Kreu i PD në Britani, Naim Hasani: Mbështesim protestën e opozitës, Basha, politikan evropian

naim-hasani

Me votimin elektronik, zëri i emigrantëve në Britani dhe diasporë do të jetë shumë i fuqishëm

Shqiptarët në Britaninë e Madhe janë jo të paktë në numër. Pjesa më e madhe kanë mundur të integrohen plotësisht në shoqërinë e atjeshme dhe madje mjaft prej tyre të jenë edhe histori suksesi.

Njëri prej tyre është avokat Naim Hasani, i cili çdo ditë të jetës në profesionin që ka, ua ka kushtuar në ndihmë të bashkatdhetarëve, që punojnë dhe jetojnë në Londër dhe Britani.
Në fund të vitit të kaluar, avokat Naim Hasani mundi të fitonte një çështje të rëndësishme në favor të shqiptarëve në nivelin më të lartë të drejtësisë britanike, në Gjykatën Supreme.
Falë kësaj çështjeje të fituar nga avokat Hasani, shqiptarëve që kanë fituar shtetësinë të deklaruar si kosovarë, do të mund ta gëzojnë atë tashmë. Kjo është vetëm një prej betejave profesionale në përditshmërinë e Naim Hasanit, pasi prej një viti ai ka pranuar një tjetër sfidë, kësaj here politike. Shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Britani, përmes votës së lirë, e kanë zgjedhur kryetar të degës së PD-së. E natyrisht, duket se nuk kanë gabuar me votën e tyre. E kanë parë z. Hasani si model suksesi në Britani, ndaj edhe kanë dashur që, veçse profesionalisht si avokat, ai t’i përfaqësojë edhe politikisht si kreu i degës së PD-së, forcës politike me të cilën lidhen të gjitha proceset integruese të arritura deri më tani të Shqipërisë. Të gjithë sa e njohin z. Hasani, veç të qenët i aftë, me integritet, familjar, të vënë në dukje qytetarinë e tij dhe faktin se është mjaft i thjeshtë dhe komunikues.
Shkodrani i diplomuar në Shqipëri në vitin 1996 në Universitetin e Korçës, vetëm pas disa muajsh pune do të largohej për në vendin e ëndrrave, shtetin e zbatimit të ligjit nga të gjithë siç thekson ai, ku do të niste sërish një tjetër universitet, duke u diplomuar për drejtësi e më pas duke ndërtuar aty jetën.
Sigurisht që do t’i duhej shumë punë, po avokat Hasani nuk do të dorëzohej as edhe një moment për të arritur atë që sot ka mundur ta ketë, të jetë një avokat i suksesshëm, si dhe të përfaqësojë politikisht shqiptarët që ndodhen në Britani për Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Të gjithë ndihen mirë me përfaqësimin nga z. Hasani, pavarësisht bindjeve që mund të kenë. Janë të bindur se ai do të jetë i aftë të ngrejë zërin, të kërkojë prej autoriteteve shqiptare, dhe jo vetëm prej tyre, drejtësi dhe integrim të plotë të shqiptarëve në jetën e shoqërisë britanike, por edhe të shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri në familjen e madhe evropiane.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “55”, avokat Naim Hasani, kreu i degës së PD-së në Britaninë e Madhe, flet për zgjedhjen si kryetar, organizimin e partisë atje, takimet e kreut të PD Basha në Angli dhe takimin me të në Tiranë. Në këtë intervistë z. Hasani flet edhe për protestën që pritet të mbajë opozita; sa të mbrojtur, sipas tij, janë shqiptarët në emigracion nga shteti amë dhe sa të integruar janë në shoqërinë britanike. Më tej ai i përgjigjet interesimit tonë për raportet britanike rreth trafiqeve veçanërisht të fëmijëve, cili është perceptimi që shoqëria e atjeshme ka për shqiptarët, sa e ndjek dhe jeton më aktualitetin në Shqipëri, sa të integruar shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe përse nuk kthehen të investojnë në vendlindje. Ja si shprehet më tej në këtë intervistë avokat Naim Hasani, kreu i degës së PD-së në Britani të Madhe.
