LSI i faturon Saimir Tahirit shifrat e frikshme të drogës në raportin e DASH

luan-rama-jpg

Deputeti Luan Rama: Qeveria të pranojë dështimin me drogën, të reagojmë duke shmangur spektaklet policore me korrjen e kanabisit

 

LSI në një deklaratë të dhënë ditën e djeshme kishte zgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm, Luan Rama për të reaguar mbi raportin e DASH që e konsideron Shqipërinë si furnizuesen kryesore me drogë të Europës, falë 3 mijë plantacioneve të kultivuara. Deklarata për mediat e Luan Ramës është karakterizuar nga tone të ashpra dhe përfaqësuesi i LSI ishte i qartë kur theksoi se qeveria e drejtuar nga Rama kishte dështuar në misionin për ta ndaluar kultivimin e bimëve narkotike dhe se duhet zhvilluar një betejë bindëse ndaj narkotrafikut. “Fakti që raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit e rikonfirmon edhe njëherë shqetësimin apo faktin e rëndë që Shqipëria është një burim i rëndësishëm i marijuanës dhe një rrugë e rëndësishme e trafikimit të heroinës dhe kokainës për BE-në do të thotë që më e pakta ka munguar eficenca e veprimit të organizuar shtetëror dhe agjencive të zbatimit të ligjit për të mos lejuar krijimin e këtij realiteti. Ky konstatim shqetësues kërkon menjëherë një reagim konkret, të përgjegjshëm, të të gjitha institucioneve ligj zbatuese, të të gjitha agjencive që kanë për detyrë luftën kundër veprimtarisë së trafikut, kultivimit, shitblerjes së drogës dhe një reagim të përgjegjshëm të të gjitha institucioneve shtetërore”, tha Rama. Teksa theksoi apelin e vazhdueshëm të LSI-së për rëndësinë që ka lufta e vendosur ndaj çdokujt që rezulton i implikuar në kultivimin apo trafikimin e lëndëve narkotike, Rama nuk ka nguroi t’ia faturojë Saimir Tahirit dhe policisë së shtetit bilancin e frikshëm të shifrave të drogës që publikoi Departamenti Amerikan i Shtetit. Duke bërë fajtor ministrin e sapo shkarkuar ai ironizoi me kronikat televizive të pseudo-aksioneve në arat me kanabis teksa shtoi më tej se Shqipëria nuk mund ta luftojë fenomenin me spektakle me policë, të cilët dërgohen për të korrur kanabis apo bimë të tjera narkotike. “Është e rëndësishme të dëshmojmë realisht përgjegjshmëri dhe angazhim konkret në këtë sfidë të madhe, në mënyrë që Shqipëria të mos vazhdojë të bëjë më spektakle me transmetime televizive të policëve që çohen për të korrur kanabis apo lëndë të tjera narkotike. I bëj thirrje të gjitha institucioneve shtetërore përgjegjëse, të reagojnë menjëherë, me përgjegjshmëri dhe në mënyrë konkrete, jo me fraza, jo me demagogji dhe as me akuza apo kundër akuza, por në mënyrë konkrete dhe me veprim konkret. Jemi në prag të zgjedhjeve dhe është shumë e rëndësishme dhe prandaj them që duhet reaguar që tani, që sot, menjëherë, në kushte alarmi do të thoja, për t’iu përgjigjur shqetësimit të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë me veprim konkret që 2017-a të mos jetë një kopje e 2016-s për sa i përket kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, deklaroi Luan Rama. Sipas Luan Ramës qëndrimi i LSI-së mbi shqetësimin dhe problemin e madh të kanabizimit të vendit dhe luftën për ta parandaluar e goditur këtë veprimtari kriminale ka qenë gjithnjë institucional.  “Ne e kemi bërë prezent këtë shqetësim në të gjitha nivelet e përfaqësimit tonë në qeverisje. Ka qenë politik, ka qenë qytetar, ka qenë inkurajues dhe mbështetës për të gjitha organet e zbatimit të ligjit dhe edhe për këtë arsye jam sot këtu për të kërkuar publikisht të njëjtën gjë që ne e kemi detyrim ligjor si përgjegjësi të qeverisjes ndaj vendit, ndaj qytetarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar”, nënvizoi përfaqësuesi i LSI-së.

