Me mospranimin e hetimit, Opozitës i lind e drejta të ndërmarrë çdo hap tjetër

berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha: “Refuzuesit e hetimit ndërkombëtar, përgjegjësit e mega-aferës korruptive me CEZ”

Precedenti/Hetimi ndërkombëtar arrestoi vrasësit e Azem Hajdarit

 

 

 

Gjatë seancës së djeshme parlamentare, ku në rend të ditës ishte projektligji i Opozitës për të lejuar një hetim ndërkombëtar të aferave korruptive me CEZ-n, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se kjo është një çështje ndërkombëtare e cila kërkon një hetim ndërkombëtar nga dita e parë e privatizimit e gjer sot. Duke denoncuar vjedhjen e 800 milion dollarëve që sipas tij gjobiti çdo shqiptar me 1200 euro, z. Berisha i bëri thirrje maxhorancës që ta votonte propozimin opozitar. Në kuadër të kësaj, ai përmendi çështjen e vrasjes së Azem Hajdarit, ku falë një hetimi ndërkombëtar u mundësua arrestimi i vrasësve. Më tej, ish-kryeministri Berisha theksoi se qeveria e tij e çoi në arbitrazh CEZ-in dhe se sipas avokatit të kontraktuar, një nga më të mirët në Europë, çështja ishte e fituar për palën shqiptare por Rama fshehu dokumentet në favor të Shqipërisë dhe bëri një mega-marrëveshje korruptive me CEZ-in, duke futur në xhep sipas z.Berisha disa milionë dollarë. Kjo marrëveshja, theksoi ish-kryeministri, u votua në Kuvend me urdhër të Ramës dhe parashikon edhe vjedhjen edhe amnistinë e hajdutëve. Në përfundim, meqenëse refuzimi i Edi Ramës për hetim ndërkombëtar ishte bërë publik një ditë para seancës, qëndrim i konfirmuar edhe nga Gramoz Ruçi në emër të grupit parlamentar të PS-së, ish-kryeministri Sali Berisha nënvizoi se për të mbrojtur interesin publik opozitës i lind e drejta të ndërmarrë çdo hap tjetër.

“Superafera korruptive ju ka kushtuar ju, secilit prej jush 1200 euro gjobë personale, pa llogaritur rritjen e çmimit, ndërprerjet e energjisë, pa llogaritur gjobat e tmerrshme dhe të pamerituara të enteve energjetike ndaj jush vetëm e vetëm për të mbushur gropën e krijuar, pa llogaritur bizneset e falimentuara dhe shpunësimet për shkak të kësaj afere. Parlamenti ka mure dhe muret janë memoria e tij. Në këtë sallë, jo një herë por dhjetëra herë unë kam denoncuar këtë aferë. Kam denoncuar dhe denoncoj përsëri, në memorien time dhe në historinë e vendit kjo është afera korruptive më e tmerrshme që ka ndodhur ndonjëherë. Kam denoncuar kohë para se të dalin të dhënat në arbitrazhin e Vjenës, kam denoncuar se një aferë, në të cilën enti energjitik shqiptar, ose le të themi autoritetet shqiptare ishin palë me autoritetet e CEZ-it, CEZ-it sipas dokumenteve të pakundërshtueshme iu falën në zarf të paktën 800 milionë euro, sepse këtë thotë auditi ndërkombëtar. Është e vërtetë se ne, entet tona i kishim CEZ-it 200 milionë euro. Pra, borxhi neto, pa claimet e dëmtimeve, borxhi monetar ishte 800 mln euro. Kam denoncuar me hipotezë, një veprimtari të qëllimshme të Edi Ramës të lidhur direkt me komisionerin Fule, e kam bërë kur ai ka qenë me funksion, e kam bërë sepse interesi vendit tim më shtyn mua të mbroj me çdo kusht interesin publik të shqiptarëve. Nuk e kam bërë me kënaqësi këtë, por e kam bërë sepse kam parë aferën e tmerrshme që po rëndon mbi qytetarët.