Zoti Hasani, duke qenë komunikimi i parë me ju, së pari t’ju uroj për zgjedhjen si kreu i degës së PD, Britani e Madhe. A mund të na thoni si u ndiet kur ju besua drejtimi i një dege të forcës politike që rrëzoi diktaturën dhe mban vulën e integrimit të Shqipërisë?
Ishte një nder e privilegj dhe në të njëjtën kohë detyrim i jashtëzakonshëm për t’i shërbyer Partisë Demokratike të Shqipërisë, forcës që i parapriu rënies së komunizmit në Shqipëri dhe rikthimit të demokracisë dhe të lirisë njerëzore, pas sundimit të diktaturës më të egër dhe më gjakatare që Evropa ka njohur. Unë jam zgjedhur me 22 janar 2017, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me parimin “Një anëtar – një votë”, nëpërmjet zgjedhjeve që u mbështetën fort nga Partia Demokratike dhe nën kujdesin e veçantë të kryetarit të saj dhe liderit të opozitës në Shqipëri,
z. Lulzim Basha. Zgjedhjet nga ku unë dola fitues, ishin model ashtu siç i ka hije vendit ku ne jetojmë e punojmë dhe jemi qytetarë të Britanisë së Madhe.
Anëtarët e PD-së pritën në radhë për disa orë për të votuar. Procesi i votimit ishte model, kaloi pa asnjë incident dhe në mënyrë të qytetëruar e plotësisht perëndimore ku çdo anëtar hodhi votën e tyre për kandidatin e preferuar. Numërimi i votave u bë në mënyrë të hapur dhe në sy të dy kandidatëve e pa asnjë kundërshtim dhe pas shpalljes se rezultatit, kandidati rival më uroi publikisht si fitues ku edhe pati një shtrëngim duarsh shumë domethënës.
Zgjedhja në krye të degës së PD-së në kryeqendrën e demokracisë evropiane dhe botërore ka qenë për mua edhe hera e parë që unë përfshihem në politikë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Unë kam 20 vite që jetoj në Britani dhe përveç diplomimit si ekonomist në Shqipëri, kam mbaruar dhe studimet e plota në Universitetin e Ëestminster-it në Londër nga 1999 deri në 2005 dhe pastaj jam trajnuar për dy vjet në një studio të njohur ligjore në perëndim të Londrës dhe jam pranuar si avokat i Gjykatës Supreme të Anglisë dhe Uellsit më 15 tetor 2007. Në punën time 10-vjeçare si avokat kam mbrojtur çështje të ndryshme ligjore, por sidomos të emigracionit dhe të azilit për mijëra shqiptarë dhe shumë prej tyre u kam ndryshuar jetën përgjithmonë. Ky kontribut imi ndër vite me komunitetin shqiptar është shpërblyer me zgjedhjen time si kryetar i degës së PD-së në Britani të Madhe.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ishte për një vizitë në Londër. Pati takime zyrtare, si u prit nga bashkatdhetarët që punojnë dhe jetojnë atje. Çfarë u diskutua në takimin më të?
Në datat 13-15 dhjetor 2017, kisha kënaqësinë që të shoqëroja z. Lulzim Basha në vizitën e tij zyrtare në Britani, me ftesë të Partisë Konservatore që qeveris vendin që nga viti 2010.
Zoti Basha ka zhvilluar një numër takimesh me politikanë, ligjvënës të djathtë dhe përfaqësues të qeverise britanike të kryesuar nga Kryeministrja Teresa May.
