Me penë dhe me gjak…/Atë Mati Prendushi – Françeskan

prendushi

Përgjegjësia duket sikur nuk ekziston në fjalorin e botës së sotme. Shumë rrethana dhe mjete aktuale kanë bërë që njerëzit të mos jenë të përgjegjshëm, të mos marrin vendime të përjetshme, të mos kenë forcë për të dhënë jetën për një ideal.

Falë Zotit, historia na ka dhuruar shembuj heroikë njerëzish që kanë vlerësuar përgjegjësitë e marra duke dhënë edhe jetën e tyre.

Kështu ishte Atë Mati Prendushi. Ai lindi në Shkodër, më 2 tetor 1881. U shugurua meshtar, më 25. 03. 1904. Mori pjesë në kryengritjen e Malsisë së Madhe dhe në Deçiq në vitin 1911. Ishte me Dedë Gjon Lulin dhe të tjerët kur u ngrit flamuri shqiptar. Qe provincial i françeskanëve në Shqipëri nga viti 1944 deri në vdekje. Më 15. 11. 1946 qe arrestuar me akuzën e rreme se kishte fshehur armë nën altarin e shën Antonit në Kishën Françeskane të Shkodrës, dhe për këtë qe pushkatuar nga komunistët.

Fjalët e tij të fundit janë një dëshmi e vërtetë feje: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshëm. Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallallë gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (Dosja 1302/2°. Arkivi M.M. Tiranë). U pushkatua, më 11 mars 1948, tek Varrezat Katolike të Rrmajit. Është Martir i vërtetë dhe si i tillë u shpall i Lumtur nga Kisha, më 5 nëntor 2016, në sheshin Gjon Pali II në Shkodër, së bashku me 37 martirët e tjerë të regjimit totalitar komunist në Shqipëri.

Atë Mati Prendushi luftoi deri në derdhjen e gjakut që të mbajë premtimet e tij solemne që kishte bërë në prani të Zotit dhe të vëllezërve.

“Jezusi thoshte: «Le të jetë po-ja jote po dhe jo-ja jo!». Kur luftëtari merr përsipër një përgjegjësi, e mban fjalën. Ata që japin një premtim dhe nuk e mbajnë, humbasin respektin ndaj vetes, dhe u vjen turp për veprimet. Ekzistenca e tyre qëndron tek ikja nga sytë-këmbët. Ata, duke mos mbajtur fjalën, harxhojnë shumë më tepër energji nga ç’përdor luftëtari i dritës për të mbajtur premtimet.

Nganjëherë, gjithashtu, luftëtari merr hutimthi një përgjegjësi, e cila do të ketë për të pasoja të dëmshme. Ai nuk do ta përsërisë më këtë veprim, por kjo nuk do ta pengojë që ta mbajë zotimin dhe të paguajë çmimin e rrëmbyeshmërisë”. (Nga Paulo Coelho, Manuali i Luftëtarit të Dritës).

 

 

1 Koment

  1. Nikolin Sh. Lëmezhi

    28/02/2017 at 23:25

    Falënderoj nga zemra Gazetën 55 për hapësirën që na jep të gjithëve, por akoma më shumë se ajo u dha zë atyre që për dekada zë nuk patën.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>