Kulturë/”Rrethimi i Shkodrës”, vepra e dom Marin Barletit u botua më 10 janar 1504  

“Rrethimi i Shkodrës” vepra e dom Marin Barletit botuar më 10 janar 1504. Pra me 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Marin Barletit, “De obsidione Scodrensi”-  “Rrethimi i Shkodrës”, një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë. I mbështetur në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, prifti shkodran dom Marin Barleti ia kushton librin e tij jetës e ngjarjeve politike dhe ushtarake gjatë rrethimit të Shkodrës. I mbështetur në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, Barleti ia kushton librin jetës politike e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës më 1478.

Vepra “De obsidione Scodrensi”-  “Rrethimi i Shkodrës”, është e ndarë në tre kapituj, aspo siç quheshin pas zakonit të shkrimtarëve antikë, në tre libra. Në librin e parë kemi parathënien, kushtuar dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453 dhe mbaron me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj. Libri dytë është më voluminozi apo më mirë të themi pjesa qendrore, ku bëhet fjalë për rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478, ku përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët. Ndërsa në fund në librin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si dhe dorëzimin e saj nga ana e Venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane.

Duke lexuar veprën  “De obsidione Scodrensi” – “Rrethimi i Shkodrës”, del qartë se autori ka marrë shënime në formë ditari, edhe pse si i tillë nuk na paraqitet në libër. Por, nëse në rrethimin e parë ishte dëshmitarë okular, në ate të dytin merr pjesë aktive si bashkëluftëtar në mbrojtjen e saj. Si e tillë kjo vepër është përgatitur për një kohë të gjatë, si vëzhgues okular, por edhe në saje të kujtimeve të bashkëvendasve të tij pasi u vendosen në Venedik, ku përfundimisht u botua në vitin 1504.

Edhe pse autori ishte prift, ai na rrëfen ngjarjet e rrethimit të Shkodrës si rrallë kush deri më tash. Madje ky botim është informacioni i vetëm dhe autentik i këtyre ngjarjeve deri më tash. Në libër prezantohen të dhëna të mjaftueshme për rrethimin e këtij qyteti nga Perandoria Osmane, municionet e përdorura, luftimet, vrasjet, krimet dhe heroizmin e shkodraneve në mbrojtje të Kalasë së Rozafatit. Ajo u mbrojt me dinjitet, sakrificë e ndjenjë fetare dhe kombëtare. Ajo ishte kështjellë e pamposhtuar e krenarisë kombëtare, ku nuk mundi ta pushtojë as sulltani ma famëkeq i kohës më ushtrinë dhe artilerinë ma të madhe të kohës. Ajo iu dorëzua Perandorisë nga ana e Venedikut në sajë të marrëveshjes së arritur në janar të vitit 1479.

Pasojat e dorëzimit të Shkodrës, janë të njohura për opinionin, sepse me dorëzimin e saj së bashku me venedikasit u largua edhe paria e Shkodrës, ku llogaritet se në drejtim të Venedikut shkoj edhe pjesa dërrmuese e popullsisë së qytetit. Me heroizmin e treguar Shkodra mbeti lavdia e shqiptarëve dhe pengesa e osmanlinjëve në drejtim të Perëndimit. Lufta që zhvilluan shkodranet nuk ishte vetëm një luftë e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj, por kishte përmasat më të gjëra sepse ajo njëherit ishte një luftë e krishterëve kundër turqve myslimanë.

Marin Barleti, prift katolik, historian, shkrimtar e patriot shqiptar i kohës së humanizmit, botës kulturore i ka dhuruar një vepër më vlerë të jashtëzakonshme për historinë e popullit shqiptar në njërën prej kohëve më të vështira e të errëta të historisë që ka përjetuar. Së bashku me kujtimin e luftës heroike në mbrojtje të Shkodrës, vepra e tij është dëshmi autentike e luftës heroike të popullit shqiptar për liri dhe si e tillë është vepër tejet e rëndësishme e historiografisë shqiptare në shek. XV.

E kujtojmë se vepra “Rrethimi i Shkodrës” e Marin Barletit, është shkruar në latinisht (De obsidione Scodrensi) dhe u botua për herë të parë në Venedik më 1504, pothuajse 100 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Veprën e përktheu në shqip për herë të parë studiuesi i shquar Henrik Lacaj më 1962, në përvjetorin e 50-të të Pavarësisë së Shqipërisë.  Më vonë është ribotuar në gjuhën shqipe shtëpia botuese Onfuri më 2012, duke u mundësuar lexuesve shqiptarë për të njohur përmes saj historinë e vendit e vlerat e kombit shqiptar.

Mbi librin/Është viti 1478. Evropa po sulmohet. Dhjetë vjet pas vdekjes së Skënderbeut, shqiptarët dhe venedikasit vazhdojnë t’u rezistojnë osmanëve, duke mbrojtur atdheun e tyre dhe duke i dhënë kohë Evropës Perëndimore për t’u përgatitur për sulmin e pashmangshëm. Historia botërore e ka anashkaluar mjaft heroizmin e shqiptarëve dhe faktin që ata u bënë pengesë dhe i vonuan osmanët në synimin e tyre për të pushtuar gjithë Evropën. Marin Barleti i jep, pra, botës një rrëfim të drejtpërdrejtë heroizmi përballë një pushtimi mizor: burra të thjeshtë e gra që luftojnë për familjet, për tokën dhe besimin e tyre. Shikoni nga bedenat e kështjellës hordhitë osmane që zbardhin fushat përreth me çadra e ushtarë. Mësoni se si ishin përgatitur jeniçerët e se si topat bombardues u futën në historinë e luftërave. Mrekullohuni duke lexuar se si një grusht luftëtarësh i thyen sulmet e egra të qindra e mijëra ushtarëve turq. Sulltani i mundur detyrohet të tërhiqet, por Shkodrën e mban të rrethuar derisa në fund. Senati Venedikas ia dorëzon atij si një ultimatum paqeje. Atëherë, shkodranët, të zhgënjyer, zgjedhin mërgimin, për të mos u dorëzuar dhe lundrojnë përmes Adriatikut për në portet e sigurta të Venedikut. Marin Barletit, siç mund të kuptohet lehtë, i duhej të shkruante në latinisht, sepse vepra duhej të qarkullonte dhe të njihej nëpër Evropë. Ashtu siç edhe ndodhi, pasi pas botimit më 1504 në Venedik, u rishtyp disa herë në Zvicër (1556), Gjermani (1578 dhe 1596). Pas botimeve në latinisht do të vijnë përkthimet në italisht (1565), polonisht (1569), frëngjisht (1576).

Mbi autorin/Dom Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar. Prift katolik dhe qytetar i Shkodrës, ai qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, ai emigroi në Itali. U vendos në Padova, e në këtë dioqezë kishtare dom Marin Barleti apo Barleci shërbeu i prift famullitar e më vonë si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit. Megjithëse “Rrethimi i Shkodrës” ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë “Historia e Skënderbeut”.  Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit evropian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Evropës Perëndimore nga osmanët.

Marrë nga Radio Vatikani

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>