Takimet janë zhvilluar në kuadër të konferencës së organizuar nga Partia Konservative për politikat e orientimit në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të takimeve, zoti Basha më 14 dhjetor 2017, ka pasur edhe një takim me përfaqësues të komunitetit shqiptarë në Londër, pavarësisht bindjeve politike, takim që është organizuar me iniciativën time dhe ka zgjatur plot tre orë e gjysmë. Ky ishte takimi i parë i një politikani kryesor të Shqipërisë me komunitetin shqiptar në Britani, pavarësisht përkatësisë së tyre politike. Zoti Basha, si një politikan i kalibrit evropian, pavarësisht dëshirës sime për ta përcjellë në aeroport, ka preferuar të udhëtojë me tren si një qytetar i lirë bashkë me zonjën e tij, nga Londra për në Gatëick, nga ku është larguar për në Shqipëri më 15 dhjetor 2017.
A mund të na thoni se sa e organizuar është dega e PD-së që drejtoni dhe a keni marrë pjesë në fushatat në Shqipëri?
Për hir të së vërtetës, dega e PD ka ekzistuar në një formë ose në një tjetër edhe përpara, por që nga nëntori 2015 dhe deri më datë 22 janar 2017, grupi i punës i ngritur u mor me përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të degës, nëpërmjet një konkurrence të hapur dhe nën kujdesin e veçantë të z. Lulzim Basha dhe sekretarit organizativ të PD, z. Enno Bozdo dhe z. Arben Ristani. Pas zgjedhjes sime, kam riorganizuar degën e PD në Londër, duke shtuar numrin e anëtarëve dhe mbështetësve të PD në të gjithë Britaninë. Si hap të parë kam ngritur kryesinë e degës së PD-së, të përbërë nga 19 anëtarë, nga moshat dhe profesionet dhe formimet e ndryshme, me barazinë gjinore dhe shpërndarjen e drejtë gjeografike si kriteret kryesore. Kemi ngritur një numër grupseksionesh në pjesë të ndryshme të Londrës dhe në qytete të tjera në Britani dhe po vazhdojmë me intensitet punën për ngritjen e këtyre grupseksioneve në të gjitha qytetet kryesore në Mbretërinë e Bashkuar. Zëri i emigrantëve në Britani dhe diasporë do të jetë shumë i fuqishëm, sapo të realizohet projekti jetik dhe i iniciuar nga PD, ai i votimit elektronik të shtetasve shqiptarë në të gjithë diasporën. Me kërkesë të veçantë të z. Basha, unë kam marrë pjesë në javën e fundit të fushatës elektorale të qershorit 2017, i instaluar në qarkun e Shkodrës, dhe kam pasur një eksperiencë tejet interesante të terrenit elektoral në Shqipëri dhe problematikës së zgjedhjeve.
Si i vlerësoni nismat politike të PD, parë nga Londra? Sipas jush, a kanë pasur kauzë protestat dhe rezistenca kundër kësaj qeverie?
Qeveria aktuale erdhi në pushtet në vitin 2013, me premtime galopante, të cilat nuk mund të ishin të zbatueshme as në Britani e jo më në Shqipëri. Mungesa e zbërthimit dhe analizës së premtimeve të bëra nga lidershipi aktual, pakënaqësia që akumulohej nga një qeverisje 8-vjeçare e PD, që për mendimin tim ka qenë më e suksesshmja në historinë e pluralizmit shqiptar, ishin arsyet që sollën fitoren e “Rilindjes” në Shqipëri. Mirëpo, zhgënjimi ndodh shpejt, kur pritshmëria është shumë e madhe dhe e bazuar në premtime të çuditshme dhe plotësisht të parealizueshme. Ju e jetoni përditë realitetin shqiptar dhe ju e prekni përditë pas afër 5 vitesh të qeverisjes nga “Rilindja”, që sigurisht çdo emër tjetër mund të ketë, vetëm atij emri nuk mund t’i justifikohet dot. Mungesa e shpresës, dëshpërimi total i rinisë, ku rrugëzgjidhja e vetme është largimi drejt Perëndimit, përfshi edhe Britaninë e Madhe. Unë përballem çdo ditë më këtë fenomen, kur takoj të rijnë shqiptarë të tmerruar, që preferojnë të qëndrojnë me muaj në kampe, veç për të mos u kthyer në Shqipëri, janë ata që reflektojnë më së qarti, rezultatet e qeverisjes. Largimi masiv i rinisë në kohë paqeje është vdekje e kombit, një gjë që as luftërat nuk e bëjnë. Normalisht, keqqeverisja ndëshkohet me votë, por kur institucioni i votës nuk përfillet dhe populli është aq i varfër saqë për të siguruar bukën e gojës për një javë apo një muaj, pranon t’i blihet arma e vetme që ka në demokraci “vota e lirë”, vetëm demokraci dhe barazi nuk mund të ketë. Në këtë kontekst, aksionet politike të opozitës janë të mirëpritura dhe duhet t’i shërbejnë ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe inteligjencës shqiptare, se zoti i fatit të tyre duhet të jenë ata vetë dhe jo politikanët.
