Me penë dhe me gjak…/Atë Luigj Paliq

Atë Luigj Paliq lindi në Janjevë (Kosovë), në Arqipeshkvninë Shkup- Prizren, më 21 shkurt 1879. Pas shkollë fillore në vendin e lindjes, u transferua në Shqipëri, ku hyri në familjen rregulltare të Fretërve Minorë, në Kuvendin e Troshanit (Lezhë). Në Troshan bëri noviciatin. Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896- 1901. U shugurua meshtar, më 21.09.1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e shën Antonit në Gjakovë. Ndërroi emër nga Mati në Luigj, sepse ishte shumë i prekur nga jeta e Shën Luigj Gonzagës.

Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studime pas-universitare. Gjatë viteve 1905-1907 qe famullitar në Arqipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907-1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë). U martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913.

Ishte një njeri i vendosur. «Luftëtari i dritës provon një lloj tmerri përpara vendimeve të rëndësishme. “Kjo është shumë e madhe për ty”, i thotë një mik. “Ec përpara, sypatrembur”, i thotë një tjetër. Dhe dyshimet e tij sa vijnë e rriten. Pas disa ditësh plot ankth, kridhet në prehje shpirtërore brenda në çadër, ku e ka zakon të ulet për të medituar dhe për t’u lutur. Ai e shpie veten në të ardhmen. Shikon se kush do të përfitojë e cili do të humbasë nga qëndrimi i tij. Ai nuk dëshiron të shkaktojë vuajtje të kota, por nuk do as të braktisë rrugën. Atëherë luftëtari e lë vendimin të dalë vetiu. Nëse duhet thënë po, do ta thotë me guxim. Nëse duhet thënë jo, e bën pa iu dridhur qerpiku». (Pjesë e shkëputur nga Manual i Luftëtarit të Dritës i Paulo Coleho).

At Luigj Paliqi dhe dom Gjon Gazulli janë të vetmit martirë që i takojnë kohës para komunizmit. At Luigj Paliqi u vra me atentat nga serbët, ndërsa dom Gjon Gazulli u var nga Zogu në një shesh të Shkodrës në vitin 1927. Për këta të dy po zhvillohet proçesi dioqezan për t’i shpallur të Lumtur, ashtu siç u shpallën të Lumtur 38 martirët që dhanë jetën për Krishtin gjatë regjimit ateist, që për disa dekada sundoi në Shqipëri.

E bekojmë Zotin për këtë lulëzim shenjtërie që e ka bekuar popullin tonë të shumëvuajtur!

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>