Me penë dhe me gjak…/Atë Bernardin Palaj françeskan

bernadin_palaj

Edhe në Bibël mali është simbol i vendit të takimit me Zotin, vendi ku jemi më afër Zotit. Atë Bernardini lindi pikërisht në një zonë malore, e quajtur Palajt e Shllakut, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894. Teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë, professor dhe shkrimtar. Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar.

Ndërsa, më 1944 rikthehet famullitar, i turbulluar në shpirt mësohet t’i ketë thënë mikut të tij, Karl Gurakuqit:

“Do të tërhiqem në nji famullí të malevet të mija të dashuna dhe aty ku mbahet gjallë fryma e shpirtit arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash sa e sa vjet, tue gjurmue në historinë, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të përplotësoj e do të sistemoj rapsodít, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë”.

Vuante nga zemra. Në vitin 1946 u arrestua dhe vdiq ndër tortura “in odium fidei”, d.m.th., “për urrejtje ndaj fesë”, më 2 dhjetor të këtij viti, nga tetanozi, i lidhur me tela të ndryshkur, para se të “gjykohej” në Shkodër, më 8 dhjetor 1947.

Atë Bernardin Palaj diti të dhurohej i tëri, siç di të dhurohet ai që ka thirrjen për të qenë një luftëtar i dritës. Në fakt “Një luftëtar e di se qëllimi nuk përligj mjetin. Sepse nuk ka qëllim: ka vetëm mjete. Jeta e shpie nga e panjohura drejt të panjohurës. Çdo minutë është e mbuluar nga ky mister i zjarrtë; luftëtari nuk e di se nga vjen, as se ku shkon. Por këtu ai nuk gjendet rastësisht. Dhe ngazëllehet që befasohet, magjepset që zbulon peisazhe të rinj. Shpesh ka frikë, por kjo është e natyrshme për një luftëtar. Në qoftë se mendon vetëm për qëllimin e udhëtimit, atëherë, s’do të tregojë mjaftueshëm kujdes për shenjat e rrugës. Nëse përqendrohet vetëm te një pyetje, atëherë do të humbasë shumë përgjigje që gjenden pranë. Dhe luftëtari jepet i tëri”.

Pikërisht kjo prirje për t’u dhuruar i tëri, për t’u dhuruar deri në fund, bëri që atë Bernardini, të lartësohej në nderin e Altareve, më 5 nëntor 2016, bashkë me 37 shokët e tjerë martirë të regjimit komunist në Shqipëri.

Tani ne mund t’i drejtohemi me zemër: I Lumturi Atë Bernardin Palaj, lutu për ne!

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>