Zoti Hasani, cili është perceptimi që vendasit kanë për shqiptarët që jetojnë në Britani dhe Shqipërinë, po i shqiptarëve që kanë vite dhe lindin atje për tokën e tyre?
Shqiptaret kanë gjetur në Britani atë që vendi dhe qeveria e tyre kurrë nuk arriti t’ua siguronte: stabilitetin, respektimin e dinjitetit të tyre, të drejtën për arsimim dhe kontribut të drejtë e të barabartë mes kombësive të tjera që jetojnë në mënyrë paqësore dhe të barabartë.
Britania i ka respektuar dhe përkrahur shqiptarët, për mendimin tim, më shumë se asnjë vend tjetër në botë dhe ka qenë dhe mbetet një mike e fortë dhe e përjetshme e shqiptarëve. Pavarësisht një numri të vogël shqiptarësh, të cilët janë të prirë për përfitime të paligjshme dhe me aktivitete të ndryshme kriminale, ku i japin mundësinë edhe medias së ekstremit të djathtë të dalin me artikuj të papëlqyeshëm për disa bashkëkombës tanë, shqiptarët në përgjithësi janë dhe mbeten faktor shumë i rëndësishëm me energji pozitive në Atdheun e tyre të dytë, që u hapi dyert në momentet më të vështira të jetës së tyre.
A keni kohë të ndiqni aktualitetin e ditës në Shqipëri dhe çfarë mendoni për zhvillimet?
Edhe pse për dy dekada jetoj në Britani dhe jam inkuadruar plotësisht këtu, mendjen e kam përditë tek Shqipëria dhe zhvillimet që jo rrallë na thyejnë edhe zemrën dhe ngjallin dëshpërim. Sa herë që vizitoj Shqipërinë, një vend që zoti e ka bekuar me një bukuri përrallore, perlë të Evropës, më vret zemra se si ajo po plaket kaq shpejt dhe po krijohet një plagë e madhe sociale, që rrezikon stabilitetin dhe ekzistencën kombëtare. Kjo është fatkeqësi dhe fatkeqësitë, nëse nuk ndalen, ndjellin tragjedi, prandaj duhet reflektim nga qeveria dhe qeveritarët, politika dhe politikanët në Shqipëri dhe një plan konkret për të ndaluar hemorragjinë me trurin e kombit, rininë. Në këtë kontekst dua të falënderoj personalisht z. Lulzim Basha për interesin e veçantë që ka treguar duke ftuar diasporën shqiptare për t’u kthyer dhe kontribuar për një politikë qytetare, evropiane, për një Shqipëri ku shqiptarët të ndihen Zot të tokës dhe vendit të tyre, në një Shqipëri si të gjitha kombet e qytetëruara, ku të lulëzojë individi me punën e ndershme dhe jo krimi e mashtrimi.
