Mbi 31 mln lekë dëme, KLSH kallëzon në prokurori drejtorin e Spitalit Psikiatrik Vlorë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht drejtorin e Spitalit Psikiatrik në Vlorë dhe i ka propozuar  ministrit të Shëndetësisë largimin e tij nga detyra. Nga auditimet e kryera në këtë spital, KLSH vëren se i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik mbi 26 milionë lekë, ndërsa dëmi ekonomik i mundshëm në të ardhmen shkon në 31 milionë lekë

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit me nr. 143/1, datë 13.02.2017, i ndryshuar, ka zhvilluar auditim të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali”, Vlorë për periudhën 01.01.2014 deri 28.02.2017. Raporti Përfundimtar i Auditimit është evaduar me Vendimin nr. 75, datë 30.06.2017 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe është përcjellë në subjektin e audituar me shkresën nr. 143/13 datë 03.07.2017. Nga auditimi rezultuan një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, ndër të cilat më kryesoret janë:1. Për periudhën objekt auditimi, Spitali Psikiatrik Vlorë(SPV) ka realizuar gjithsej 75 procedura me negocim pa shpallje paraprake të kontratës (procedura të reja dhe shtesa 20% të kontratës së mëparshme), në vlerën e përgjithshme 87,762,676 lekë. U konstatua se për 43 procedura me negocim pa shpallje paraprake të kontratës, në vlerën 39,717,998 lekë, Autoriteti Kontraktues(AK) nuk ka vërtetuar, argumentuar dhe dokumentuar se nevoja ekstreme apo situata emergjente ka ardhur si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të vetë AK, si dhe nuk ka vërtetuar nevojën e kryerjes së këtyre procedurave, e për pasojë, këto procedura nuk duheshin zhvilluar me negocim, por duhet të zhvilloheshin procedura të hapura në zbatim të Ligjit “Per Prokurimin Publik”. Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me Ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 33, me VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar, kreu IV, pika 5, si dhe me VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, neni 36. 2. Në tenderin e zhvilluar me objekt “Shërbimi  i lavanderisë dhe furnizimi me inventar ekonomik”, në shkurt 2016, me vlerë kontrate 112,009,392 lekë me TVSH, me afat 4 vite (01.05.2016-30.04.2020), dëmi ekonomik total i shkaktuar Buxhetit të Shtetit, nga përllogaritja e gabuar e vlerës së kontratës, është në vlerën 3,999,199 lekë për vitin e parë të kontratës dhe dëmi ekonomik i mundshëm në të ardhmen për 3 vitet e tjera të kontratës është në vlerën 11,755,860 lekë. 3. Nga auditimi i zbatimit të procedurës së prokurimit të zhvilluar me objekt “Shërbime për pastrim të ambienteve të brendshme dhe të jashtme si dhe sistemimin e ambienteve të gjelbërta të Spitalit Psikiatrik Vlorë”, dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit, nga përllogaritja e gabuar e zbatimit të vlerës së kontratës, është në vlerën 5,131,297.25 lekë me TVSH për 10 muaj të zbatimit të kontratës dhe dëmi i mundshëm/pritshëm për 38 muajt e tjera të realizimit të kontratës është në vlerën 19,498,929 lekë me TVSH. 4. Në 2 raste(Shërbimi lavanderisë dhe furnizimi me inventar ekonomik në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë” dhe “Pastrim i brendshëm dhe pastrim gjelbërim i jashtëm”, viti 2016), AK ka zhvilluar procedurat e prokurimit për prokurimin e materialeve dhe shërbimeve, të cilat janë objekt i prokurimit të përqendruar nga Ministria e Brendshme, pa marrë më parë miratimin e kësaj Ministrie, në kundërshtim me VKM nr. 28, datë 14.01.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrit, Ministrave dhe Institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, i ndryshuar, pika 1. 