Kur shqipen s’e njohin as gazetarët e as BE-ja

Për ta shkruar këtë artikull, mora shkas nga eventi i dorëzimit të çmimit “Jean Monnet”, organizuar nga BE-ja, ku u dëgjua gjuha angleze, maqedonase dhe serbe. Gjuhën shqipe nuk e përdori as ambasadori Zhbogar (ai foli edhe serbisht) e as përkthyesi zyrtar i ambasadës, por shqipen e ngratë nuk e përdori as kryetarja e nderit e Jurisë, gazetarja nga Tirana, Sonila Meço!

Në këtë gërshetim ngjarjesh dhe gjendjesh të natyrave të ndryshme në Maqedoni, është vështirë të gjendet pikërisht ajo që kërkon vëmendje më parësore. Akoma më vështirë është të parashikohet rrjedha e këtyre në perspektivë. Rrokullisen njëra pas tjetrës si ortekët e borës që rrëshqasin nga majat e maleve. Për zgjidhje nuk bëhet fare fjalë. Janë bërë shumë. Natyrisht që shumica e lexuesve mendojnë se burimi i të gjitha problemeve në Republikën e Maqedonisë, është kriza politike. Disa të tjerë kujtojnë se kriza i ka rrënjët te ekonomia e pazhvilluar. Një palë tjetër është e mendimit se kjo gjendje është pasojë e marrëdhënieve jo të shëndosha ndëretnike, ku shqiptarët janë komunitetit më i dëmtuar. Këtë gjykim e mbështesin te pabarazia politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, kulturore e tyre në shoqërinë aktuale. Duke mos pasur besim te partitë maqedonase, por edhe te partia që participonte në qeverisjen e vendit, popullata shqiptare mbështeti me gjithë forcën praninë e misioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian në vendin tonë. Këtë e bëri e vetëdijshme, se këto misione nuk e kanë rolin vendimtar në zgjidhjen e problemeve, por me këshillat dhe mekanizma ndikuese, këtë situatë do ta bënin më të durueshme, më relaksuese. Natyrisht që në këtë drejtim ka pasur edhe rezultate, por ne i konsiderojmë modeste, pasi jo gjithmonë kanë pasur sukses dhe, se jo gjithmonë kanë qenë konsekuente. Kanë kaluar nëntë vjet qyshkur Delegacioni i Bashkimit Evropian hapi zyrtarisht selinë nё Maqedoni. E fokusuar kryesisht nё monitorimin dhe harmonizimin e legjislacionit të vendit me kriteret juridike, ekonomike dhe politike me ato të BE-së, për të shtruar rrugën drejt anëtarësimit nё BE, por edhe te strukturat e NATO-s. Natyrisht se shqiptarët nuk janë shkurt pamës as mosmirënjohës që të mos i evidentojnë ndihmat e gjithanshme që BE-ja, si përfaqësuese’ vlerave perëndimore, ia ka dhënë shoqërisë sonë. Ne jemi të vetëdijshëm për ndihmat e shumta ekonomike (përmes fondeve dhe kredive të buta) që ia ka akorduar Maqedonisë. Jemi dëshmitarë se BE-ja ka kontribuar edhe në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm (ekonomik, politik dhe të sigurisë) të vendit. Jemi mirënjohës për shanset që po na i jep për të rrugëtuar drejt anëtarësimit në familjen e saj të madhe perëndimore-demokratike. Megjithatë kontributi i BE-së në përmirësimin e raporteve ndëretnike, kemi përshtypjen, se nuk është në nivelin e dëshirueshëm, apo më mirë me thanë, në nivelin e kënaqshëm. Ka ngecje në barazinë ndëretnike, ose, më drejtë, ka pabarazi të theksuar në mes të popullatës maqedonase dhe asaj shqiptare. Këtu dua të ndalem tek pozita shumë inferiore e gjuhës shqipe në përdorimin zyrtar të saj. E dimë që këtë pozitë ia kushtëzon Ligji përkatës, të cilin e kanë votuar edhe deputetët shqiptarë. Arsyet pse është votuar si i tillë, ne nuk i dimë, por presim të na thonë votuesit. Detyrim apo imponim nga pala