Sa të mbrojtur ndihen emigrantët shqiptarë në diasporë nga shteti i tyre në rastet kur përballen me padrejtësi?
Në Britani ka mbërritur një numër i madh shqiptarësh, të cilët largohen nga Shqipëria edhe sot, kryesisht për arsye ekonomike. Shqipëria është zyrtarisht një vend kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtare e NATO-s me të drejtë për lëvizje të lirë në vendet “Schengen”. Pavarësisht kohës kur shteti britanik ka pajisur me leje qëndrimi një numër të madh shqiptarësh, të ardhur sidomos nga fundi i viteve `90, gjatë dhe pas luftës së Kosovës, të cilët për vite me radhë kontribuojnë e fuqishëm në ekonominë e Shqipërisë me remitancat e tyre, sot shqiptarët që i drejtohen Anglisë, për mendimin tim kanë një perceptim të gabuar, sepse emigrantët ekonomikë nuk lejohen në Britani dhe nuk munden kurrsesi për arsye ekonomike të përfitojnë leje qëndrimi. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, ndoshta jo në rastin e Britanisë, ka mjaft raste që shteti shqiptar nuk ka qenë i zoti të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në vendet ku punojnë dhe jetojnë.
Në këndvështrimin tuaj, përse shqiptarët e integruar në Britani nuk kthehen të investojnë në tokën e tyre si dhe mungojnë, sa duhet, investimet britanike në Shqipëri?
Shqiptarët e Britanisë, ashtu si edhe qytetarët e tjerë britanikë, kërkojnë një vend të sigurt investimi, ku risku i sipërmarrjes të jetë sa më i ulët. Shqipëria, fatkeqësisht, ka një reputacion dhe një realitet me burim korrupsioni e nepotizmi. Mungesa e vizionit dhe pavendosmëria për të mbështetur konkurrencën e lirë janë dy problemet kryesore që, për mendimin tim, britanikët nuk e shikojnë Shqipërinë si një vend me potencial të fortë investimesh. Marrim si shembull turizmin. Edhe sot, si çdo vit, shqiptarët e Britanisë janë besnikë të bregdetit shqiptar për të kaluar pushimet e tyre verore. Qeveria shqiptare nuk e di se në çfarë të drejte është bazuar, kur ka urdhëruar që makinat me timon në krahun e djathtë, që i ka vetëm Britania, nuk lejohen të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Së dyti, “British Airëays” është kompania e vetme ajrore britanike me monopol të plotë dhe me çmime shumë të larta, që operon nga Londra në Shqipëri, kurse kompania me shpenzime shumë të ulëta “Ryanair” kryen fluturime të rregullta në dy aeroporte në fqinjin tonë verior, Malin e Zi. Për arsye të çmimeve shumë më të ulëta, shumë shqiptarë janë të detyruar të udhëtojnë në Mal të Zi e të futen në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor në Muriqan dhe Han të Hotit.
Një raport i britanikëve ka qenë shumë i zi, nëse mund ta themi kështu, sa i përket trafikimit të fëmijëve nga Shqipëria në Britani. Jo vetëm si politikan, por edhe si avokat, a mund të na bëni një koment rreth këtij fakti?
Unë kam parë një numër raportesh që tregojnë se trafikimi i fëmijëve nga Shqipëria në Britani ka qenë një problem serioz, sidomos në vitin 2016, ku të paktën ishin të evidentuara 403 raste të kërkesave për azil, përfshi edhe viktimave të trafikimit, nga fëmijët e pashoqëruar shqiptarë. Pa dashur të futem në argumente politike, është detyrë parësore e shtetit shqiptar të interesohet për shtetasit e vet, e sidomos për fëmijët, e jo të justifikohet duke fajësuar shtetin britanik për sistemin atraktiv të azilit dhe emigracionit. Në fakt, sistemi i azilit dhe emigracionit në Britani është shtrënguar shumë nga data 9 korrik 2012 dhe është shumë e vështirë për shtetasit shqiptarë për të fituar azil. Një fakt të cilin e njohin dhe e pranojnë të rinjtë e të rejat shqiptare kur arrestohen nga emigracioni dhe u shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, ku të paktën 90% e tyre refuzohen dhe në pjesën më të madhe të rasteve dëbohen nga Britania forcërisht.
