Lamtumirë “gjeneral” BUJAR LAKO!

bujar-lako1-633x340

Është ndarë nga jeta në moshën 68- vjeçare, si pasojë e një ataku në zemër, aktori i njohur Bujar Lako. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshem rreth orës 8:30. Lajmi ka trishtuar pa masë gjithë botën e artit, teatrit e kinemasë.

Bujar Lako u lind në Lozhan të Korçës në 23 maj 1946. Studimet e larta në degën e dramës i ndjek në ILA dhe diplomohet në 1972. Pas studimeve emërohet aktor në Teatrin Kombëtar dhe në janar të 1973 fillon punë zyrtarisht pranë kësaj trupe me aktor të shkëlqyer që i kanë dhënë tonin skenës shqiptare.

Roli i parë i Bujar Lakos në Teatrin Kombëtar është në komedinë “Prefekti” të B. Levonjës, ku interpreton rolin e fshatarit të dytë, një rol i vogël në komedi dhe i pari e i vetmi i tij në gjininë e komedisë. Një vit më pas interpreton me sukses rolin e Vatës në dramën “Toka jonë”, një rol që i hapi rrugën e mëtejshme drejt suksesit. Si në teatër ashtu edhe në film Bujar Lako nuk shquhet për një numër ta madh rolesh, por në ato drama e filma që ai ka marrë pjesë ka qënë përherë i suksesshëm e ka interpretuar pothuajse gjithnjë role kryesore. Ndër rolet më të suksesshme të Bujar Lakos në Teatrin Kombëtar përmendim rolet e tij në dramën “Vizita e inspektorit”, “Monserati”, “Vdekja e një komisioneri”, “Vdekja e Dantonit” dhe së fundi në dramën “Ditë vere” më regji të të birit Boiken Lakos.

Bujar Lako depërton thellë dhe personazhet që interpreton. Ato janë të besueshëm, janë shumë të ngarkuar emocionalisht dhe kanë një ngarkesë të madhe psikologjike. Me interpretimin e tij të mrekullueshëm ai e mbërthen spektatorin dhe e zotëron shumë mirë skenën dhe nuk e lë asnjë çast spektatorin të humbasë vëmendjen. Kujtojmë tensionin që ngjall interpretimi i Bujar Lakos në dramën “Monserati”, apo në dramën tjetër “Vdekja e një komisioneri”, ku së bashku me Ndrenikën, Xhepën krijojnë një ansambël të shkëlqyer. Edhe tek drama “Vdekja e Dantonit” Bujar Lako, sikurse edhe tek shfaqja e fundit “Ditë vere” dëshmojnë për një individualitet të spikatur të skenës shqiptare, një personalitet të padiskutueshëm të saj. Suksesi dhe fama e tij në të gjithë Shqipërinë i erdhi nga filmi artistik, që nëpërmjet ekranit të madh u bë i njohur e i dashur kudo.

Në filmin artistik Bujar Lako ka kulmet e tij interpretuese dhe është pa dyshim një ndër aktorët tanë më të mirë e më të suksesshëm, gjë që vihet re nga çmimet e shumta me të cilët është nderuar.

Roli i tij i parë i takon filmit “Në fillim të verës” me regjisor Gëzim Erebarën (AM), i cili i besoi atij rolin e Mistos dhe që i shërbeu si një trompolinë për t’u hedhur në rrugën e suksesit. Ky film mbahet mend edhe për atë që është i vetmi rol në filmin artistik, ku Bujar Lako interpreton pa mustaqe.