Në çdo moment, qeveria ime është bazuar në dy parime. Parimi parë; të ndihmojë me gjithçka për suksesin e CEZ-it brenda ligjeve të vendit, parimi dytë; të mbrojë me çdo kusht interesin publik. Kjo ka qenë. Ti që leh nga vendi (i drejtohet T.Ballës), duhet të dish se ka dy vendime gjykatash për atë çështje, është qeveria ime që e ka çuar në gjykatë atë, ka vendim gjykate për atë çështje, ka vendim të shkallës së parë dhe vendim të shkallës së dytë për të. Po të isha pajtuar nuk shkonte në gjykatë, po të isha pajtuar nuk jepte dorëheqjen. Pra, në çdo rast është mbrojtur interesi publik. Momenti kur CEZ falimentoi, natyrisht ishte e domosdoshme heqja e liçensës, duke u marrë me të gjithë bazën ligjore. Edi Rama dhe çakejtë e tij sulmuan haptaz se po sulmojmë CEZ-in, se përzumë CEZ-in, se i hoqëm liçensën, dokumenta këto që do përdoreshin në arbitrazh kundër palës shqiptare. ERE nga ana e saj në bashkëpunim me BB mori kompaninë që do përcaktonte proçedurat e heqjes së liçensës. Autoritete të tjera, nga ana e tyre morën kompani të tjera të cilat do të bënin auditin dhe vlerësimin e dëmeve të borxhit. Ka qenë Haxhinasto, ministër i ngarkuar nga unë për të kryesuar grupin, dhe në dijeninë time ai ka bërë punën, ka përcaktuar me dokument rrugën që duhej të ndiqej dhe atë nuk e ka bërë me kokë të vet, atë e ka bërë në bashkëpunim me BB, e cila ishte ndërmjetës pasi kishte menaxhuar privatizimin e CEZ. Pasi iku CEZ, natyrisht çoi mesazhe se duhet ta zgjidhim me pajtim dhe për këtë arsye mundësoi një takim në Vjenë. Çfarë ndodhi në Vjenë, ja u them unë ju. Pala shqiptare u përfaqësua me një nga avoketërit më të mirë ndërkombëtar që ka Europa sot dhe nga përfaqësues të autoriteteve. CEZ-i kërkoi 85 milionë euro dëme dhe u zotua se çështjen e DIA-s do ta zgjidhte vet CEZ, është çështje e tyre jo e palës shqiptare. Avokati ynë u përgjigj duke e pyetur se po me ato 600 milionë euro fatura detyrime financiare ndaj doganave, tatimeve, OST, KESH etj etj, çdo bëhej me to, a do i pranonin ato? CEZ iu përgjigj se nuk do i pranonte. Atëherë përgjigja ishte se edhe ne nuk do pranojmë pajtimin, ne do shkojmë në arbitrazh ndërkombëtar. Avokati ynë, i cili është një nga më të suksesshmit na thotë se ne do ta fitonim çështjen sepse kemi gjithçka të dokumentuar. Të dhënat që erdhën nga kompanitë ndërkombëtare ishin kryekëput mbështetëse për palën shqiptare. Kompanitë e kontraktuara nga ne për avokati, që të gjitha u morën nga lista që sugjeroi BB, e cila sugjeroi kompanitë më të mira. Por, çfarë ndodhi. Qeveria shqiptare fshehu, Edi Rama i fshehu publikut, Gjiknuri i fshehu publikut, rezultatet e këtyre kompanive. Këtu keni qënë, i kemi kërkuar ti dorëzoni në Parlament, kemi kërkuar me insistim ti dorëzoni në Parlament ndërsa ju keni refuzuar në mënyrë kategorike. Natyrisht ne i kishim, ne i dinim, por donim që ti merrnin vesh shqiptarët, në mënyrë legale nga Parlamenti i tyre. Qytetarëve u fshehët studimi i kompanive