Me edukim kundër korrupsionit, e pa korrupsion në edukim

Pse duhet të shkruajmë e të flasim për korrupsionin pikërisht, kur po fillon edhe një vit i ri shkollor, ndërsa një muaj pas, fillon edhe viti i ri akademik. Me një fjalë, kur po fillon edhe një rrugëtim i nxënësve dhe studentëve për mësim nxënje, e gjithashtu po fillon edhe një përpjekje e mësimdhënësve, profesorëve  dhe pedagogëve për mësim dhënie dhe edukim sa me cilësor të brezave të rinj. Ajo që është gjithandej shqetësuese këtyre viteve të fundit është një krizë e vlerave të mirëfillta. Pjesë e kësaj krize vlerash është edhe përhapja e fenomenit korrupsion. Një e keqe kjo që ka përfshirë shumë sfera të jetës, duke mos e kursyer as arsimin.

Fjala “korrupsion” është një ndër fjalët e shpeshta që e dëgjojmë dhe e lexojmë nga mediat, por që e dëgjojmë dhe në raste të caktuara “e shohim” edhe në jetën e përditshme. Tani, fjala “korrupsion” dhe fjala “edukim”.  Dy fjalë, dy shprehje, dy antagonizma. Korrupsion dhe Edukim! A shkojnë këto bashkë? Jo, nuk shkojnë!

A duhet të ketë korrupsion gjatë edukimit?  Natyrisht jo, nuk duhet të ketë! A ka korrupsion gjatë edukimit?  Po, thuhet e shkruhet se ka! Ka edhe ate në forma shumë të ndryshme! A duhet të ketë edukim kundër korrupsionit? Po! Patjetër duhet të ketë, edhe ate vazhdimisht…!

…vazhdimisht sepse korrupsioni, fatkeqësisht, po thuhet e po shkruhet, se ka përfshi çdo sferë të jetës në vendin tonë, saqë ka nis të bëhet gati i zakonshëm, i përditshëm ! E, për ta shpëtuar këtë shoqëri dhe këtë vend nga kjo, duhet të rritet edukimi kundër korrupsion, sepse vetëm në këtë mënyrë duhet tu bëhet e qartë gjeneratave që po rriten, po edukohen e po shkollohen, se korrupsioni është i dëmshëm, është një e keqe, të cilës nuk duhet t’i japim hapësirë mes nesh, e askund në vendin tonë. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala “korrupsion” do të thotë: “E prish dikë nga ana morale dhe e bënë dikë të marr rrugë të keqe për qëllime të caktuara, e shtynë diken me anë dhuratash, ryshfetesh etj, që të veproj në kundërshtim me detyrën që ka, të shkel ligjet etj, për të bërë shërbime”. Ndërsa fjala “edukim” nga po i njëjti fjalor ka kuptimin; “marr edukatë, mësoj si të sillem në familje e në shoqëri”. Në shoqërinë tonë ekziston një shprehje se “botën e sjellin paratë” ! Por, kjo shprehje do të duhej të shërbej vetëm për sferën e biznesit. Kjo shprehje nuk do të duhej të gjejë vend në proceset edukative e arsimore të vendit tonë ! Sepse, më para mund të blesh shumë çka, por jo edhe dijen! Natyrisht se me para mund të paguash shkollimin, mund të regjistrosh shkollën, kolegjin, fakultetin, por nuk mund ta blesh dijën! Mund të paguash mjekun, por nuk mund të blesh shëndetin, mund ta blesh orën, por jo edhe kohën! Prandaj, pikërisht për këto arsye është i domosdoshëm edukimi kundër korrupsion. Kjo domosdoshmëri vjen nga fakti se edhe kjo fushë, sikur shumë të tjera, është prekur nga ky fenomen. Sa për ilustrim, ja disa shembuj: Nxënësi(kandidati) i caktuar duhet regjistruar në këtë klasë ose atë drejtim, edhe pse është më i dobët se shumë bashkë moshatar të tij ! Pra, jo pse e meriton, por, për shkak se ai/ajo është djali /vajza e këtij ose atij zyrtari ose personaliteti dhe nëse ja pranon djalin/vajzën në klasë/shkollë, ai (zyrtari i lartë) pastaj do të më bëjë këtë ose atë favor !!!

