Me penë dhe me gjak…/Don Gjergj Simoni-meshtar, martir i gjallë  

albanian_priest

E dimë, me termin martir ose dëshmorë, përkufizohen ata persona që vriten dhe derdhin gjakun e tyre për një ideal: për Atdheun, për besimin, për paqen, për zhvillimin e dinjitetit njerëzor. Martir do të thotë dëshmitar, por dëshmitari është edhe ai që jep një dëshmi me veprat e veta edhe pa derdhur gjakun  e vet. Një rast i tillë është edhe don Gjergj Simoni, martir i gjallë.

Sot, pata fatin të takohem me don Gjergjin, meshtar rreth 85-vjeçar shqiptar, që me dashuri vazhdon t’i shërbejë Kishës dhe Mbretërisë së Hyjit.

Sa herë takohem me të më tregon pjesë nga historia e jetës së tij, që gjithmonë më duken të reja e të veçanta, siç është e re dhe e veçantë vetë historia e shpëtimit.

Don Gjergji, në takimin e sotëm, më foli në mënyrë sintetike, lidhur me thirrjen e tij si meshtar. Që në fëmijëri, duke marrë pjesë në takimet e ndryshme që atëherë organizonte Kisha, i kishte ardhur ideja të bëhej meshtar. Kur janë mbyllur Kishat në Shqipëri nga regjimi komunist, ai ishte 34 vjeç. Kujton çdo të veçantë. Në Shkodër, – tregon ai, – fillimisht është mbyllur Kisha Katedrale. Ishte viti 1967. Po në atë vit, Gjergji dënohet me 10 vjet burg për arsye fetare. Në burg gjen rreth 15 meshtarë dhe ipeshkvij. Atyre u beson dëshirën për t’ia kushtuar jetën Zotit nëpërmjet meshtarisë. Disa nuk ia këshillojnë, të tjerë e konfirmojnë në vendimin e tij. Një i ri 34-vjeçar, me dhjetë vite burg që kishte përpara, priste me shpresë që të mbaronte dënimi i padrejtë, me shpresë që të mbaronte diktatura e më në fund të realizonte ëndrrën e tij për të qenë meshtar.

Në fakt kështu ndodhi. Në vitin 1991, kur sapo kishte rënë diktatura komuniste, Gjergji shugurohet meshtar në moshën 58-vjeçare, nga Ipeshkvi Imzot Nikollë Troshani, mes brohoritjeve, duartrokitjeve dhe lutjes së hareshme të shumë besimtarëve të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë për këtë rast. Është meshtari i parë shqiptar që shugurohet pas rënies së diktaturës.

Edhe për këtë njeri të thjeshtë, mund të thuhet se pati një fe si ajo e Abrahamit, i cili në mesin e territ të shpirtit, në vuajtjet e vazhdueshme të ekzistencës, jetoi “duke shpresuar kundër çdo shprese” (Rom. 4, 18). Dhe sot është një meshtar i lumtur. Me të drejtë, Jezusi, kur pa turmën e popullit të braktisur si delet pa bari, tha: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta!”. (Mt. 9, 37). Kemi nevojë për barinj shpirtërorë më shumë se asnjëherë në këto kohë që po përjetojmë shndërrime kaq të mëdha. Por, jemi të sigurtë se Zoti nuk e braktis popullin e vet. Zoti është me ne, në mesin tonë, dhe lufton me ne dhe për ne e na siguron fitore. I lumtur ai që beson në Emrin e Tij të shenjtë!

 

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të bëhet publike. Fushat e detyrueshme janë shënjuar me *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>