ndërkombëtare, nga ana tjetër filluat përsëri sulmin ndaj qeverisë së mëparshme, paçka se kishte trajtuar pikë për pikë në të gjithë proçedurën ministri Haxhinasto dhe e kishit në koalicion, se është përzënë dhe i është hequr liçensa CEZ-it padrejtësisht, gjë e cila kur e thotë qeveria në pushtet e bën zero shansin e arbitrazhit sepse qeveria në pushtet merr fajin e palës shqiptare, merr përgjegjësitë e palës shqiptare. Nuk ka ndodhur kurrë në histori kjo. Cfarë ndodhi. Siç ishte rakorduar, thoni për veton që të vjedhim bashkarisht, flisnit se do vëmë veton për Shqipërinë që të vjedhim bashkarisht. Dhe kështu u bë. Qeveria çeke s’mund të vinte kurrë veton, ajo nuk mund të bllokonte kurrë vendimin politik të BE për një çështje tregtare. Ne nuk thonim se nuk e njohim, por ne thonim se do ta zgjidhim me arbitrazh ndërkombëtar dhe ajo s’mund të përbënte kurrë motiv vetoje, ajo ishte një veto e kërkuar atyre që u duhej për të ndarë patratë. Nuk ekziston asnjë vendim zyrtar i qeverisë çeke që të bllokohej Shqipëri derisa të firmosej marrëveshja me CEZ-in. Kjo ishte një kërkesë e Edi Ramës sepse duheshin ndarë paratë dhe duhej përdorur një pretekst. Unë nuk dua të ngre aludime për asnjëri, kam shprehur dyshimet e mia që kam patur për qëndrimet e komisionerit Fule. Uroj që të ketë qënë e izoluar, por normale nuk e quaj, Nuk e quaj aspak normale as qëndrimin e zotit Kopac, për të cilin kam respekt, por nuk është normale që të thotë se u firmos në zyrën e tij marrëveshja. Po pse ai duhej të ishte kumbari marrëveshjes, ç’punë kishte ai me marrëveshjen, cila është kjo marrëveshje që ai interesohet me kaq vendosmëri dhe detyohet të vi në Tiranë për të bërë diversion para qytetarëve për të mbrojtur Ramën? Kjo nuk qëndron. Unë kam shumë respekt për institucionin, Komisionin, por kjo është një shkelje, nuk mund të vish se pastaj më duhet të të shtroj pyetjen; a ke ndonjë lidhje me CEZ-in dhe a jeni në konflikt interesi. Dhe unë nuk di të ketë asnjë lidhje por nuk mundet një zyrtar nga Brukseli, të shkulet dhe të vij në komisionin e veprimtarive prodhuese të Parlamentit për tu thënë shqiptarëve, se ajo marrëveshje që firmosi Edi Rama, pas gjysëm ore hoqi veton. Çfarë po bënim ne? Po i drejtoheshim drejtësisë ndërkombëtare, arbitrazhit ndërkombëtar. Po pse ne ishim më të fuqishëm se ala çeke? Jo ore jo, por ne besonim se kishim të drejtën me vete. Edi Rama thotë se do humbim qindra milionë, bashkë me Kopac. Zotërinj po nëse do nisemi nga kjo prerogativë atëherë duhet ti shuajmë gjykatat, s’duhet të ketë më gjykata. Sepse po të nisesh se spo shkojmë në gjykatë se po e humbasim çështjen atëherë për çfarë duhen gjykatat? Ne kërkonim arbitrazh ndërkombëtar, nuk kërkonim arbitrazh në hënë, dhe Edi Rama sulmoi qeverinë shqiptare bashkë me Damianin e tij dhe firmosi në kulisa marrëveshjen me të cilën mund të ketë marrë 10, mund të ketë marrë 30, mund të ketë marrë 50 milionë, x milionë por e sigurtë se pa u shpërblyer nuk do mbetej.

