Mbi 40 rektorë të universiteteve ballkanike dhe studiues shkencorë ishin pjesë e punimeve te konferencës së UT  

2

 Universiteti i Tetovës, si udhëheqës i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike për vitin akademik 2017-2018, gjatë dy ditëve, përkatësisht më 30 – 31 mars 2018,  organizoi konferencën IV shkencore dhe takimin e radhës të asociacionit

 

Universiteti i Tetovës, si udhëheqës i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike për vitin akademik 2017/18, gjatë dy ditëve, përkatësisht më 30 – 31 mars 2018,  organizoi konferencën IV shkencore dhe takimin e radhës të asociacionit të lartpërmendur, ku morën pjesë mbi 40 rektorë të universiteteve ballkanike dhe shumë studiues shkencorë. Pas përfundimit të konferencës, Asociacioni i Universiteteve Ballkanike në hapësirat e Universitetit të Tetovës, më 31 mars 2018, e mbajti takimin e katërt mes rektorëve të universiteteve anëtare të këtij asociacioni. Fillimisht Presidenti i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ftoi Rektorin e Universitetit për Biznes dhe Teknologji nga Prishtina që të nënshkruajë anëtarësimin e këtij Universiteti si anëtar i ri i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, pas aplikimit që ky universitet ka bërë një vit më parë. Në këtë takim u bë edhe shqyrtimi dhe miratimi i aplikimeve të universiteteve, që kanë aplikuar për anëtarësimin e tyre në këtë asociacion. Në takim, me shumicë votash u miratuan kërkesat e këtyre institucioneve të arsimit të lartë, si: Universitetit të Tiranës, Universitetit të Korçës, Universitetit “Haxhi Zeka”- Pejë, Universitetit të Shkencave Shëndetësore – Stamboll, Universitetit të Bihaçit, Universitetit të Shkodrës dhe Universitetit të Novi Sadit. Më pas u diskutua edhe për kualitetin e procesit të akreditimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar, si dhe u bë edhe shqyrtimi dhe miratimi i draft-Statutit të Asociacionit të Universiteteve Ballkanike.

Në fund të këtij takimi u realizua edhe pranim-dorëzimi i Presidencës së Asociacionit të Universiteteve Ballkanike. Pas Universitetit të Tetovës me presidencën e këtij Asociacioni gjatë vitit akademik 2018/19 do të udhëheqë Universiteti “Aristoteli” nga Selaniku. Me këtë rast Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ia dorëzoi Presidencën Rektorit të Universitetit “Aristoteli”, Prof. Dr. Pericles A. Mitkas. Ai, pas pranimit të presidencës e falënderoi Rektorin e UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ametin, për udhëheqjen dhe menaxhimin e tij të suksesshëm me asociacionin, duke shtuar se e ka menaxhuar në mënyrë të përkryer kryesimin me asociacionin e dëshmi e fortë për këtë është organizimi i konferencës dhe pritja e ngrohtë në këtë institucion.   Gjatë qëndrimit të tyre dy-ditor në ambientet e Universitetit të Tetovës, rektorët e universiteteve të ndryshme nga Ballkani vlerësuan lartë rolin dhe punën e Universitetit të Tetovës dhe Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Rektori i Universitetit të Tuzllës, Prof. Dr. Nermina Hadžigrahić, tha se konferenca në Universitetin e Tetovës është ka qenë e përkryer. “Ishte shumë interesante dhe tepër e dobishme për ne, për universitetin tonë, Universitetin e Tuzllës. I jemi shumë falënderues Rektorit Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Universitetit të Tetovës për mikpritjen dhe për gjithçka. Nënshkruam marrëveshje me Universitetin e Trakisë, që është shumë i rëndësishëm për ne dhe shpresoj se bashkëpunimi ndërmjet universiteteve tona në të ardhmen do të avancohet edhe më shumë” – tha  Prof. Dr. Nermina Hadžigrahić. Ish-Rektori i Universitetit të Sofjes “St. Kliment Ohridski”, Prof. Dr. Ivan Ilchev, e vlerësoi lartë këtë organizim shkencor. “Jam shumë i kënaqur që jam në Tetovë në Konferencën IV vjetore të AUB-së. Në fakt, unë kam marrë pjesë në të gjitha konferencat e AUB-së dhe më gëzon fakti që çdo konferencë e ardhshme është në nivel më të lartë organizmi se ajo paraprake, kështu që dua ta përgëzoj Universitetin e Tetovës për organizimin, veçanërisht dua të shpreh falënderimet e mia dhe të kolegëve të mi, drejtuesve në Universitetin e Tetovës që bënë gjithçka që konferenca të jetë e suksesshme dhe shpresoj që Universiteti i Tetovës dhe Rektori i tij do të jetë pjesë e trupit udhëheqës të Asociacionit për dy vitet e ardhshme dhe të vazhdojnë të japin kontribut të madh për Asociacionin” – deklaroi Prof. Dr. Ivan Ilchev.