tjetër, nuk besoj të ketë pasur, se ky imponim për pasojë do kishte largimin e partisë nga koalicioni. Por, kjo është një temë më vete dhe supozimet nuk zgjidhin gjë. Të fokusohem tek qëndrimi i BE-së në këtë çështje, pra në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni dhe si sillet ajo. Palët e konfliktit të 2001-shit, me prezencën e faktorit të jashtëm, edhe të BE-së, nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit, me cilën i jepej fund konfliktit dhe duhej t’i vinte në binarë të mbarë marrëdhëniet e brishta e të prishura ndëretnike, duke përmirësuar pozitën shoqërore të shqiptarëve në Maqedoni. Për aq sa mund të përmirësohej. Garante ishte dhe BE-ja. Në kuadër të këtij avancimi, përfshihej edhe ai i gjuhës shqipe. Në praktikë ky përparim nuk u vërejt aq shumë. Gjuha shqipe po përdoret aty-këtu në pushtetin lokal, me nja pesë-gjashtë llafe të deputetëve në Parlament (Në këtë legjislacion pati raste kur disa deputetë  nuk e hapën gojën edhe njëherë të vetme të thonë dy fjalë), dhe – kaq. Administrata qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë qeveritare, institucionet nacionale – nuk e përfillën fare ligjin e aprovuar sipas frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Udhëheqësit e tyre, si shkelës të Ligjit, nuk patën asnjë pasojë politike dhe juridike!!! Se ligji s’ishte ligj për të qenë, u pa tani – gjatë fushatës parazgjedhore kur partia në pushtet premtonte LIGJ për përdorimin e gjuhës shqipe. Nejse. T’i kthehemi qëndrimit të BE-së, apo më drejtë, përfaqësisë diplomatik të saj në Shkup. Dhe vërejtja jonë është kjo: në të gjithë komunikimin e saj me organet shtetërore, me organizatat joqeveritare, me subjektet private, me mjetet e informimit, me asociacionet e ndryshme në vend, ajo përdor gjuhën maqedonishte dhe atë angleze. Dhe shqiptari pyet: përse BE-ja nuk e përfill Marrëveshjen e Ohrit, të cilën e ka sponsorizuar vetë. Kur ajo thirret në ligjet pozitive, përse nuk e zbaton Ligjin për përdorimin e gjuhëve këtu? Përse nuk e përfill vullnetin e një pjese të madhe të popullatës së këtij vendi? Shqiptari i këtushëm mbase mund të dyshojë në sinqeritetin e deklarimit të BE-se për drejtësi dhe barazi. Mos vallë, me këtë praktikë, ajo mban anën e një partie politike – VMRO-DPMNE-së, e cila barazinë dhe drejtësinë i ka nxjerrë jashtë përdorimit? Po të ndodhte e kundërta, ne besojmë se edhe shqiptarët do të kurajoheshin dhe do ta shtonin besimin te BE-ja dhe te vlerat që ajo përfaqëson. Ne nuk ushqejmë iluzione se BE-ja disponon mekanizma ekzekutivë për aplikimin adekuatë të ligjeve dhe akteve të tjera normative të një shteti. As ka (as dëshiron) të përdorë masa detyruese, por shembullin mund ta japë. BE-ja e di se përdorimi i gjuhës amtare parashihet me të Drejtat Universale të Njeriut. BE-ja patjetër e di që barazia gjuhësore dhe zbatimi i drejtë i saj, janë elementë kohezioni. E, ky faktor, Maqedonisë tani i duhet më shumë se kurrë.

Në fund fare, për ta shkruar këtë artikull, mora shkas nga eventi i dorëzimit të çmimit “Jean Monnet”, organizuar nga BE-ja, ku u dëgjua gjuha angleze, maqedonase dhe serbe. Gjuhën shqipe, jo që nuk e përdori ambasadori Zhbogar (ai foli edhe serbisht), as përkthyesi zyrtar i ambasadës, por shqipen e ngratë nuk e përdori as kryetarja e nderit e Jurisë, gazetarja nga Tirana, Sonila Meço!

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>