Sot ne kemi bërë një diskutim në kryesi se ky ligj duhet të jetë me 3/5 apo s’duhet të jetë. Po t’u pyes unë, neni 19 që votuat ju këtu, neni turpit i cili thotë “ne vodhëm e vodhëm por nuk po dënohemi”, a është një lloj amnistie apo jo, a është nen amnistie, a është nen që merr pushtetin e drejtësisë? Ka vetëm një rrethanë mbi tokë në Kushtetutën e këtij vendi, kur ky institucion merr pushtetin, atë e ka përcaktuar Kushtetuta; ajo ka përcaktuar kushtet kur Parlamenti ka të drejtën e amnistisë. Në asnjë rrethanë tjetër s’mund të ndërhyjë në çështje në gjykim. Ai që ka frikë nga hetimi ndërkombëtar… Ndaj dhe, mendoj se paqja dhe stabiliteti i vendit e kanë jetik këtë hetim. E shifni sa ndërkombëtare është çështja? Çështja është shumë ndërkombëtare, ndaj dhe duhet hetim ndërkombëtar.

Çështja e DIA-s dhe neni 19 si dëshmi e vjedhjes

Tani do vijmë të çështja e dytë, çështja DIA. DIA është një kontratë midis CEZ dhe një kompanie shqiptare private. Qeveria nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë te çështja e nënkontraktorëve, ka një ligj që përcakton çdo marrëdhënie. Por, meqenëse doni ta dini, sapo janë bërë të qarta veprimet abuzive të përbashkëta CEZ-DIA, menjëherë janë nisur në prokurori. Dhe është qeveria e mëparshme, avokati i shtetit të mëparshëm që ka futur për ndjekje penale aktorët e këtij kompleksi dhe jo vetëm DIA-n por dhe kompanitë e tjera të cilat po ndiqnin praktikat e DIA-s. Çfarë bëtë ju? Ju i amnistuat me nenin 19, ju votuat këtu për ti amnistuar ato. Ato ishin të gjitha në ndjekje. Dhe prokuroria pak ditë më parë ndaloi, njoftoi se ska më ndjekje, sepse zbatoi nenin tuaj. Cdokush mund të pyesi po ç’bëri opozita. Opozita në mënyrën më të vendosur ka denoncuar në këtë platformë, fuqishëm, këtë mega-aferë korruptive, opozita kishte përgatitur të gjithë planin, në mos gaboj marrëveshja iu votua më 31 korrik. Për ata të cilët shtrojnë pyetjen se çfarë bëri opozita, opozita bëri shumë, opozita denoncoi disa herë këtu në Parlament, natyrisht hapa ligjorë nuk mund të marrësh dot për një dokument që nuk është votuar. Dokumenti s’ishte votuar. U votua, sollëm nismën ligjore këtu për të hequr nenin 19. Nëse ju nuk pranoni hetimin, pastaj opozitës i lind e drejta të ndërmarrë çdo hap tjetër në mënyrë që të mbrojë interesin publik.

Hetimi ndërkombëtar arrestoi vrasësit e Azem Hajdarit

Nëse, vrasësit direkt të tribunit të lirisë Azem Hajdari u burgosën, kjo është meritë e prokurorëve ndërkombëtarë në radhë të parë. E di unë se si ka qenë ajo. Dy prokurorëve ndërkombëtarë. Unë nuk isha kaq i kënaqur me punën e tyre sepse ata mbetën në një nivel por prapë se prapë u garantoj shqiptarëve se po të mos ishin ata asnjë nga vrasësit nuk do dënohej. Ua u them se unë di çdo gjë për atë problem. Ndaj dhe ne kemi një praktikë me prokurorë ndërkombëtarë. Njëri prej tyre suedez, i shkëlqyer, përfaqësoi vendin e tij në prokurorinë e Kosovës për krime kundër luftës, tjetra norvegjeze ka punuar në vende të tjera po në këtë fushë. Nuk ka asgjë të turpshme këtu ti thërrasësh. E vetmja gjë që s’mund të bësh, dhe jam dakord me ty, është që ti smund të bësh kurrë një ligj që do një prokuror francez, gjerman, amerikan, këtu kjo nuk bën. Ti do hetimi ndërkombëtar. Pastaj mekanizmat ndërkombëtar, institucionet ndërkombëtare janë ato të cilat e vënë vet në lëvizje, ti je anëtar i këtyre mekanizmave”, u shpreh ish-kryeministri, Sali Berisha.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>