Me Durrësin zbardhen dëshmitë se si oligarkia po i mposht zgjedhjet e lira

dako

 

 

Rezultati i Durrësit nuk duhet parë si një humbje për Partinë Demokratike, sepse aty dështoi demokracia dhe shteti ligjor, u shtypën zgjedhjet e lira nga oligarkia, një regjim, i paralajmëruar nga vetë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që është shndërruar në trendin e ri të vendeve të Ballkanit, një sistem politik, ku mesa duket Shqipëria kryeson në plotësimin e standardeve të këtij formati.

Oligarkia e ka marrë peng Durrësin dhe këmbëngulja e vetë Ramës për të rikandiduar për së treti Vangjush Dakon dëshmon për mbrothësinë e kësaj oligarkie. Rrjeti i krijuar nga Dako, i një klientelizmi politikisht sektar, solli atë rezultat negativ për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Në Bashkinë Durrës, kemi një kryebashkiak që vjen nga bota e biznesit, të betonieres, që jep edhe beton edhe leje ndërtimi, pra një kryebashkiak që ofron shërbime si biznesmen e jo si kryebashkiak. Stili i Dakos është i njëjti me stilin e Ramës në qeverisjen lokale të Tiranës. Rama qëndroi 11 vjet në pushtet falë oligarkisë së betonit e të një rrjeti klientelist që gjeneronte vota si dengu i këpucëve në një biznes fason dhe bash kjo formulë është ndjekur edhe nga Vangjush Dako, i cili vjen nga e njëjta shkollë e oligarkisë duke u sjellë në krye të bashkisë si një CEO i një kompanie, pra shndërrimi i qytetit në një kompani, ku në krye qëndron një CEO me fasadën e një kryebashkiaku. E gjithë qeverisja “Dako” e Durrësit është jo shërbim për publikun por shërbim për rrjetin e një klientele që gjeneron vota artificiale, ku në vigjilje të zgjedhjeve, e famshmja mafioze “pizzo”-ja apo “protection money”  mblidhet në formën e votës.

Së largu, nga bashi i ndonjë anije, Durrësi të imponon pamjen e një qyteti të zhvilluar, nga pallatet e shumta, por kur zbret me këmbë në tokë e vozit nëpër qytet, pa përsiatje, kupton se çka është e zhvilluar është klientelizmi. Një pallat i ndërtuar mbi rrënoja antike kurrsesi s’është shembull i zhvillimit ekonomik, porse epitomë e një babëzie oligarkike që ngre themelet mbi një histori mijëvjeçare, për ta zhdukur atë që pas 100 vjetësh të thuhet se këtu gjenden rrënojat e betonit të Vangjushit. Sulmi mbi historinë është shoqëruar me sulm ndaj detit, e shkëputjes komplet të Durrësit nga Adriatiku, saqë deti nga rrufitja e vazhdueshme e betonit duket i helmuar.

Një qytet detar pa det, një qytet antik pa histori, ky është Durrësi i oligarkisë së Dakos ku antiku i vetëm mesa duket është vetë ai me mandatin e tij të tretë si kryebashkiaku CEO. Tashmë me hartën e re territoriale, kjo oligarki ka një Bashki-kompani me aksione më të mëdha, e cila rrezikon të sjellë infeksionin e klientelizmit dhe të betonizimit edhe në vijën bregdetare, që duhej të ruhej për të kompensuar dhe balancuar rripin e betonit të Dakos.

Kandidimi i Grida Dumës në Durrës, përpos risisë së shansit për t’u qeverisur nga një grua, që vetvetiu përbën një rikthim të antikitetit në qeverisje, nga Teuta tek Grida, ofronte për Durrësin mundësinë për t’u çliruar nga oligarkia, një luftë e përbashkët me qytetarët durrsakë që për të qenë ngadhënjyese kërkon së pari “barazi në armë”, pra të një shteti ligjor, një gjykate dhe prokurorie të pavarur. Nuk ka qenë një zgjedhje qytetare, porse një zgjedhje interesash që ka marrë peng bashkinë dhe qytetin. Këtë e dëshmon vetë harta elektorale e kandidatëve, ku Vangjush Dako, i humbur në periferi dhe në zonat e reja që i janë bashkuar Durrësit, ka korrur fitore me falangat e klientelizmit brenda në qytet, ku për 8 vjet ka krijuar dhe lëvruar një oligarki të përnjëmend me atë të Tiranës së Edvinit, e cila ndihmoi edhe në fitoren e Erjon Veliajt.

Oligarkia është fashizmi i ri, komunizmi i ri, totalitarizmi i ri, armiku i ri i demokracisë. Zgjedhjet në Durrës dëshmuan se nga Tirana e kryebashkiakut Edvin janë lëshuar rrënjë që kanë kapur bashkinë Durrës, si e afërt gjeografikisht me Tiranën e Ramës, por edhe si e afërt e një miqësie intime me Ramën në Tiranë, rrënjë të cilat  po përhapen në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në ato bashki që kanë edhe numrin më të lartë të deputetëve. Rezultati në Durrës është një klithmë e demokracisë, kuja e së cilës bën jehonë në deklaratat e ndërkombëtarëve si OSBE-ja dhe SHBA-ja. Aty nuk ka humbur opozita, përkundrazi ka fituar kauza kundër oligarkisë dhe humbësi më i madh është qeveria, që po i bie maska e demokracisë e po i shfaqet fytyra e vërtetë e oligarkisë.

 

1 Koment

  1. ToskageegaF

    27/06/2015 at 23:06

    PO PSE E PRANOJ DUMA HUMBJN APO NGA SE NUK FITOJ BINDSHEN SOCIAOOLOGARKIA .PER HIRE TE DEMOKRACISISE NE OPINIONIN BOTERORE PRANAUAN HUMBJEN DEMOKRTT E VEGJEL QE TE DUKEN ME ME PREFOMANCE
    T GJITH NGA JUGU NE VERI SIKUR KERKUAN NDJES
    bILE KOSOVA SHKOJ EDHE ME TEJ I PUTHI DOTRN OLIGARKUTE.
    DUKESH QE FUTESHIN VOTA ARTIFICIALE SA HERE QE DEMOKRATT AFROHESHI OLOGARKISE l ESHOHEJ TELKOMANDA ME DROME NGA TIRANA E KUQE KU ROLIN KRYESOR E BENTE MEDIA TV,
    SHIKONI MEDIA DUHET D E K O R O H E T sERIOZISHT JANE LODHUR SHUME DHE KANE DHEN KONTRIBUTE TE JASHZAKONSHEM ( ISHALLA I LEXON PRESIIDENETI KTO RRJESHTA SEPSE ASNHER DUK KA DEKORUAR TV,)
    pSE THONE UKU QIME NDRRON POR ZAKONIN NUK E HARRONE
    tANI DHE UJKU NYK E NDDRON LEKURE SESPE SKA KA KUSH TE FSHIHET
    DHE DONI TA DINI QE EDHE UJKU KA FILLUAR TE HANE NJERI TJETRIN
    ASHTU SIC I FAJSOJN PESHQIT
    DUKE THEN PESHKU I MADH HANE
    TE VOGLIN.
    POR EDHE KATA UJQERIT
    TANI JANE BERE TE PA D U K S H E N SI PEHQITE NE THELLSI TE LIQENTI APO DETIT E OQANIT…….