Letra/Një vit i ri shkollor me shi dhe pak diell

Filloi bashkë me shiun viti i ri shkollor. Në këtë ditë kishte nuk e di se çfarë e bën qytetin të ndjehet i rënduar, sikur ka ngrënë më shumë seç duhet, një lloj rëndese e që në fakt kjo rëndesë përbëhet nga fëmijëcuk të vegjël që shtrëngojnë dorën e nënës, dhe ca të tjerë më të rritur që kanë lëshuar dorën e nënës dhe kanë kapur dorën e të dashurës apo të dashurit. Një qytet i fryrë, i ngarkuar, i rrëmujshëm dhe njëheresh një qytet i hareshëm, pushtuar nga zërat e së ardhmes. Gjithë sytë janë tek këta kolopuçët e vegjël. Prindërit shpresojnë se fëmijët e tyre do realizojnë gjithë sa ata nuk mundën në rininë e tyre ndërsa shoqëria shpreson se këta dishepuj të së ardhmes do jenë më të mirë, më të drejtë, më të bukur. Shoqëria dhe prindërit luten që këta fëmijë të mos jenë si ata. Të mos përsëritin të njëjtat gabime, të njëjtat vese edhe pse të vegjlit mund të përgjigjeshin fare thjesht: ne duam t’i përsëritim gabimet që ti mësojmë ato më mirë.

Gjithmonë në çdo vend seç ekziston një papajtueshmëri e ligjshme që siguron prindërit te thonë atë që duhet të thonë por te bëjnë të kundërtën. Dhe gjithë shoqëria ndërtohet mbi këtë mashtrim të bukur, mbi këtë dhimbje të ëmbël.

Por s’është ndonjë hata e madhe. Prindërit do dinë gjithmonë të thonë të bukurën dhe të bëjnë të shëmtuarën, do thithin cigaret në sytë e fëmijëve e më pas me zërin e butë të dikujt që nuk e njeh gënjeshtrën do thonë: cigarja të dëmton bir, nuk duhet ta pish kurrë. E më pas do shkojnë të luajnë skedina dhe bixhoz por fëmijëve do ju thonë: oh bir s’ka më të dobët sesa ata që krijojnë varësi nga forca e lojrave të fatit.  Pastaj ndonjë syresh baba trim mund të zërë edhe ndonjë dashnore por të birit do i thotë: familja është e shenjtë, nuk duhet tradhëtuar as në makthin tënd më të keq. Nënat do bëjnë thashetheme për zyshat hokatare e qëndrestare  por vajzave do ju thonë se këtyre zyshave që s’janë aq të mira u duhen çuar lule ditën e parë të shkollës dhe zarfa ditën e mësuesit. Mbi këtë llogore gënjeshtrash ngrihet  sistemi hipokrit i një shoqërie që di shumë por bën pak. Ju thuhet se dhuna është një gogol i frikshëm të cilit për ti shpëtuar duhet të sillesh mirë, dhe pasi mbarohet fjala gjuhet nëna. Ju thuhet se enët duhen larë mirë e më pas ato enë përdoren për të rrahur. Por enët nuk lahen më nga gjaku. Të gjitha këto thuhen me një qetësi të shushatur, të mekanizuar e cila jo vetëm që nuk bind kalamajt por nuk bind as ata që i thonë.

Kështu hipokrizia ushqehet, nga prindi tek fëmija…Dhe nëse fëmija, i sprovuar me logjikën e hekurt të jetës, kërkon të gjejë në shkollë atë që nuk gjen në shtëpi, sinqeritetin, edhe aty zhgënjehet. Mësuesit ndoshta janë akoma më mekanikë, zbatues të ftohtë të një rregulloreje akoma më të ftohtë. Mësuesit e mirë në radhë të parë duhet të jetë psikolog të mirë se një psikolog nuk ia fal vetes indiferencën ndaj shpirtit të tjetrit. Por jo! Ata nuk ngushëllohen as në figurën e mësuesit dhe hidhen me trampolinë tek shokët. Shokët vijnë nga e njëjta linjë mashtrimi por kur shumë mendje bëhen bashkë gjërat duken më të drejta.

Në këtë mënyrë shoqëria ndikon në psikozën e një fëmije, ngase hallkat e tjera dështuan. Më pas fëmija lutet tek muzika, filmat, emisionet, gjithë media, si tempuj të fundit të formimit të tij. Muzikë rrep, rrok, rrot, me drogë, me femra, me bar e me lopë, emisione-show që kanë vlera të mëdha edukuese duke të mësuar si të zhvishesh, si të konceptosh të bukurën përmes fytyrave që genet e natyrës i kanë tretur në silikon, femra të bukura e të zhveshura, më pas prapë femra të zhveshura e të bukura. Dhe fëmija joshet, tërhiqet, përfshihet.

Fëmijët, këta kopjacë të vegjël, imitojnë çdo veprim që shohin, jashtë e brenda shtëpisë, mësojnë nga veprimet e shembujt jo nga fjalët. Kështu fillon një vit i ri shkollor me shi dhe pak diell dhe me nevojen per te kujtuar atë mësimin e fshehur që është thënë kaq e kaq herë: nëse do të mësosh dikë të bëjë diçka të mirë duhet ta bësh vetë më parë.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>