5. Nga auditimi i procedurave të prokurimit rezulton se Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë ka kryer në vitin 2016 procedurën e prokurimit “Evadimi i mbetjeve urbane të Spitalit Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë” me vlerë 1,479,971.98 lekë me TVSH, me një operator ekonomik privat. Evadimi i mbetjeve urbane është një shërbim i cili mbulohet nga kontrata 5 vjeçare me nr. 4558 Prot., e lidhur më datë 31.10.2014 mes të njëjtit operator ekonomik dhe Bashkisë Vlorë. Pra, për të njëjtin shërbim kompania private është paguar dy herë. Për pasojë, shuma e kësaj procedure në vlerën 1,479,971.98 lekë, përbën dëm ekonomik për llogari të Buxhetit të Shtetit.  6. Po në 2 raste, AK ka zhvilluar procedurat e prokurimit për prokurimin e shërbimeve për një periudhë 4 vjeçare, pa e argumentuar arsyen e kryerjes së këtyre shërbimeve për periudhën 4 vjeçare, duke qenë se këto janë mallra dhe shërbime, për të cilat bëhen planifikime dhe përdorime vjetore, e që gjenden lehtësisht në treg dhe mund të prokurohen normalisht me një procedurë të hapur ose kërkesë për propozim. Veprime në kundërshtim me VKM nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, i ndryshuar, neni 76 “Kohëzgjatja e kontratës”. 7. Në 2 raste, është përcaktuar privatizimi i shërbimit të lavanderisë dhe pastrimit, por nga AK nuk është përcaktuar asnjë kërkesë e veçantë për trajtimin dhe marrjen në punë të punonjësve të Spitalit, të cilëve me Urdhrin e Drejtorit të AK, datë 29.04.2016, u janë ndërprerë në mënyrë kolektive marrëdhëniet e punës me SPV, në kundërshtim me Kodin e Punës. Konkretisht, për këtë shërbim, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës 4 punonjësve të lavanderisë dhe 28 punonjësve të pastrimit. 8. Në 3 raste, kontrata e qiradhënies, është nënshkruar pa marrë më parë miratimin e Ministrit të Shëndetësisë, në kundërshtim me Urdhrin e Ministrit të Shëndetësisë nr. 506, datë 18.09.2013 “Për ndalimin e procedurave të marrjes dhe largimit nga puna të punonjësve dhe dhënien me qera të ambienteve dhe hapësirave, në institucionet shëndetësore”. Ndërsa, në një rast, Këshilli Tekniko-Administrativ i SPV, ka marrë vendim për dhënien me qira të një sipërfaqe 105 m2, me objekt “Bar-Bufe”, për një periudhë 10 vjeçare, në tejkalim të kompetencave, për arsye se për kontratat mbi 1 vit, e drejta e lidhjes së kontratës i takon organit që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore të institucionit, në këtë rast Ministrisë së Shëndetësisë. Veprim ky në kundërshtim me VKM nr. 54, datë 05.02.2014, Kreu I, pika 6, gërma b. 9. Nga mosndjekja e procedurave ligjore në ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me ish punonjësit, Spitali Psikiatrik Vlorë është paditur me të drejtë nga 22 persona, nga të cilët 12 janë në proces gjykimi, nga ku pretendohet një dëmshpërblim në vlerë totale 6,158,765 lekë fituar në shkallën e parë të gjykimit, ndërsa 10 çështje janë përfunduar, duke e detyruar Spitalin Psikiatrik Vlorë të paguajë vlerën 7,737,491 lekë, vlerë e cila përbën efekt financiar negativ për Buxhetin e Shtetit.

  1. Nga auditimi i gjendjeve debitorë rezulton se institucioni nuk ka politika të qarta për arkëtimin e detyrimeve dhe menaxhimin e debitorëve dhe nuk ka mundur të arkëtojë debitin e krijuar ndër vite në vlerën 14,808,039 lekë. Për disa nga shkeljet e mësipërme dhe për shumë të tjera, KLSH ka kryer, me shkresën nr. 143/15, datë 10.07.2017 kallëzim penal ndaj Drejtorit të Spitalit Psikiatrik Vlorë, z. K.Ll., me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal., duke i përcjellë materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ndërkohë që KLSH me shkresën me nr. 143/14 datë 03.07.2017 i ka propozuar Ministrit të Shëndetësisë largimin nga detyra të Drejtorit të Spitalit Psikiatrik Vlorë. Gjithashtu, për përmirësimin e punës, KLSH ka rekomanduar 15 masa organizative, 14 masa për shpërblim dëmi dhe 6 masa disiplinore.  Subjekti i audituar, Spitali Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit ligjor 20 ditë nga marrja e Raportit Përfundimtar të Auditimit dhe Vendimit të Kryetarit të KLSH.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>