Roli i dytë i tij ai i Martin Krekës, në filmin “Përballimi” është njerëzor, shumë i afërt me spektatorin. Rol i vlërësuar me disa çmime:

Pa i marrë me radhë shohim që së bashku me numrin e roleve rritet edhe figura e artistit Bujar Lako. Njëri pas tjetrit role që kanë mbetur në galerinë e artë të kinematografisë shqiptare si Halit Berati (aq shumë është ngulitur tek spektatori ky personazh sa njerëzit e thjeshtë e thërrasin Bujar Lakon me emrin Halit Berati), Tunço, Mujo Bermema, Luigj Gurakuqi, Spahiu, një rol i veçantë ndryshe nga të tjerët, e deri tek Gjenerali, i cili qëndron më lart se dy gjeneralët e tjerë Prosi e Mastrojani. Ajo që është karakteristika kryesore e artistit Bujar Lako dhe që e bën të dallohet nga të tjerët është thellësia e interpretimit, mendimit, forca imponuese, shprehja burrërore, vështrimi i tij i mprehtë e bindës, fotogjenia, bukuria e pastërtia e të folurit. Personazhi i Bujar Lakos është zbërthyer psikologjikisht. Si lëvizja e tij, ashtu edhe mimika janë shumë të kujdesshme e të kursyera për të mos e tepruar në individualizim. Bujar Lako mbetet nje nder aktoret tane me te shquar, nje emer i madh i kinematografise dhe teatrit, perkrah koloseve qe kane lartesuar kete art.

 

 

 

Teatër:

1973: “Prefekti”; 1974: “Toka jonë”, “Bashkë me agimin”; 1975: “Lezja”; 1977: “Gjëmimi i atij dimri”; 1978: “Doktori pacient”; 1979: “Gryka e nëmur”, “Furnalta”; 1980: “Nga errësira në dritë”, “Vizita e inspektorit”; 1981: “Kulla e hutajve”, Njerëz të thellësive”; 1984: “Ata që duhen”; 1985: “Monserati”; 1986: “Vdekja e një komisioneri”; 1995: “Vdekja e Dantonit”; 1998: “Ditë vere” etj.

 

Filma:

1975: “Në fillim të verës” (Misto); 1976: “Përballimi” (Martini); 1978: “Gjeneral Gramafoni” (Halit Berati); 1978: “Udha e shkronjave” (Tunxhi); 1979: “Ballë për ballë” (Mujo Bermema); 1982: “Nëntori i dytë” (Luigj Gurakuqi); 1983: “Dora e ngrohtë” (Spahiu); 1984: “Vendimi” (Keshilltari); 1984: “I paharruari” (Besim Peja); 1985: “Gurët e shtëpisë sime” (Tenente Moruçi); 1986: “Gabimi” (Arjani); 1987: “Binarët” (kujtimi); 1987: “Telefoni i një mëngjesi” (Nestori); 1987: “Vrasje në gjueti” (Ferdinanti); 1989: “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (gjenerali); 1996: “Kanuni”, 1997: “Amigo” (mësuesi), 2003: “Lule të kuqe, lule të zeza” (taksisti), 2005: “Syri magjik” (Petro), 2009: “Muaji mjalit” (Babai i Nikos), 2014: “Amsterdan express” (Selimi)

 

Çmime:

1977: Medaljonin e Festivalit të II të Filmit (“Përballimi”); 1977: Çmim të veçantë për filmin “Përballimi”; 1975: Mdaljon për realizimin e rolit të Besnik Pejës; 1979: Çmim i Republikës (1) për filmat “Gjeneral Gramafoni” dhe “Përballimi”; 1979: Medaljonin e Festivalit të IV të Filmit (“Ballë për ballë”); 1979: Kupën e Festivalit të filmit; 1981: Kupën e festivalit të Teatrit; 1982: Medaljen “Naim Frashëri” në TK; 1987: Artist i Merituar; 1990: Medaljonin e Festivalit të 9 të Filmit për “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në vitin 2005 ka marrë “Palmën e artë” si aktori më i mirë i Festivalit në edicionin e 29 “Cairo International Film Festival” me filmin “Megic Eye”  të regjisorit Kujtim Çashku. Ky është çmimi më i madh i marrë nga një aktor Shqiptar në një festival të kategorisë A. Në vitin 2013 iu dha titulli “Nder i Kombit” nga Presidenti i republikës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>