Me penë dhe me gjak…/Atë Gaspër Suma – Françeskan

gasper_suma

Njerëzimi ka nevojë për shembuj, për modele, për barinj që e udhëheqin me dashuri. Një ndër këta shembuj ishte dhe do të mbetet përgjithmonë edhe atë Gaspër Suma.

Ai lindi në Shkodër, më 22 mars 1897. U shugurua meshtar, më 24 korrik 1921 dhe ka shërbyer gjithmonë në zonat më të vështira malore, siç është në traditën ungjillore françeskane: në Theth, në Brigje të Hotit dhe në Gomsiqe.

Ka pasur një shpirt të madh vetëflijimi. Qe arrestuar dhe vdiq në burgun e Shkodrës, më 16 prill 1950. Mundimet që iu shkaktuan “In odium fidei” (për urrejtje ndaj fesë), bënë që ai të jepte shpirt me gëzimin më të madh të zemrës se po dhurohej deri në fund. Eshtrat e tij prehen në njërën prej Kishave Françeskane të Shkodrës.

Kush e kujton atë Gasprin, kush mediton mbi jetën e tij dhe mbi besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe vëllezërve, nuk mund të mos përmallohet e të mendojë edhe për atë skenë ungjillore ku Jezusi mallëngjehet duke parë turmat e njerëzve të braktisur dhe të lënë pas dore, si delet pa bari:

«Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë. Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. Atëherë u tha nxënësve të vet: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.” (Ungjilli sipas Mateut 9, 35-38)».

Atë Gaspri, u shpall i Lumtur nga Kisha Katolike, më 5 nëntor 2016, bashkë me 37 shokët e tjerë Martirë të regjimit komunist. Zotit i qoftë lavdia, që me Shpirtin e Tij e fuqizon Kishën me barinj të shenjtë sipas Zemrës së Tij! Amen! Aleluja!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>