LSI kundër pr/buxhetit 2018, deklaron se është i përqendruar në drejtime të gabuara

Kryemadhi: Mungon mbështetja për bujqësinë, s’mund të konkurrojmë me asnjë vend

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar një buxhet më të madh për sektorin e bujqësisë. Gjatë një takimi me ekspertët, LSI bëri të ditur se nuk mund të votohet një pr/buxhet i tillë, i cili përveç faktit se është në vlera të ulëta, është i përqendruar në drejtime të gabuara. Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, u shpreh se sot prodhimet shqiptare nuk mund të konkurrojnë me asnjë vend, për shkak se buxheti që është parashikuar për bujqësinë është shumë më i ulët sesa edhe ai i vendeve fqinje. “Si mund të konkurrojmë ne me Maqedoninë si vend fqinj, kur importet po na mbysin”, tha Kryemadhi, e cila theksoi se LSI do ti qëndrojë larg bujqësisë, pasi edhe përkrahjen më të madhe ne e kemi pasur nga kjo pjesë e ekonomisë shqiptare. LSI propozon rritjen e buxhetit për bujqësinë me 2.4 %, ndërsa akuzoi shtetin se nuk ka parashikuar asnjë mbështetje për fermerët. Në tryezë u evidentua se ky sektor kontribuon në Prodhimin e Përgjithshëm Bruto me 2 miliardë euro dhe merr vetëm 0.8 %. “Fondet për bujqësinë nuk janë vetëm për këtë fushë por edhe për zhvillimin rural, i cili ndodhet në një gjendje të mjerueshme”, tha Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë. Sipas tij, deri tani Edi Rama aplikoi rilindjen e pedonaleve, ndriçimeve, fasadës, por mungoi rilindja reale, që do të përkonte me fshatin.

Spahiu i LSI akuza Ramës: Paratë e kanabisit po tenton t’i pastrojë përmes buxhetit

Qeveria po tenton të pastrojë paratë e kanabisit përmes buxhetit të shtetit. Akuza u artikulua nga deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, sipas të cilit paratë e pista mund të injektohen në ekonomi përmes investimeve në rrugë, porte apo vepra të tjera. “Fakti që ka pasur bum të hashashit, fakti që këto para ekzistojnë, mund të injektohen edhe në ekonomi. Unë këtë plan e shoh edhe si paqartësi të qeverisë. Erdhën pa asnjë program, është zgjidhje copy paste e disa ekspertëve të financave pa dhënë asnjë projeksion. Për derisa këto para ekzistojnë mund të injektohen”, tha Spahiu për Report tv. Sipas tij, nëse këto para janë realizuar në këto tregti të zezë, ose injektohen ose mbahen cash, ose transferohen jashtë. “Investime në ndërtim, në rrugë, ose porte. Transferimi jashtë i këtyre parave është kthyer në stres mesa duket, mbajtja në shtëpi, rrezikon ti humbësh. Prandaj injektohen në ekonomi”, theksoi Spahiu.

Manjani: Edi Rama që flet për stabilitet bankar është krye i pandehuri për ekonominë informale të hashashit

Kryeministri Edi Rama në një takim me bankierët ditën e djeshme foli me superlativa për sistemin bankar shqiptar, pavarësisht se në raportet ndërkombëtare Shqipëria e drejtuar prej tij është pjesë e listës me 15 vendet më të rrezikuara nga pastrimi i parave të pista të krimit dhe drogës. Fjalimi i Ramës për një ekonomi të strukturuar drejt ishte në fakt paradoksal, për vetë faktin se ai është i vetmi kryeministër në botë që implemntoi në vend politika kanabiste, për të gjeneruar miliona euro fitime nga kultivimi i drogës. Pikërisht në këtë pikë është ndalur edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani teksa komenton fjalën e mbajtur nga Rama. Sipas tij autori i ekonomisë informale të hashashit dhe krye i pandehuri po na mban leksione për ekonominë formale dhe bankat. Për ish-ministrin e Drejtësisë sistemi bankar shqiptar është i pasigurt për vetë faktin se shumë prej pronarëve të bankave janë të panjohur, ndërsa kapitalet kanë si burim vendet Off Shore. Manjani bën thirrje për reagim të menjëhershëm kundër krye autorit të informaliteti Edi Rama, i cili ka për synim të fusë ne ekonomi të gjithë paratë e kanabisit. Postimi i Ylli Manjanit: Krye i Pandehuri, (krye) autori i ekonomisë informale të Hashashit, po na mban leksione edhe për bankat dhe për ekonominë formale. Hapu dhe! Të na përpijë më mirë, sesa të shohim (krye)informalin të na flasë për formalen! Krye të pandehurin që flet për ligjshmërinë! Krye shkelësin e barazisë para ligjit, që flet për “zbatim të ligjit për të gjithë njësoj”! Fundja ky, si i kapur ne flagrancë, në krye të krimit dhe ekonomisë informale këtë punë ka: të shesë dengla me gjera që vetë i shkel, i dhunon e i përçmon! Po një pyetje e kam për Guvernatorin e Bankës së Shtetit: Si mund të liçensohen banka me aksionerë, kapitalet e të cilëve vijnë nga bota e Off shore?! A mund të flasim ne sot për sistem bankar të besueshëm dhe për ekonomi formale, kur nuk njohim pronarët e bankave? Edhe FMN e ngre këtë pyetje… Prandaj, kjo çështje meriton, jo thjesht një përgjigje, por një reagim të rreptë! Nëse ligji lë hapësira, duhet rregulluar sa më parë! Përndryshe lumi i parasë së vënë nga hashashi do futet ne banka dhe Shqipëria do bëhet shumë shpejt një imituese e parajsave fiskale, por që mbaron si firmat piramidale!!! Këto ndërhyrje, sigurisht nuk mund ti kërkohen krye autorit të informalitetit! Detyra e misioni i tij është dhunimi i sistemit legal! Largimi sa më i shpejtë i krye autorit të Informalitetit, do ta reduktojë informalitetin! Por ndërkohë Guvenatori dhe deputetët e opozitës duhet të reagojnë. Ata nuk varen nga Krye i Pandehuri! Duhet reaguar tani. Më vonë do jetë shumë vonë!

Vangjel Dule: Edi Rama duhet të sqarojë rolin që kishte në kanabizimin e Shqipërisë

Kanabisi po shkatërron çdo qelizë të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare. Kështu u shpreh kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një intervistë për Zërin e Amerikës. Dule komentoi takimin e mbajtur në Kretë mes ministrave të Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, ndërsa uroi që të ketë zhvillime pozitive, pasi sipas tij gjatë qeverisjes së Ramës, janë bërë hapa mbrapa në lidhje me Greqinë. “Jemi në një situatë të rënduar politike. Vendin e ka kapur një tumor që kërkon operacion të thellë. Sot duhet më shumë se kurrë të pranohen përmasat e fenomenit të kanabisit. Duhet të gjenden përgjegjësit”, theksoi Dule. Sipas tij, në tryezën e kryeministrit Edi Rama ndodhen disa pyetje që presin përgjigje, por ai ende nuk i ka dhënë ato. “Duhet të themi si erdhëm deri në këto nivele. Në tavolinën e Ramës ka disa pyetje për këtë fenomen? Ai ishte tolerant a bashkëpunues Rama për këtë? Nuk kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë nga Rama për narkotikët, drejtuar të rinjve. Ky fenomen monstruoz po shkatërron çdo qelizë të shoqërisë dhe ekonomisë,” u shpreh kreu i PBDNJ.

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>