Me penë dhe me gjak…/Dom Gjon Gazulli

dom-gjon-gazulli

Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 mars 1893. Dhe, siç tha Kardinali shqiptar dom Ernest Troshani, në meshën që kremtoi në Blinisht, më 6. 11. 2016: “Zadrima është një popull që ka dhuruar shumë”. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më, 4 gusht 1919. Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Ngulmimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var.

Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rroftë Kisha Katolike, Nëna jonë! Rroftë Papa, Ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”.

Kjo ndodhi, më 5 mars 1927. Kjo dëshmi u tregua nga një oficer i pranishëm në momentin e vdekjes së tij.

Eshtrat e tij prehen në varrezat e Rrmajit në Shkodër dhe varri i tij tashmë është cak lutjeje për shumë shtegtarë, të cilët e vlerësojnë shenjtërinë e dom Gjonit. Fama e shenjtërisë së tij ka nxitur popullin e Zotit dhe Kishën Katolike që të ndërmarrin për të atë që quhet proçesi dioqezan për ta shpallur të Lumtur dhe të shenjtë. Lutemi me gjithë zemër që, siç ndodhi me 38 martirët e regjimit komunist në Shqipëri, ashtu edhe dom Gjoni të shpallet i Lumtur, duke u lartësuar kështu në nderin e Altareve! Sikurse dom Gjoni, është në proçes për t’u shpallur i Lumtur edhe Atë Luigj Paliq, i cili u martirizua në Janosh afër Gjakovës, për faktin se nuk pranoi të bëhej prift ortodoks, më 7 mars 1913. U realizua edhe në dom Gjonin ajo fjala e Zotit thënë në Veprat e Apostujve:  “Na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit”. (Vap. 14, 22).

 

 

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>