Letra/A është Hoti në Plavë-Guci?!

Pse po heshtin partitë politike shqiptarë për tharjen e Hotit?!

I lindur në Hot të Plavë-Gucisë dhe po aty në vendlindje mora edhe hapat e parë të diturisë. I ardhur në SHBA që në klasën e 7-të të shkollës fillore, asnjëherë nuk më ikë nga mendja malli që ndiej për ato troje.

I rritur si gjithë të tjerët me thërrime buke në ato troje kreshnikësh edhe pse përtej oqeanit për çdo natë jam aty në Plavë-Guci dhe në Hot, dhe ëndrrat më te bukura ende i shoh aty.

Dora e njeriut ka bërë mrekullitë e botës për të mirën e botës, por edhe dora shkatërrimtare e njeriut dinë edhe të shkatërroj dhe bukuritë që na i ka dhënë nëna natyrë.

Kërkesë publike partive politike shqiptare në Plavë-Guci

Të nderuara kryesi të partive politike shqiptare në Plavë-Guci,

Si aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan me origjinë nga Plavë Gucia, po ju bëjë Ftesë dhe lutje që të deklaroheni publikisht para popullit të Plavë-Gucisë se: -A e përkrahni ndërtimin e Mini-Hidrocentralit gypor në Hot të Plavë-Gucisë.  Nëse nuk e përkrahni këtë projekt fantazmë a kini ndërmarrë ndonjë veprim në këtë drejtim?!

Heshtja dhe mos deklarimi i juaj është aprovim në heshtje i kësaj nisme famëkeqe. Hoti dhe hotjanët janë deklaruar qartë se kundërshtojnë ashpër këtë projekt. Po Ju?

Si një bashkëvendës i juaji nga Hoti mbi Plavë, një vendbanim ky i lan anash qëllimisht nga institucionet e shtetit malazias, për deri sot jam i zhgënjyer në të thirrurit e popullit, gjegjësisht përfaqësuesit shqiptar te tyre në institucione dhe jashtë tyre sepse heshtën kaq gjatë për Hotin.

Kur ishte rasti i njëjti në Vuthaj me Mini-Hidrocentralin Gypor reaguat dhe u deklaruat si subjekte politike, po ashtu edhe me rastin e Deponisë në Martinaj reaguan disa. Pse vallë heshtni për Hotin si partitë, e edhe shoqatat tona në Plavë-Guci, të Plavë-Gucisë?! A thua vallë nuk qenka në sferën e influencës apo interesit tuaj, apo ndoshta për Ju, Hoti nuk na qenka në Plavë-Guci, apo ndoshta u jeni nënshtruar atyre që tentojnë të nënshtrojnë Hotin në bashkëpunim me aparatin shtetëror malazias.

Hoti nuk i gjunjëzohet askujt. Hoti dinë të gjunjëzohet vetëm para Flamurit Kombëtar Shqiptar, siç e ka treguar vetengjithmonë  përgjatë historisë, por assesi nuk ju nënshtrohet apetiteve të atyre që me dorën shkatërrimtare dëshirojnë të prekin në trojet tona.

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>