Manifestim në mbështetje të Çadrës së Lirisë

bruksel

Bashkësia Shqiptare e Belgjikës organizoi dje manifestimin e paralajmëruar në mbështetje të protestave qytetare që po zhvillohen që prej datës 18 Shkurt 2017, dhe me qëllim që të

sensibilizohen Institucionet e Evropës së Bashkuar për rreziqet që po i kanosen votës së lirë dhe demokracisë në Shqipëri. Manifestimi, i cili tuboi qindra bashkatdhetarë me banim në

Bruksel dhe në qytete të tjera të Mbretërisë, u mbajt përpara selisë së Komisionit Europian, në Sheshin Shuman (Place Schuman). Ai u zhvillua nën siglën “kundër mafies shtetërore,

kundër krimit, kundër trafikut dhe drogës, kundër korrupsionit, kundër vjedhjes së votës… për zgjedhje të lira, për shtetin e së drejtës, për qeverisje të ndershme, për mbrojtjen e qytetarëve,

për liri e demokraci.” Binin në sy dhjetëra flamurë të Republikës së Shqipërisë, si edhe flamurë të Bashkimit Europian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Belgjikës. Pankarta dhe banderola të shumta mbështesnin kërkesat e manifestuesve. Ra në sy gjithashtu interesimi i mediave vendase dhe i atyre shqiptare e të huaja të akredituara në Belgjikë.

Pas Himnit të Flamurit kënduar nga Arif Vladi shoqëruar prej korit të të pranishmëve, zoti Durak Duraku ia dha fjalën e hapjes së resë Denisa Nela, mbesa e dëshmorit Havzi Nela, e

cila vuri në dukje se nuk mund të ketë zgjedhje të lira, të organizuara nga qeveria e Edi Ramës, një kryeministër i kapur nga mafia. Në fjalën e tij, Ramiz Zekolli, kërkoi zbatimin e Ligjit

për Dekriminalizimit, për ta çliruar Parlamentin e Shqipërisë dhe administratën shtetërore nga njerëz me rekorde kriminale. E reja Ermira Meta, vuri në dukje profilin politik të liderit të

opozitës, Lulzim Basha, një lider i formuar me frymën demokratike të Perëndimit. Është për këtë arsye, tha ajo, që zoti Basha hetoi dhe diti ta vërë gishtin mbi plagët që ka hapur

prej tre vitesh e ca majta në pushtet: korrupsionin varfëria, droga, etj. por sidomos mbi vjedhjen e votës së qytetarëve. Ja përse nuk mund të ketë zgjedhje të lira nën kujdesin e qeverisë

aktuale. Qemal Koldashi tha: “Ka shumë shqiptarë të mbledhur sot këtu, në këtë shesh përpara Komisionit Europian. Ata përfaqësojnë të gjitha trojet etnike shqiptare. Por, nëse kërkesat

tona nuk do të merren parasysh, shqiptarët që do të mblidhen këtu, nuk do t’i marrë më sheshi me gjithë bulevardet përreth.” Kristela Bytyçi e përshëndeti manifestimin në emër të të rinjve

shqiptarë me banim në Belgjikë, kurse Bahtir Kastrati, në emër tê LDK-së, dega për Belgjikën. Autori i këtyre radhëve vuri në dukje se mosmarrja parasysh e kërkesave të opozitës, vë në

rrezik jo vetëm të ardhmen e demokracisë, por të ardhmen e Çështjes sonë Kombëtare, kurse një Shqipëri e destabilizuar, mund ta shndërrojë gjithë rajonin në fuçi baroti, që do t’i vinte

flakën Europës e botës mbarë. Si përfaqësuese e artistëve demokratë, Shpresa Bërdëllima i

dha flakë sheshit të manifestimit. Thonë sikur çdo popull e meriton qeverinë që ka, tha aktorja e njohur. Unë them me zë të lartë jo. Le ta dëgjojnë Institucionet përkatëse të BE-së se

populli im nuk e meriton qeverisjen e Edi Ramës, përfundoi ajo  duke bërtitur me dy gishta lart “Rama ik! Rama ik!” Thirrjet e saj i shoqëroi njëzëshëm gjithë sheshi, ndërsa kryqëzoheshin

jehonat e pallateve shumëkatëshe përreth. Më pas, zonja Bërdëllima recitoi poezi të Rilindësve. Jo të  rilindësve socialistë, tha ajo me ironi, të Rilindësve tanë  patriotë. Ndërsa një delegacion shkoi të dorëzonte në mjediset e KiE-së një peticion në emër të manifestuesve, këngëtari Arif

Vladi dhe Shpresa Bërdëllima kënduan së bashku këngë kosovare.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>