Në 2016 është kapur në Greqi 13 ton hashash shqiptar, 32,8 tonë marijuanë në Itali/ Në raportin më të fundit të Antidrogës greke, që i përket periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017 nënvizohet se 13 ton kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria janë kapur përgjatë një viti në Greqi. Sipas autoriteteve greke pjesa më e madhe e kanabisit të shitur në Greqi ka hyrë nga vendi ynë dhe sipas agjentëve grekë, ky fenomen ka ndodhur për shkak të çmimit të lirë dhe sasisë së madhe të kanabisit të kultivuar në vendin tonë. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Qytetarit, tregojnë se grekët janë kryesisht përdorues të drogave të lehta, siç konsiderohet kanabisi dhe ekstazia, ndërsa ka një rënie në përdorim të kokainës, ndoshta për shkak të vështirësive ekonomike që po kalon vendi fqinj. Ndërkohë që prej shkurtit të vitit 2016 e deri në të njëjtën periudhë të këtij viti janë sekuestruar 12.8 tonë kanabis i tharë dhe i përpunuar, 300 kilogramë heroinë e pastër, 125 kilogramë kokainë, 55.470 rrënjë kanabis (me peshë të paspecifikuar),si dhe 76.357 doza ekstazi. Ndërkohë një tjetër raport për drogën është publikuar edhe nga Guardia di Finanzia, ku bëhet një bilanc i operacioneve në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Italisë në luftën ndaj trafikut të narkotikëve. Në raport theksohet se gjatë operacioneve nga ajri dhe në det gjatë vitit 2016 janë bllokuar nga forca aeronavale e “Guardia di Finanza” rreth 32,8 tonë marijuanë, ndërsa janë arrestuar rreth 1900 persona.

Kapshticë, kapet 79 kg kanabis në një kamion që shkonte në Turqi/ Policia kufitare e pikës doganore të Kapshticës ka sekuestrua një sasi prej 79 kg lëndë narkotike kanabis sativa, ndërsa ka arrestuar në flagrancë poseduesi e saj. Mësohet se autoritetet kanë prangosur 41 vjeçarin Ardian Dula, banues në Tiranë. Dula ishte drejtues i një kamioni të markës “Scania” dhe synonte të kalonte në drejtim të Greqisë, por nisur nga disa dyshime mjeti u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë, ku gjatë kontrollit, në pjesën e tavanit të rimorikio u gjet e fshehur lënda narkotike. Në brendësi të tubave, të cilat mbanin skeletin e mbulesës së rimorkios, u konstatuan tuba të tjerë me ngjyrë portokalli, të cilët ishin mbushur me 79 Kg kanabis. Nga hetimet e kryera rezultoi se destinacioni i kamionit dhe lëndës narkotike ishte Turqia.

Greqi, sekuestrohen 109.5 kg kanabis shqiptar/ Policia greke ka sekuestruar një shtetas grek dhe një shqiptar në aksin rrugor Janinë-Kozani, teksa transportonin 109,5 kg kanabis sativa. Dy të arrestuarit akuzohen për transport ndërkombëtar droge, ndërsa arrestimi i tyre është kryer pas sinjalizimeve që dispononte departamenti i anti-drogës së Janinës. Në automjetin e shtetasit grek u gjet kanabisi i ambalazhuar në 25 paketa. 56-vjeçari grek e kishte marrë drogën në Kaplaki, pranë kufirit me Shqipërinë. Mësohet se 39 vjeçari shqiptar u arrestua pak më vonë, pasi me automjetin e vet ai printe në distancë të shkurtër nga shtetasi grek, duke patur rolin e pararojës, me qëllim shmangien e kontrolloeve nga policia. Përveç kanabisit, policia sekuestroi edhe një sasi mjaft të vogël heroine, një shumë parash prej 840 eurosh, dy telefona celularë, si dhe dy automjetet.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>