LETËRNJOFTIM

Rubrika/Në gjuhën tonë të bukur: shqip

 

 

Para do ditësh jam ndodhur në një pikë kalimi kufitare. Një zonjë e moshuar, udhëtare, gërmonte në çantë. S’po e gjej letërnjoftimin, tha. Qyqja, mos e kam harruar. Një djalë buzëqeshi dhe këqyri rrotull gati me keqardhje: ende i thotë letërnjoftim kartës së identitetit!

1.Kishte vend për keqardhje. Por për kë dhe për çka?

Mjafton me i lëshue një sy dokumentit që kërkonte zonja. Fjala e parë që shkruhet në krye të faqes majtas është LETËRNJOFTIM. Është shkruar me një saktësi të admirueshme: edhe pse me shkronja të mëdha (“kapitale”), nuk është bërë gabimi aq i shpeshtë, kur ë-së së madhe të shtypit nuk i vihen dy pikat përsipër. Në vijim është vënë fjala përkatëse në anglisht ID. Siç është vënë edhe për fjalët e tjera: emri/ given name, shtetësia / nationality e të tjera.

Kur pyetet dikush për emrin i thuhet si ju quajnë ose thjesht: emri?, dhe jo given name. Po kështu për vendlindjen, datëlindjen, kombësinë. Atëherë për ç’arsye u dashka thënë kartë identiteti dhe jo letërnjoftim?

2.Letërnjofim është fjalë e hershme shqipe. Ajo gjindet në të gjithë fjalorët normativë të akademisë. Në Fjalorin e vitit 1954 shtjellohet:

LETËRNJOFTIM – I em. shm. – e dokument zyrtar që përmban të dhënat e përgjithshme dhe fotografinë e një personi dhe që vlen për të provuar identitetin e tij. Një përkufizim i përafërt gjindet edhe në fjalorët e tjerë, deri te më i fundit, i vitit 2006. Asnjëri prej tyre nuk këshillon me përdorë kartë identiteti si sinonim i letërnjoftim. Togfjalëshi kartë identiteti mungon nëpër fjalorë. Letërnjoftim në gjuhën shqipe s’ka sinonim.

3.Pse pëlqehet prej shumëkujt togfjalëshi kartë identiteti, huajtur prej frengjishtes (la) carte d’identité? Madje edhe njerëzit e administratës flasin për kartë identiteti, ndonëse vetë administrata që e ka prodhuar, që e shpërndan dhe e kërkon kur duhet, e ka shkruar letërnjoftim. Për lehtësi shqiptimi? Jo, kartë identiteti shqiptohet më vështirë se letërnjoftim. Kur thua letërnjoftim, gjuha rrjedh pa pengesë.

Aq i fortë është ky parapëlqim, sa kur zonja e moshuar në pikën kufitare u shqetësua se s’po gjente letërnjoftimin, dikush aty buzëqeshi gati me mëshirë. La me kuptue se “e shkreta” jetonte me “të vjetrën”. Zonja e moshuar jetonte bash me të renë. Me emrin e saktë të dokumentit në gjuhën shqipe.

4.A thua duke e quajtur letërnjoftimin kartë identiteti, pra jo në gjuhën shqipe, bëhemi më europianë? Gjëja më kokëfortë që na njëjtëson si europianë është gjuha e lashtë shqipe. Pa gjuhën shqipe, që për ne është e shenjtë, do të kishim mbetur pa vetvetësi (identitet), pa fytyrë. Do të ishim përthithur prej të tjerëve, duke u shndërruar në popull askush, i paqenë.

A thua duke e quajtur letërnjoftimin kartë identiteti bëhemi më të ditur, më modernë?

Vështirë mund të quhet i ditur ai që harrnon dhe e shfytyron gjuhën amtare. Modern është para së gjithash kush njeh e çmon vlerat e vendit të vet dhe respekton rregullat e shoqërisë. Ndër këto rregulla është edhe cilësimi i dokumenteve me emrin e saktë zyrtar: letërnjoftim. Ashtu siç themi libreza e punës, libreza shëndetësore (dhe jo karta e punës, karta shëndetësore).

  1. Një pasaportë e thjeshtë e Mbretnisë Shqiptare dëshmon rëndësinë që u jepte shteti shqiptar i atëhershëm dokumenteve të njëjtësimit (identifikimit).

Në faqen e parë të pasaportës rendit gjashtë këshilla. Më shumë se dokumentin njëjtësues të shtetit, gjuha e përvutë e tyre të kujton një lutje në tempull. Ndihet parafrazimi i Naimit (te emrat Shqipni dhe shqiptar) dhe i Fishtës (te gjuha shqipe).

  1. T’a dijsh dhe të jesh i sigurtë se fatbardhësija dhe lumtunija e jote gjindet në Shqipni, e cila t’ep nder e të fal emnin Shqiptar.

Rueje mirë karakterin komtar dhe kryenaltësín shqiptare; bindju ligjvet dhe urdhnavet të vendit kudo që të jesh.

Çdo shqiptar âsht vllau i Yt: nderoje kurdoherë dhe ndihmoje kur të ketë nevojë.

Mos e përbuz gjuhën e nanës s’ate tue folë në gjuhë të huej kur nuk âsht nevoja.

Ndero flamurin e atdheut tând: kush nuk nderon shêjin e Komsís shnderon vehten e vet.

            Dashunija për atdhé ndihet ma tepër në mërgim, prandej ketë dashuni rueje edhe kur të këthejsh në vendin t’and.

Parapëlqimi për kartë identiteti në vend të letërnjoftim, dashtas a pahiri shpreh prirje çidentiteti, zhbërjeje. “Kush nuk nderon shêjin e Komsís shnderon vehten e vet”, shkruhet në pasaportën e shtetit shqiptar të kohës së mbretit Zog. “Mos e përbuz gjuhën e nanës s’ate tue folë në gjuhë të huej kur nuk âsht nevoja”.

Etja me u integrue në Europë nuk duhet të na shtyjë drejt tjetërsimit. Në qoftë se na pranon Europa, na pranon pikërisht si shqiptarë, pra si europianë, dhe jo si qenie pa gjuhë e me vetvetësi (identitet) të fshirë. Sidney Poitier, i pari aktor afrikano-amerikan që ka marrë çmimin Oscar (në vitin 1964) thoshte: “Për të qenë më i mirë sesa ishe, s’ka nevojë me u ba diçka që nuk je”.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>