Kryeministri Berisha takon në Davos Zëvendëspresidentin e Helwet Packard, Don Grantham

Kryeministri Berisha zhvilloi në Davos një takim me ZëvendësPresidentin e Helwet Packard (HP) z. Don Grantham.

Zoti Grantham e falënderoi Kryeministrin Berisha për mundësinë e këtij takimi, në përgjigje të interesimit të madh që kjo kompani prestigjoze ka treguar për të qenë pjesë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për kapacitetet dhe prestigjin e Kompanisë HP në mbarë botën dhe theksoi se janë të shumta potencialet e bashkëpunimit, në kuadër të dixhitalizimit të praktikave dhe përhapjes së përdorimit të internetit në mbarë Shqipërinë.

Zoti Grantham nënvizoi se kompania HP ka një interes shumë të madh të luajë rolin e saj në një vend si Shqipëria, e cila po ndryshon me shpejtësi. 

Kryeministri Berisha shtoi se tregu i punës dhe sistemi i ulët i taksave do të lehtësojë bashkëpunimin mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë HP.

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare ka ndërmarrë çdo hap për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin, në këtë kuadër HP do të jetë e mirëpritur të japë ndihmën dhe eksperiencën e saj në një fushë që për qeverinë shiptare është një nga prioritetet më të mëdha.

Shqipëria, shtoi Kryeministri, nga një vend me penetrimin e internetit 4% ka shkuar në 20% dhe po punohet me vendosmëri për ta çuar vendin në moshën dixhitale. Në këtë drejtim, tha Kryeministri Berisha, komapnia HP mund të japë kontribtin e saj të vyer.