Kryemadhi: Front opozitar dhe axhendë e përbashkët për një vazhdë protestash

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka konfirmuar bashkëpunimin afatgjatë me opozitën dhe përfshirjen e plotë të LSI në një lëvizje të mirëorganizuar opozitare që ka synim final largimin e Edi Ramës. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi theksoi se opozita është duke punuar për ngritjen e një axhende të përbashkët sepse nuk bëhet fjalë për një protestë por për një vazhdë protestash për problematikat që shqetësojnë shqiptarët

 

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka konfirmuar bashkëpunimin afatgjatë me opozitën dhe përfshirjen e plotë të LSI në një lëvizje të mirëorganizuar opozitare që ka synim final largimin e Kryeministrit Edi Rama. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Kryemadhi theksoi se opozita është duke punuar për ngritjen e një axhende të përbashkët sepse nuk bëhet fjalë për një protestë por për një vazhdë protestash për problematikat që shqetësojnë shqiptarët. “Takimi i djeshëm me z.Basha finalizoi dhe kornizoi një bashkëpunim të mëtejshëm të LSI në të ardhmen, – tha Kryemadhi sot për mediat, gjatë konferencës së parë për shtyp këtë vit. – Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, I cili do të konkretizohet me një bashkëpunim politik me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike përsa i përket të ardhmes. Kjo përfshin protestat dhe të gjitha axhendën tonë politike në të ardhmen. Përsa i përket protestës jemi në diskutim dhe në ngritjen e një axhende të përbashkët sepse nuk bëhet fjalë për një protestë tashmë por për një vazhdë protestash e cila nuk ka të bëjë as me hapjen e parlamentit dhe as me mbylljen e parlamentit por ka të bëjë me problematikat të cilat përfshijnë dhe kapin shqiptarët duke filluar që nga varfëria, arsimi, shëndetësia, korrupsioni, infrastrukturat, mënyra sesi po menaxhohet një shtet i tillë sepse po çon drejt varfërisë familjen shqiptare e cila nuk prodhon gjë tjetër vetëm se varfëria dhe injoranca prodhon nënshtrim, i cili i intereson sa më shumë Edi Ramës”.

2018, vit i vështirë për shqiptarët/Sipas LSI, 2018 do të jetë një vit shumë i vështirë jo vetëm për politikën shqiptare por edhe për ekonominë e vendit.  Kështu deklaroi në një konferencë për gazetarët, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e para për këtë vit. ” 2018 do të jetë një vit shumë i vështirë jo vetëm për politikën shqiptare por edhe për ekonominë. Viti 2017 që hodhëm pas krahëve ishte një vit që solli ndryshime të deformuara jo vetëm në politikën shqiptare por edhe në jetën ekonomike. 2017 ishte viti i zgjedhjeve kriminale që njollosën politikën shqiptare dhe parlamentin e saj duke e kthyer në parlamentin e madatave të drogës.  Ishte viti i kanabizimit dhe trafikut të drogës, ishte viti i kapjes së shtetit dhe ky amgal krimesh çoi për pasojë bllokimin dhe shkatërrimin e reformës në drejtësi. Sjellja kriminale e kupolës së Rilindjes në 2017 solli një situatë ekonomike të tej mase të lodhur dhe të stërmunduar, deprimuese dhe dekurajuese për shqiptarët. Ekonomia shqiptare është një ekonomi me bazë konsumi ku mungojnë në mënyrë drastike investimet e mëdha të huaja, koorporatat e huaj dhe kjo vjen edhe si  rezultat i keqqeverisjes, e cila ka shënuar rekorde negative ku për herë të parë në vitin 2017 investimet e huaja kanë qenë zero.  Pra do të thotë mijëra vende pune më pak dhe thellimin e papunësisë në shkallë galopante e cila është bërë shkaku i shpërnguljes dhe largimit të shqiptarëve nga Shqipëria. Gjithashtu edhe investimet vendase janë në nivelet më të ulta në këto 10 vite ku mungojë investimet ne infrastrukturë, shërbime pasi edhe të ardhurat tatimore, doganore për vitin 2017 kanë pasur një rënie drastike.  Ka një fakt që e provon këtë është mungesa e likuiditeteve gjë që për herë të parë në Shqipëri në gjithë këto vite tranzicioni Drejtoria e Thesarit është mbyllur që me datën 15 dhjetor, gjë që tregon se nuk kreu më asnjë likuidim ndaj shoqërive të cilat kishin kryer shërbime në bazë të kontratave të lidhura me qeverinë shqiptare apo me institucione të tjera. Gjithashtu paketa fiskale e re e miratuar nga mazhoranca e Rilindjes do të sjellë një pasiguri, rritje çmimesh për konsumatorët pasi mbi 70 mijë biznese do të hyjë në skemën e TVSH-së gjë që do të sjellë jo vetëm rritjen e çmimit të artikujve të shportës por edhe kryesisht do të sjellë edhe rritjen e shërbimeve të cilat janë bizneset nën nivele të mbijetesës. Buxhetet familjare do të hyjnë në një krizë varfërie. Rezultati që sapo doli nga Eurostat-i rendit Shqipërinë si vendi i fundit për konsumin dhe nivelin e të ardhurave në Evropë. Pjesa dërrmuese e biznese shqiptare, mbi 90% e tyre kanë nga 1 deri në 4 të punësuar që janë biznese që mezi sigurojnë mbijetesën e tyre ndërkohë që ekonomia vazhdonte mos prodhojë më ngritjen e koorporatave të mëdha të cilat rrisin të ardhurat si edhe krijojnë vende të reja pune.  Qeveria është e paaftë për të thithur investime të huaja për shkak të politikave të saj klienteliste, pasigurisë së të bërit biznes, korrupsionit epidemik dhe nivelit të lartë të krimit e trafiqeve.  Të gjitha të dhënat e publikuara nga institucionet prestigjoze e bëjnë të qartë se hapja e negociatave për integrimin europian dhe zbatimin e reformës në drejtësi janë të dyja këto sfida që nuk mund të realizohen nëse nuk kemi një familje shqiptare të fortë ekonomikisht. Viti politik 2018 do të jetë një vit i dimensionimit dhe i afirmimit të opozitës si një alternativë bindëse dhe që nxjerr vendin nga kriza dhe që do t’ju japë shqiptarëve  shpresën e fundit në këto vite. Ndërsa për Kryeministrin e Rilindjes do të jetë viti i izolimit të tij politik edhe njerëzor.

