Kronika/Qytetarët, të vetëm në luftën me acarin e ngricat – qeveria shijon bukuritë e natyrës  

kukes

Temperaturat e acarta dhe reshjet e dëborës do të vazhdojnë sipas sinoptikanëve deri në datën 20 janar, termometri do të vazhdojë të shënojë temperatura nën zero sidomos në zonat veriore. Vijojnë të mbeten të bllokuara shumë akse rrugore në vend, në të tjera prezenca e ngricave është e lartë, e për pasojë lëvizja e automjeteve duhet kryer me kujdes pasi në të kundërt aksidentet janë të pashmangshme. Shqetësuese mbetet situate nëpër qytete ky banorët janë detyruar të marrin vetë masa për situatën pasi nuk ka funksionuar ndihma e Bashkive përkatëse. Edhe banorët e zonave rurale vazhdojnë të mbeten të izoluar dhe i tremben përkeqësimit dhe zgjatjes së izolimit, gjë që do të sillte problem për ndihmat mjekësore dhe për ushqimin e banorëve dhe të kafshëve të tyre. Të gjitha akset rrugore kryesore dhe dytësore janë të kalueshme me zinxhirë pasi institucionet përkatëse nuk kanë arritur të garantojnë sigurinë dhe menaxhimin e situatës.

Prej gati një jave rrugët e qytetit të Korçës kanë mbetur nën pushtetin e akullit. Bashkia thuajse ka humbur kontrollin e territorit në këto ditë të ftohta, ndërsa firma e pastrimit është mjaftuar vetëm me pastrimin e bulevardit Republika. Banorët e lagjeve karakteristike, ecin me rrezikun mbi akull. Ata shprehen se firma e pastrimit nuk ka hedhur asnjë lopatë me kripë. Ulja e ndjeshme e temperaturave ka sjellë edhe problemet në furnizimin me ujë të pijshëm në qytetin e Vlorës. Prej dy ditësh 70 % e qytetit të Vlorës vuan mungesën e ujit. Shkak për këtë janë bërë temperaturat nën zero të cilat kanë bërë që tubacionet të ngrijnë. Situata paraqitet problematike jo vetëm në qytet por edhe në shumë fshatra të Selenicës, fshatra të njësisë administrative Novoselë, fshatrat në administrimin e Njësisë Administrative Qendër. Për sa u përket akseve rrugore në bashkinë e madhe të Vlorës, problematike paraqitet vetëm zona e Llogarasë ku në Qafën e Llogarasë rekomandohet të përdoren zinxhirët për shkak të prezencës së dëborës dhe akullit. Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar probleme të shumta edhe në Gjirokastër. Prej më shumë se tre ditësh banoret e qytetit vuajnë mungesën e ujit pasi tubacionet kane ngrirë edhe nuk përcjellin ujin në çezma edhe pse në kushte të vështira ekonomike, qytetarët pohojnë se janë detyruar të blejnë ujin jo vetëm për të pirë por edhe për nevoja të tjera. Probleme të shumta ka pasur edhe në rrugët e qytetit ku në shumë akse ka një prezencë të madhe të ngricave në rrugë, më shqetësuese situata paraqitet në kalldrëme në lagjet e sipërme të qytetit  por edhe në qendër të saj. Banorët kërkojnë angazhimin e Bashkisë pasi gjatë gjithë kësaj kohe nuk është marrë asnjë masë për të pastruar akset dhe për të hedhur kripë në to. Banorët e një prej fshatrave më malorë të rrethit të Kukësit kanë marrë lopatat dhe kanë nisur vetë pastrimin e rrugës, duke thënë se rruga që po pastrohet i lidh ata me Kosovën, trashësia e dëborës ka arritur rreth 2 metër. Një prej akseve nacionale mjaft të frekuentuara, Shkodër-Han i Hotit, e vetmja arterie që lidh Shqipërinë me Evropën në rrugë tokësore, ndodhet këto ditë nën ngrica, e në shumë zona prezenca e lartë e tyre është rrezik serioz për udhëtarët, 35 kilometrat e këtij aksi lidhin Shkodrën me Malësinë, por në të njëjtën kohë shërbejnë edhe si urë lidhëse me Malin e Zi. Ngrica ka gjithandej edhe nëpër rrugët e qytetit të Shkodrës. Në fan të Mirditës, një nga zonat më të prekurit nga i ftohti, trashësia e borës arrin deri në 1 metër, ndërkohë që mjetet kalojnë deri në një pjesë të rrugës. Moti i keq – Fani dhe dy fshatra në Mirditë të izoluar nga bora deri në 1 m lartësi. Vetëm deri në qendër të njësisë mund të deportohet me automjet, pasi rrugët e fshatrave janë të gjitha të bllokuara. Sipas banorëve të zonës, e vetmja mënyrë lëvizje është në këmbë, ndërkohë që situata e krijuar i ka vënë në vështirësi, pasi mungon energjia elektrike dhe shërbimi shëndetësor është funksional deri në orën 14:00. Ndonëse janë të vendosur në mes të malit, jo të gjithë ngrohen me dru zjarri. Sipas banorëve çmimi i tyre është shumë i shtrenjtë, ndërsa për ti prerë vetë i druhen frikës së burgut apo gjobës. Krahas Njësisë Administrative të Fanit, në Mirditë janë të izoluar nga dëbora prej 5 ditësh dhe fshatrat e Oroshit dhe Selitës, ndërsa banorët presin që moti të ngrohet për të dalë nga izolimi. Banorët e paktë që gjen në rrugë thonë se lëvizja për të shkruar në Rrëshen bëhet në këmbë, ndërkohë që kanë probleme me ngrohjen dhe shkëputjet e energjisë.

Në Mirditë janë të izoluar nga bora prej 5 ditësh dhe fshatrat e Oroshit dhe Selitës, ndërsa banoret presin që moti të ngrohet për të dalë nga izolimi.

Në Librazhd, banorët e Stëblevës një nga më të goditurat nga moti i keq, thonë se momentalisht situata nga bora nuk është problematike, por ata i druhen një përkeqësimi, apo zgjatje të izolimit, kjo gjë do sillte probleme me furnizimin me ushqim të tyre dhe për bazën ushqimore të bagëtive.

Ndërkohë shënohet viktima e tretë nga i ftohti në Shqipëri. Një 52 vjeçar ka humbur jetën ditën e djeshme në orët e para të mëngjesit, teksa punonte si roje nate në një pallat në Golem të Lushnjës. Sipas meteorologëve, kjo situatë do të zgjasë deri nga mesi i muajit Janar, pas datës 20 temperaturat do të kthehen në nivelet normale per sezonin dimëror, edhe rritja e menjëhershme e temperaturave do të ishte jo normale, pasi do të sillte shkrirjen e borës, trashësia e së cilës në zonat malore në veri të vendit llogaritet të jetë rreth 1 metër. Shkrirja e borës më pas do të shkaktonte përmbytjen e zonave të Lezhës dhe Shkodrës.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>