Ose, rastet kur nxënësi apo studenti duhet të marr notën “të shkelqyeshme” jo pse ka ditur, por për shkak të njërës apo arsyes tjetër, e që lidhet me një interes privat të mësimdhënësit! Apo, rastet kur nxënësi/ja gjatë gjithë vitit për shkak të pa interesimit të tij/saj ka shumë nota të dobëta dhe vetëm për dy-tri javët e fundit të vitit shkollor, falë telefonatave të prindit, apo edhe vizitave të caktuara të tij në shkollë,  ai/ajo, arrinë suksesin e dëshiruar! Ose, rastet kur mësimdhënësit e lëndëve të caktuara, nxënësve që nuk janë të këtij rrethi (prej atyre që ka ndonjë interes) qëllimisht u vënë nota më të ulëta sesa që i meritojnë, duke u imponuar atyre që ata të shkojnë në “Kurset e tyre private” ! D.m.th. edhe një interes tjetër privat i nxjerr nga puna në shërbim publik. A është ky konflikti i interesit ? Besoj po. Dhe teoria kundër korrupsion thotë që; parandalimi  i konfliktit të interesit është masë për parandalimin e korrupsionit. Këto janë vetëm disa nga format më të thjeshta të korrupsionit në edukim, të cilat i shohin dhe i kuptojnë edhe vet nxënësit/studentët në përditshmërinë e tyre, sepse jam i bindur se nga këndvështrime tjera të nivelit qoftë hulumtues, studiues apo hetues, sigurisht se këto forma do të quheshin elementare, në krahasim me analiza, studimet e hetimet për një sistem të tërë korruptiv, që shpesh herë fillon qysh me hartimin e planprogrameve shkollore, përzgjedhjen e personelit arsimor dhe menaxhues të institucioneve edukativo-arsimore, botimin e teksteve, organizimin e ekskursioneve shkollore, etj, etj, e deri te vet diploma. Mënyrat si si të parandalohet dhe si të luftohet korrupsioni në edukim, do të duhej të ishin rregullat e shkruara, transparente dhe të zbatuara praktikisht.

Pra, krijimi i rregullave, qofshin ato ligje, rregullore, apo kode të etikës (mirësjelljes),  të cilat do të ishin obligative për të gjitha palët e përfshira në procesin edukativ-arsimor. Që do të thotë, rregulla që përfshijnë nxënësit, personelin arsimor e menaxhues të shkollave dhe prindërit, sepse të gjithë këta janë aktorët kryesor ose shkaktarët e korrupsionit  në edukim. Këto rregulla do të duhej që të ishin hartuar në atë mënyrë që të parandalonin korrupsionin, p.sh. duke shmangur konfliktin e interesit që mund të kenë mësimdhënësit. Pastaj edhe rregulla që do të luftonin këtë fenomen, duke pamundësuar prindërit që të ndikojnë në çfardo forme në procesin e vlerësimit të fëmijëve të tyre, duke tentuar të korruptojnë personelin arsimor dhe menaxhues të shkollave për të favorizuar fëmijët e tyre, si dhe duke paraparë masa ndëshkuese për të gjithë mësimdhënësit të cilët pranojnë, lejojnë ose në rastet edhe më të këqija kërkojnë, të jenë të korruptuar. Edukimi kundër korrupsion duhet të jetë domosdoshmëri në të gjitha nivelet e arsimi dhe edukimit, qoftë përmes lëndëve të caktuara mësimore, qoftë në forma tjera, sepse efektet e korrupsionit në edukim janë shumë negative. Në radhë të parë janë dekurajuese për nxënësit/studentët  e mirë, të zellshëm e punëtorë.

Pastaj, pikërisht nxënësit/studentët që kalojnë proceset e edukimit dhe shkollimit duke e pas aleat kryesor korrupsionin, shumë shpejt po dalin si kuadro që pastaj po zënë vende të rëndësishme në institucionet tona publike. Dhe pastaj, çka të pres shoqëria ose vendi ynë nga kuadrot që janë edukuar e shkolluar, ose thënë më mirë, që kanë kaluar nëpër nivelet shkollore duke korruptuar? Një vlerësim ndërkombëtar për nivelin e arsimit në Kosovë, edhe ate shokues, na erdhi nga  “PISA 2015”. Edhe pikërisht kjo është një nga këto pasoja. Prandaj, këtë fillim të vitit të ri shkollor e akademik, të gjithë personelit arsimor e pedagogjik, të gjithë nxënësve e studentëve, si dhe të gjithë prindërve të tyre, do t’ua uroja me dëshirën për shëndet dhe me fjalinë; “Pa korrupsion në edukim, por, me edukim kundër korrupsion”!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>