LSI nuk e njeh nocionin e frikës, Rama u frikësohet veprave të tij/ Kryetarja e LSI i është përgjigjur deklaratës së Ramës se është LSI ajo që po bllokon reformën në Drejtësi pasi ka frikë nga ajo. Kryemadhi nënvizon se LSI nuk e njeh nocionin e frikës, por është kryeministri që i trembet veprave të tij. “Rama duke qenë se është frikacak vet, mendon se dhe të tjerët janë si ai dhe në lidhje me LSI, ai e di shumë mirë që LSI nuk e njeh nocionin e frikës, aq më shumë unë kështu që nuk ka të bëjë fare me frikën. Dua të them që drejtësia nuk vendoset  nga frika e kryeministrit por  e vendosin institucionet. Ai nuk është as prokurori dhe as gjykatësi i sistemit të drejtësisë. Ai mund të jetë shumë shpejt një I pandehur i sistemit të drejtësisë për vetë jetën, për vetë shkakun, mënyrën që ai ka jetuar dhe sesi ka punuar dhe sesi ka vepruar. Ka pafundësisht gjëra për të cilat ai ka frikë. Ndërsa në anën tjetër dua të them diçka që ka të bëjë me reformën. Apo me të ashtuquajturin koalicionin e famshëm, ne në fakt këto ditë, që mbas fjalës së tij në asamble kemi bërë research janë mbi 20 fjalime të z.Rama, deklarata publike, pas bashkëbisedimit ne mund tua japim të evidentuara që deri më datën 1 Qershor z.Rama i bënte thirrje për bashkëpunim dhe për koalicion LSI. Kështu që shquhet për manipulim. Shquhet edhe për mashtrim të opinionit publik. Nuk më shqetëson fare pavarësisht nga fjalimi i asamblesë së tij i  cili tregonte frikë dhe panik. Nuk mund të ndryshojë asgjë nga ajo çka shkruar për 2018 në fatin e tij politik”.

Kryemadhi për gjuajtjen e Ramës me çizme: Edhe Jezu Krishti kapi kamxhikun/Seancën e fundit plenare, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e përmbylli duke gjuajtur me çizme kryeministrin Rama, veprim për të cilin nuk është penduar as në këto ditë të para të 2018.“Absolutisht jo (nuk jam penduar). Çizmes së drogës dhe të krimit do ti përgjigjem gjithmonë me çizmen e protestës, edhe shqiptarët e kanë treguar që çizmja e protestës është shumë e rrezikshme. As nuk tërhiqem dhe as nuk pendohem. E pyetur nga gazetarët lidhur me protestën e opozitës, nëse do të jetë e qetë apo e dhunshme, Kryemadhi pati këtë koment:“Çizmja është simbol  po të duash për ta dhunuar mund ta dhunosh shumë kollaj Edi Ramën nuk ka problem. Çizmja është simbol, protestat janë legjitime dhe nuk i ndalon dot njeri. Nëse reagimi do të jetë i dhunshëm edhe përgjigja  do të jetë po prapë e dhunshme. Asnjëherë nuk mund të pretendosh. E thotë dhe Jezu Krishti, të qëllojnë në njërën faqe ktheje faqen tjetër, por jo gjithmonë se edhe Jezu Krishti e kapi kamxhikun në dorë”. Sa i takon seancën së parë plenare për këtë vit, Kryemadhi tha se vetë është e përjashtuar, ndërsa LSI nuk ka ende një qëndrim nëse do marrë pjesë apo jo. “Unë jam e përjashtuar. LSI akoma se ka marrë këtë vendim, shumë shpejt do të jetë mbledhja. Do të rakordohemi bashkarisht me PD. Ditët në vazhdim do të ketë aktivitete PD, dhe ne. Do kemi takime me aleatë, qytetarë, faktorë të ndryshëm politikë dhe jo politikë. Me Bashën kemi krijuar një shtyllë ose skelet të agjendës për 2018 të cilës do t’i qëndrojnë me përpikmëri të gjitha palët”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>