Rektori i Universitetit të Trakisë, Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu, u shpreh shumë mirënjohës për organizimin e konferencës dhe takimit të katërt të AUB-së me çka u krijua një atmosferë e re bashkëpunimi mes universiteteve. “Kjo mbledhje u organizua në Tetovë. Miku im, Prof. Dr. Vullnet Ameti na priti në mënyrën më madhështore si nikoqir. Në këtë takim morën pjesë shumë universitete nga të katër anët e Ballkanit. Universitetet shkëmbyen njohuritë dhe eksperiencat e tyre duke krijuar një atmosferë të ngrohtë bashkëpunimi. Për këtë organizim e falënderoj Universitetin e Tetovës, Rektorin e nderuar Prof. Dr. Vullnet Ametin dhe stafin që u përkujdes për ne. U pritëm shumë mirë, ndaj jemi shumë falënderues për këtë mikpritje” – theksoi Prof. Dr. Erhan Tabakoğlu.

Ndërsa Rektori i Universitetit të Korçës, Prof. Dr. Ali Jashari tha se organizimi i kësaj ngjarjeje ishte një mësim dhe përvojë e mirë për të gjithë rektorët. “Ishte një organizim i shkëlqyer nga ana e Universitetit të Tetovës dhe besoj se unë dhe rektorët tjerë morëm një përvojë të mirë se si mund të organizohen ngjarje të këtilla aq të mëdha, siç ishte konferenca e katërt e organizuar nga Universiteti i Tetovës, i cili deri më tani ka udhëhequr me Asociacionin e Universiteteve Ballkanike. Me këtë rast unë dua të falënderoj të gjithë ata të cilët punuan për realizimin e kësaj konference, në veçanti Rektorin Prof. Dr. Vullnet Ametin, i cili ishte në shkallë shumë të lartë të mikpritjes dhe të organizimit të kësaj ngjarjeje kaq të madhe që u zhvillua gjatë këtyre dy ditëve në Tetovë” – u shpreh Prof. Dr. Ali Jashari.

Prorektori i Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja, Prof. Dr. Ibish Mazreku, shtoi se ky takim ishte një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave të reja mbi funksionimin e Universiteteve. “Sinqerisht e përgëzoj Universitetin e Tetovës dhe Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti për një organizim të shkëlqyeshëm, i cili ishte në frymën e krijimit të bashkëpunimeve të reja në mes të universiteteve, krijimin e ideve të reja në lidhje me funksionimin dhe fuqizimin e institucioneve të arsimit të lartë. Organizimi ishte i shkëlqyeshëm në të gjitha aspektet, unë jam shumë  i befasuar pozitivisht për këtë organizim dy-ditor këtu në Universitetin tuaj” – shtoi Prof. Dr. Ibish Mazreku.

Vlerësime për organizimin e kësaj ngjarjeje dha edhe Presidenti i ri i Asociacionit të Universiteteve Ballkanike, Rektori i Universitetit “Aristoteli” nga Selaniku, Prof. Dr. Pericles A. Mitkas. Ai tha se në këtë ngjarje organizatorët i kishin kushtuar vëmendje çdo detaji. “Kjo është vizita ime e parë në Tetovë pas rreth 40 viteve, vizita ime e parë në këtë Universitet. Jam shumë i impresionuar për organizimin e konferencës dhe gjithçka ishte planifikuar dhe realizuar shumë mirë. Mendoj se të gjithë pjesëmarrësit janë të kënaqur me atë që kemi bërë dhe se si i paraqitëm punimet në konferencë. I është kushtuar vëmendje çdo detaji, u kënaqëm me darkën e mbrëmshme dhe se atmosfera e përgjithshme na ndihmoi të gjithëve të kemi një kuptim dhe ligjërata më të mira. Shpresojmë se në Selanik do ta bëjmë të njëjtën gjë” – vlerësoi Prof. Dr. Pericles A. Mitkas. Rektorët e universiteteve anëtare të Asociacionit gjatë qëndrimit të tyre në Tetovë vizituan edhe Muzeun Historik të Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj, Xhaminë e Larme dhe vizitën e përmbyllën në qendrën turistike dimërore “Kodra e Diellit”.

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>