Kryemadhi: Do dëshmojmë para shqiptarëve dhe ndërkombëtarët, farsën elektorale të Edi Ramës

kryemadhi

Kryetarja e LSI shkruan se në 25 qershor zuri vend një farsë elektorale e organizuar nga vetë Edi Rama, i cili urdhëroi militantët e tij të tjetërsonin votën. Kryemadhi gjithashtu thekson se pjesë e kësaj beteje është shumica e shqiptarëve, që refuzoi t’i bindej bandave të krimit që me paratë e drogës tentuan të blinin çdo votë

Luan Rama: Është i domosdoshëm krijimi i frontit kombëtar opozitar kundër vjedhjes së votës

 

Videot e bëra publike që faktojnë vjedhjen e votave të disa subjekteve politike më 25 qershor dhe denoncimet që janë bërë në KQZ për këtë fenomen janë komentuar edhe nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Në një postim në Facebook të ditës së djeshme, Kryemadhi shkruan se në 25 qershor zuri vend një farsë elektorale e organizuar nga vetë Edi Rama, i cili urdhëroi militantët e tij të tjetërsonin votën e shqiptarëve. “Mirëmëngjesi miq! Këto ditë të nxehta të korrikut doja të ndaja me ju atë që të gjitha partitë po denoncojnë me fakte konkrete, blerjen dhe deformimin e votës së 25 qershorit. Farsën elektorale të drejtuar nga Edi Rama dhe zbatuar nga rilindasit e tij, arrogancën dhe pafytyrësinë e tyre për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Unë jam e bindur që kjo është vetëm një pjesë e vogël e asaj që ka ndodhur vërtet në 25 qershor, sikundër jam e sigurt se beteja jonë për të rikthyer legjitimitetin e votës së shqiptarëve sapo ka nisur”, thuhet në postimin e Kryemadhit. Ajo thekson se LSI ka nisur tashmë betejën për të vërtetuar vjedhjen masive të votave të shqiptarëve dhe do ta konkretizojë këtë nismë të sajën në kërkim të demokracisë së vërtetë duke takuar çdo ditë qytetarët që do ta dëshmojnë manipulimin e votës. Sipas Kryemadhit pjesë e kësaj beteje është shumica e shqiptarëve, që refuzoi t’i bindej bandave të krimit që me paratë e drogës tentuan të blinin çdo votë. “LSI tashmë është e qartë dhe e vendosur, e fortë dhe e bindur në luftën e saj për të rikthyer të drejtën themeltare të demokracisë, votën e lirë. Ndaj për këtë do të jemi çdo ditë pranë qytetarëve, do të dëgjojmë dhe mbledhim çdo dëshmi manipulimi, do të hartojmë dhe ndërtojmë politikat tona për të dëshmuar këtë farsë elektorale, për të vërtetuar edhe njëherë para të gjithë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve që duan të dëgjojnë të vërtetën, se 25 qershori ishte dita e deformimit të votës. Beteja jonë sapo ka nisur dhe bashkë me ne është shumica e shqiptarëve, ajo që paratë e drogës dhe krimit nuk arritën ta blejnë”, thekson kryetarja e LSI-së në postimin e saj në Facebook.

Luan Rama: Është i domosdoshëm krijimi i frontit kombëtar opozitar kundër vjedhjes së votës/Lëvizja Socialiste për Integrim ka zhvillua ditën e djeshme një mbledhje me dyer të mbyllura të kryesisë. Ka qenë zëvendëskryetari i kësaj partie, Luan Rama, ai i cili në një konferencë për media, ka treguar edhe vendimet e marra në këtë mbledhje, teksa është shprehur se krijimi i një fronti kombëtar opozitar kundër vjedhjes së votës është shumë i rëndësishëm për vendin. Ai bëri të ditur se objekt diskutimi i kësaj mbledhje kanë qenë edhe zgjedhjet e 25 qershorit, teksa është theksuar se ekzistojnë pamje filmike që denoncojnë deformimin e rezultatit nëpërmjet manipulimit të votave. “Procesi zgjedhor ishte i kriminalizuar. Paratë e krimit e drogës dominuan mbi parimet e zgjedhjeve të lira.  Po konfirmohet edhe me sjelljen më të fundit në raportin e subjekteve politikë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Siç e dini janë shfaqur të dokumentuara, në mënyrë shumë korrekte, raste konkrete të vjedhjes së votës, të tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve. E gjitha kjo padyshim që është një njollë e madhe turpi për procesin”, u shpreh Rama. Rama ka konfirmuar gjithashtu se kreu i ri i grupit parlamentar të LSI-së do të jetë kryetari i dorëhequr i saj Petrit Vasili. Ndërkohë në fjalën e saj të parë si kryetare e LSI-së, Monika Kryemadhi ka folur në mbledhje për fakte që hedhin dritë mbi manipulimin e votës në procesin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Kryemadhi u shpreh se do të kërkohet hetim për të gjitha rastet e shitblerjes së votave në 25 qershor.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>