Një prej historive të suksesit në Britani jeni ju personalisht, ku veç karrierës profesionale ekselente, keni mundur të fitoni një çështje mjaft të rëndësishme në favor të shqiptarëve në Gjykatën Supreme të Britanisë së Madhe?
Duke iu përgjigjur pyetjes suaj, po ndalemi tek rasti konkret i sistemit të drejtësisë britanike. Është fakt i njohur tanimë se një numër shtetasish shqiptarë kanë kërkuar azil në fund të viteve `90, duke pretenduar se ishin shqiptarë të Kosovës. Ata kanë arritur të fitojnë leje të përhershme qëndrimi dhe shtetësi britanike dhe të krijojnë familje e të rrisin fëmijët e tyre në një pjesë të madhe me të dhëna kosovare. Siç e keni ndjekur në media, pas zbulimit të këtij fenomeni, Ministria e Brendshme Britanike ka proceduar me heqjen e shtetësisë për një numër shqiptarësh, pasi është vërtetuar se ajo ishte përftuar nëpërmjet identitetit të rremë dhe ata as nuk ishin dhe kurrë nuk kishin qenë shtetas britanikë. Këto ishin vendime drastike që potencialisht kishin efekt të drejtpërdrejtë në të gjithë ata shqiptarë që e kanë përfituar shtetësinë britanike, duke pretenduar se ishin refugjatë kosovarë. Duke qenë edhe avokati i komunitetit shqiptar, ka qenë privilegji, por edhe detyrimi im moral, kombëtar dhe ligjor të përfaqësoj dy rastet precedente: Hysaj dhe Bakijasi, të cilëve u është hequr shtetësia britanike për arsyet e mësipërme, duke i përfaqësuar në kërkesën për rishikim gjyqësor të vendimeve të Ministrisë së Brendshme, në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit, ku në të dyja shkallët kemi humbur procesin gjyqësor. Unë nuk kam pasur asnjë presion apo ndërhyrje në punën time si avokat i çështjes ndoshta më të madhe të shqiptarëve të Britanisë në këto 20 vitet e fundit dhe kam mbrojtur me pasion e respekt deri në fund për sundimin e ligjit, të drejtat e tyre nëpërmjet apelimit në Gjykatën Supreme Britanike, çështje e cila u kurorëzua me sukses me datën 21 dhjetor 2017. Gjykata Supreme mori një vendim historik, duke hedhur poshtë vendimet e Ministrisë se Brendshme Britanike dhe me marrëveshje të detyrojë atë t’u kthejë mbrapsht shtetësinë britanike z. Hysaj e z. Bakijasi dhe duke konfirmuar se ata nuk kishin mashtruar me identitetin e tyre dhe po ashtu duke deklaruar se fëmijët dhe bashkëshortet e tyre janë dhe mbeten shtetas britanikë. Çfarë është e rëndësishme dhe i shërben fort zbatimit dhe barazisë para ligjit, është fakti se të dyja çështjet, në të gjitha shkallët e gjyqësorit britanik janë financuar plotësisht nga shteti britanik, pa asnjë kontribut financiar nga Hysaj apo Bakijasi. Unë jam i lumtur që kam qenë avokati i parë shqiptaro-britanik që të kem emrin tim të shkruar dhe arkivuar për brezat që vijnë në Gjykatën Supreme Britanike. Dua të theksoj se ky vendim historik dhe me rendësi jetike për një numër shqiptarësh në Britani është përshëndetur publikisht nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha, i cili edhe më rezervoi një pritje të veçantë në zyrën e tij në Tiranë, më 28 dhjetor 2017.
 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>