “Jam Doktor i Shkencave, sot në pension. Kam një jetë të tërë në shërbim të atdheut. Këto 4 vite, pensionet nuk kanë lëvizur! Si detyrim qytetar dhe si detyrim intelektual marr kurajon të ngre zërin dhe të dal e protestoj për t’u bashkuar me qindra-mijëra qytetarë të tjerë, që janë të zhgënjyer dhe të mashtruar nga kjo qeveri”, thotë ai në video-mesazh.

Kreu i opozitës, urdhër deputetëve: Të gjithë në bazë për organizimin e protestës/ Teksa na ndajnë vetëm pak ditë nga protesta e lajmëruar nga opozita për tu mbajtur në datën 18 shkurt,  është Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili vijon të japë porositë e tij për protestën. Më konkretisht lideri i opozitës ka kërkuar nga deputetët e tij që të jenë të gjithë në bazë për organizimin e kësaj proteste, e cila pritet të jetë paqësore, por me një pjesëmarrje masive. “Protesta masive do të jetë ndryshe nga herët e tjera”, mësohet se i ka thënë Basha deputetëve. Ndërkohë kryedemokrati Basha në takimet e tij parapërgatitore me qytetarët e bashkive të ndryshme e ka konsideruar protestën e 18 shkurtit si marshimin më të madh në këto 27 vite, nëpermjet të cilit do të rrëzohet ngrehina e së keqes dhe do të rikthehet dinjiteti i shqiptarëve.

 

 

1 Koment

  1. ZEKIJE BRAHO

    15/02/2017 at 02:41

    O popull shqiptar, bashkohuni te gjithe me PD, sepse eshte e vetmja parti qe do t’ju nderoj imazhin, fatin, shendetin e cdo gje te mire ne ate vend te shkateruar nga bandit kriminale ne pushtet. Mos neglizhoni, por beni ate qe ju ben te lumtur.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>