Kuvendi i Kosovës adreson lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt  

Kuvendi i Kosovës po zhvillon seancën e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë. Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në hapje të seancës ka thënë se ndalimi Ramush Haradinajt në Francë është i papranueshëm dhe e ka cilësuar si “sulm të drejtpërdrejtë mbi lëvizjen e lirë të autoriteteve të Kosovës”. “Kosova është shtet i pavarur dhe qytetarët e saj nuk mund të ndalohen me urdhërarrest të Serbisë, të cilat, si të tilla, nuk kanë asnjë bazë ligjore”, ka thënë Lekaj. Ai e ka cilësuar të papranueshëm vendimin e autoriteteve gjyqësore të Francës për ta ndaluar zotin Haradinaj në bazë të fletarrestit nga Serbia, për krime të pretenduara, për të cilat Haradinaj është shpallur i pafajshëm në dy procese gjyqësore në tribunalin për krime lufte në Hagë. Kryeministri i Kosovës , Isa Mustafa, duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka konsideruar dhe konsideron se fletë-arrestimet nga Serbia për qytetarët e Kosovës janë tërësisht të paligjshme dhe të padrejta, si dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione politike, konflikte dhe për të dëmtuar proceset në rajon dhe më gjerë. Mustafa ka thënë se përfaqësuesit e Republikës së Kosovës kanë transmetuar tek autoritetet e shtetit të francez se fletë-arrestet e Serbisë janë të paligjshme për qytetarët e republikës së Kosovës dhe se juridiksioni i Serbisë mbi qytetarët e Republikës së Kosovës ka pushuar zyrtarisht në qershor të vitit 1999. “Qeveria e Republikës së Kosovës po punon intensivisht që akuzat e paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë ndaj personaliteteve kosovare – sepse, nuk flitet këtu dhe nuk është vetëm rasti i zotit Haradinaj – të refuzohen si të tilla nga institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sepse nuk kanë asnjë bazë juridike që ato të trajtohen më tutje”. “Kosova dhe qytetarët e saj do të jenë të unifikuar lidhur me çështjen e zotit Haradinaj dhe se vazhdimisht edhe në këto ditë do të punojmë që shteti francez sa më parë ta lirojë zotin Haradinaj dhe që ai të kthehet në Kosovë”, ka thënë Mustafa. Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se që nga dita e ndalimit të zotit Haradinaj nga autoritetet franceze, institucionet e Kosovës kanë ofruar përkrahjen dhe garancinë shtetërore që Haradinaj të kthehet në Kosovë. Ai ka theksuar se ka kontaktuar edhe me ministrin e Jashtëm të Francës, të cilit ia ka përcjellë, siç ka thënë ai, qëndrimin e prerë të Qeverisë së Kosovës si dhe sqarimin për rrethanat ligjore, si dhe motivet e Serbisë në raport me ndalimin e zotit Haradinaj. “Ministri i Jashtëm i Francës ka pasur një pamje dhe informim të plotë dhe të detajuar se kush është zoti Haradinaj, se sa partner është partner i Francës dhe i perëndimit dhe se si një rast i tillë, për politikën franceze, është i papranueshëm”. Ministri Hoxhaj ka shtuar se megjithatë, Kosova duhet t’i ruaj marrëdhëniet me vendet mike dhe se krijimi i një hendeku ndërmjet Kosovës dhe Francës do të shkonte vetëm në interes të Serbisë. Rexhep Selimi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se Qeverisë së Kosovës nuk duhet t’i ngelet hatri pse Franca ka zbatuar një urdhërarrest të Interpolit me kërkesën e Serbisë. Por, siç ka theksuar ai, institucionet e Kosovës duhet të veprojnë konkretisht që rastet sikurse i zotit Haradinaj të mos përsëriten. “Ne opozitës mundet të na ngelë hatri në Francën, por juve (pushtetit) duhet të ju ngelë hatri në Serbinë, për shkak se me Serbinë jeni takuar shumë më shpesh sesa me Francën. Me Serbinë keni mundur ta zgjidhni këtë problem. Parlamenti mund ta detyrojë këtë qeveri që të marr hapa konkret, që t’i ndërpresë bisedimet me Serbinë menjëherë dhe të vë embargo, saktësisht sanksione ekonomike për Serbinë”, tha Selimi.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>